DVP Lezhë në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe atë të Elbasanit, finalizuan operacionin “Identiteti”. Nga finalizimi i operacionit, pas tre muajsh hetime, u zbulua një laborator i cili dyshohet se shërbente për të prodhuar dokumente identifikimi të falsifikuara. Gjithashtu u zbulua dhe një ambient i dyshuar për ushtrimin e mashtrimit kompjuterik. Në kuadër të operacionit “Identiteti” u vunë në pranga katër persona, si dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë.
Gjykata e Lezhës ka dhënë sot masat e sigurisë. Është lënë në burg Pertef Musabelli, ndërsa tre të arrestuarit e tjerë, Henri Haxhiraj vëllai i këngëtares Sheila Haxhiraj, Arjan Refugjati dhe Erigesji Moriga janë lënë në “detyrim paraqitje”.
Pas përcaktimit të masave të sigurisë, Gjykata e Lezhës ka shpallur moskompetencë, duke e kaluar çështjen për gjykim në Gjykatën e Tiranës, ku do të bëhet një rivlerësim i masës.
Këta persona kishin ngritur laboratorë në fushën e falsifikimit të dokumenteve, mashtrimeve kompjuterike dhe dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve. Këto laboratorë shërbenin për falsifikimin e dokumenteve të identifikimit me shtetësi të huaja, përkatësisht bullgare dhe spanjolle kundrejt shumave nga 500-300 mijë euro.
Rrjeti i falsifikatorëve, në shënjestër kishte klandestinët që kërkonin të kalonin nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së. Por hetimet provuan se nuk kanë munguar as shqiptarët që kanë kërkuar të kenë një identitet fals, si shtetas të vendeve të BE.