“Lufta në Ukrainë, e shoqëruar me sanksionet kundër Rusisë, përbën një kërcënim për ekonominë gjermane”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz në një konferencë të përbashkët për shtyp me Mbretin jordanez Abdullah II.
“Ne duhet të kuptojmë shumë mirë se kjo luftë në Ukrainë sjell edhe sfida për ne në lidhje me pasojat ekonomike të sanksioneve”, tha Scholz të martën në Berlin.
“Disa vende po shprehin shqetësime për sigurinë ushqimore, për shkak të mungesës së dërgesave nga Rusia dhe Ukraina”, tha Scholz.
“Ne duhet të sigurohemi që ekonomia jonë të kalojë mirë në këto kohë të vështira”, shtoi ai. Gjermania ka ekonominë më të madhe në Evropë.
Scholz dhe Mbreti Abdullah dënuan luftën në Ukrainë, dhe i bënë thirrje presidentit rus Vladimir Putin “të ndalojë menjëherë të gjitha operacionet luftarake dhe të tërheqë trupat e tij pushtuese”. Scholz përsëriti gatishmërinë për bisedime, për t’i dhënë fund luftës.
“Një recesion po bëhet gjithnjë e më i mundshëm”, paralajmëroi instituti i kërkimit ekonomik ZEW në faqen e tij të internetit të martën. “Lufta në Ukrainë dhe sanksionet kundër Rusisë po e zbehin ndjeshëm perspektivën ekonomike për Gjermaninë”, thuhet në deklaratë.
Burimi i lajmit: CNN. Përshtatur nga Tirana Today