“Këto janë orët më të zeza për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore”. Këto ishin fjalët e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Ai thotë se një fuqi e madhe bërthamore që sulmon një vend fqinj, dhe kërcënon me hakmarrje ndaj çdo shteti që mund t’i dalë në shpëtim është “shkelja më e madhe e ligjit ndërkombëtar” dhe një “shkelje e parimeve bazë të bashkëjetesës njerëzore”.
“BE-ja do të vendosë sanksionet më të ashpra, që ka vendosur ndonjëherë”, thotë ai.
Boris Johnson i Britanisë së Madhe tha se ishte “i tmerruar nga ngjarjet e tmerrshme në Ukrainë” dhe se Vladimir Putin “ka zgjedhur një rrugë gjakderdhjeje dhe shkatërrimi duke nisur këtë sulm të paprovokuar”.
“Mbretëria e Bashkuar do të përgjigjet me vendosmëri”, tha ai.
Emmanuel Macron i Francës – i cili kaloi orë të tëra në një takim ‘kokë më kokë’ me Putinin dhe gjithashtu foli me të disa herë me telefon – tha se Rusia duhet të ndalojë veprimet e saj ushtarake.
Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck tha se Evropa ishte duke parë një luftë tokësore “që ne menduam se do ta gjenim vetëm në librat e historisë”.
Më herët, presidenti amerikan Joe Biden tha se Putini kishte “zgjedhur një luftë të paramenduar që do të sjellë një humbje katastrofike të jetës dhe vuajtje njerëzore”. Bota do ta kërkonte Rusinë përgjegjëse, deklaroi Biden.
Ai tha se do t’u drejtohej amerikanëve të enjten, për pasojat që do të përballet Rusia.
Burimi i lajmit: BBC. Përshtatur nga Tirana Today