Nga: Bashkim Zeneli
Kur shërbeja si ambasador në Gjermani në kohën e luftës së Kosovës, gjatë viteve 1998 – 1999 dhe pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të shtatorit, do të ndeshja një befasi të këndshme. Presidenti i SHBA-ve, Klinton, më 9 tetor do të ftonte në Uashington fituesin e këtyre zgjedhjeve, Kancelarin e ardhshëm gjerman, Gerhard Schroeder.
Ishte bërë e ditur se do të flitej konkretisht edhe për zhvillimet në Kosovë. Midis të tjerave, Presidenti amerikan ishte mirëkuptuar me Kancelarin e ardhshëm se Gjermania në atë moment nuk do të mund të vendoste trupat ushtarake në dispozicion të NATO-s për shkak të tranzicionit mes qeverisë së vjetër dhe asaj të re, fitueses së zgjedhjeve. Sigurisht nuk do të ishte një kohë e gjatë pritjeje, vetëm 2–3 javë.
Më 12 tetor, vetëm një ditë mbas kthimit nga Uashingtoni, Kancelarit të ardhshëm i thuhet nga Presidenti Klinton, në një bisedë telefonike, se “marrëveshja jonë nuk ka më vlerë”. Çfarë kishte ndodhur? Riçard Holbruk ishte takuar me Milosheviçin dhe ky i kishte thënë së Gjermania nuk do të përfshihej në forcat e NATO-s kundër Jugosllavisë dhe kështu do të veprojnë edhe shtete të tjera, anëtare të NATO-s”, Hollbruk kishte njoftuar Presidentin e tij…
Schroeder menjëherë i pati kërkuar takim Kancelarit në detyrë, z. Kohl, të cilin e vuri në dijeni duke i kërkuar që të mblidhet menjëherë Bundestagu dhe Kohl e mirëkuptoi pa rezerva. Më 16 tetor, unë asistova në debatin e Bundestagut nën emocione të veçanta. Deputetët gjermanë njëzëri dhe pa asnjë rezervë vendosën – për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore – që trupat ushtarake gjermane të angazhoheshin jashtë vendit në kuadër të NATO-s, për lirinë e Kosovës. Ishte një vendim historik, që shqiptarët nuk do ta harrojnë asnjëherë. Një përgjegjësi e jashtëzakonshme politike e Gjermanisë për lirinë dhe paqen!
- Të dielën, më 27 shkurt, për disa orë radhazi ndoqa në televizionin gjerman punimet e seancës të jashtëzakonshme të Bundestagut mbi situatën në Ukrainë. Folën Kancelari Scholz, ministrja e Jashtme Bearbock, ministri i Financave Lindner, lideri i opozitës CDU Merz e shumë të tjerë. Të gjithë dënuan sulmin e Putinit ndaj Ukrainës; të gjithë shfaqën një solidaritet të jashtëzakonshëm me popullin ukrainas; të gjithë folën për sanksione të gjithanshme kundër Rusisë e për ndihmë të pakursyer ndaj Ukrainës; të gjithë e quajtën Putinin një kriminel lufte që duhet të përgjigjet për krime kundër njerëzimit. Duartrokitjet nuk kishin të mbaruar. Një Gjermani e tërë, pa asnjë kufizim, në mbështetje të Ukrainës.
Në të njëjtën kohë, pranë Portës së Brandenburgut dhe në Bulevardin Unter den Linden, rreth 100 mijë demonstrues protestonin kundër sulmit kriminal të Rusisë ndaj Ukrainës dhe në solidaritet të madh me popullin e këtij vendi të mrekullueshëm e liridashës. Manifestime të tilla masive po shohim çdo ditë në qytetet e Gjermanisë.
Në tribunën e Bundestagut, ambasadori i Ukrainës në Berlin vetëm duartrokiste, falënderonte dhe fshinte lotët.
E m’u kujtua se si në vitin 1998, 24 vite më parë, në Bundestag kisha përjetuar edhe unë të njëjtat emocione, teksa vendosej për Kosovën. Ashtu si Milosheviçi në atë kohë, sot përgjegjës është vetëm Putini. Ai e donte prej kohësh këtë luftë. Ai po kryen krime kundër njerëzimit. Të gjithë sot janë me popullin e Ukrainës. Jemi të gjithë përballë një realiteti të ri dhe kjo na vendos të gathëve para përgjegjësive të reja. Aftësitë negociuese për të ndalur luftën kanë qenë të zbehta e të pafuqishme vitet e fundit. Sigurisht, nuk mund të vijohet me rregullat që kemi deri tash… shumëçka ka ndryshuar. U besua te marrëveshja e Minsk-ut II në vitin 2015, por ajo ishte thjesht një Kalë Troje.
Gjithkush mund të ishte pjesë në këtë sulm kriminal, si çdo qytetar i Ukrainës. Lufta nuk sulmoi vetëm lirinë e popullit ukrainas, por edhe tonën, lirinë e të gjithëve. Paqja u cenua rëndë. Jemi në një botë tjetër mbas këtij agresioni. Javët e fundit u bënë përpjekje për ndaljen e luftës, teksa Cari në Kremlin vetëm gënjente dhe mashtronte. Ai tradhtoi rëndë edhe popullin e tij, që nuk e dëshiron luftën. Ky agresion ka vënë në rrezik edhe rendin botëror. Nuk bëhet më fjalë vetëm për Europën, por për çdo rajon e shtet. Në njërën anë është agresori, në anën tjetër janë gra, fëmijë, pleq, që po luftojnë për të mbijetuar e që kanë marrë rrugën e refugjatit. Ama, një popull i tërë është në këmbë për të mbrojtur atdheun e lirinë, që nga Presidenti i vendit. Putini sulmoi sepse një vend sovran e liridashës zgjodhi me bindje të plotë të orientohet drejt Perëndimit, drejt NATO-s e BE-së dhe vlerave të tyre të jashtëzakonshme. Edhe sulmi ndaj Ukrainës është për të gjithë ne dhe për vlerat e lirisë, të paqes, të demokracisë e progresit. Çmimi i lirisë, sigurisht, është shumë i madh.
Bundestagu gjerman diskutoi për gjithçka në atë seancë të jashtëzakonshme. 100 miliardë euro iu dedikuan forcimit e modernizimit të ushtrisë gjermane. Sanksionet do të jenë të gjithanshme dhe Rusia e Putinit do të izolohet në çdo pikëpamje. Putini do të detyrohet të gjunjëzohet. Një botë e tërë është kundër tij dhe presioni i saj nuk njeh kufij.
Në Bundestag u duartrokit fuqishëm kur Kancelari Scholz tha se do të dërgohen edhe armatime në Ukrainë, krahas ndihmave të tjera. Gjermania ka hapur portat për Ukrainën dhe popullsinë e saj. E të hapësh portat është forcë – forcë e madhe, përgjegjësi e madhe e humanizëm i madh. Si askush në Europë, Gjermania me një bujari të jashtëzakonshme i hapi portat edhe në krizën e refugjatëve të vitit 2015.
Në krizën e refugjatëve të vitit 2015. Europa sot, në partneritet me SHBA-të, është më e bashkuar se kurrë dhe flet me një zë, dënon me një zë e solidarizohet me popullin e Ukrainës me një zë. Dhe ky zë ka vlera të mëdha. Në këtë zë jemi edhe ne, shqiptarët. Lirinë, paqen dhe sigurinë i kemi të shtrenjta.
Fola për Gjermaninë thjesht për dy përgjegjësi të mëdha historike që ndërmori: e pari për Kosovën në vitin 1998 dhe e dyta për Ukrainën në vitin 2022 – një vendim që solli një kthesë të qenësishme në qasjen europiane ndaj krizës dhe shembull e kontribut i veçantë për lirinë dhe paqen. Për këtë vendim të fundit, “The Globalist” me të drejtë e krahasoi Kancelarin Scholz me Kryeministrin britanik, Churchill.