Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka marrë pjesë në përfundimin e punimeve të një ferme blegtorale në Mazhë të Madhe, Bubq në Krujë, të rikonstruktuar pas tërmetit.
Familja Rushi ka përfituar fondin që ka mundësuar funksionimin e pandërprerë të aktivitetit të tyre ekonomik. Qeveria holandeze dhe ajo britanike kanë ofruar 500 mijë euro në konferencën e donatorëve për rindërtimin e fermave të vogla pas tërmetit, në projektin e implementuar nga FAO.
Ministrja Krifca shoqërohej nga Ambasadori britanik në Shqipëri, z. Alastair King-Smith, ambasadori i Holandës, z Reinout Vos, koordinatorja e OKB-së në Shqipëri, znj. Fiona McCluney dhe impelementues të projektit.
“Nëpërmjet një partneriteti mes ministrisë së Bujqësisë, dhe partnerëve ndërkombëtarë rikonstruktuam stallën e bagëtive e cila u rrënua totalisht dhe tashmë strehon të 180 krerët e bagëtive të imëta që do t’i sigurojnë të ardhurat kësaj familjeje”.
Gjatë takimit të saj të fundit me ministren britanike të agrikulturës, Victoria Prestis, Ministrja Krifca mori premtimin për angazhim të mëtejshëm të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri.
Ambasadori britanik tha se “Rindërtimi jep vërtet shpresë dhe kjo është arseja pse Mbretëria e Bashkuar ka kontribuar dhe do të kontribuojë edhe në vazhdim në sektorin e agrikulturës dhe zhvillimin rural edhe për vitet e ardhshme”.
Ndërsa ambasadori holandez shprehu kënaqësisë “se si komuniteti ndërkombëtar po punon bashkë me FAO për të ndihmuar në rindërtim atë çka u shkatërrua nga tërmeti në Shqipëri dhe sugjeroi ndërtimin e një agroturizmi në atë vend të bukur”.
Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara, zonja McCluney po ashtu shprehu kënaqësinë e bashkëpunimit mes kombeve për ti ardhur në ndihmë Shqipërisë për një kauzë të rëndësishme si rindërtimi. “Qartësisht kjo fermë është shumë e rëndësishme për këta njerëz dhe unë dua të përshëndes shumë këto gra që qëndrojë pas gjithë kësaj pune”, u shpreh ajo duke iu referuar dy fermereve të familjes Rushi.