Nga Nikola Gjorgjevic “Emerging Europe”
Shqiptarët e Shqipërisë janë tashmë të lirë të jetojnë, studiojnë dhe punojnë në Kosovë, pasi qeveria e Prishtinës miratoi një marrëveshje të arritur në fillim të këtij muaji me qeverinë në Tiranë. Edhe shqiptarët e Kosovës mund të jetojnë dhe studiojnë në Shqipëri, edhe pse ata që kërkojnë të punojnë në vend do të kenë ende nevojë për një leje.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur ka dalë sërish në qendër të vëmendje çështja e bashkimit të mundshëm të bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, kryesisht për shkak të deklaratave të bëra nga zyrtarë të Kosovës dhe politikanë të profilit të lartë.
Në janar të këtij viti, ish-kryeministri dhe njëherazi udhëheqës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nëse Kosova nuk bën ndonjë përparim në procesin e anëtarësimit në BE, ai do të kërkonte një referendum mbi bashkimin.
Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi në muajin shkurt pasi fitoi zgjedhjet parlamentare se ai do të votojë “po” në një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Por një referendum nuk duket i mundshëm shumë shpejt. Pasi do të kërkonte një ndryshim të Kushtetutës së Kosovës, e cila aktualisht nuk lejon që vendi të bashkohet me një vend tjetër.
Mbështetje popullore për unifikim
Bashkimi, ose siç e quajnë shumë qytetarët në të dyja vendet, ribashkimi, gëzon një mbështetje të gjerë popullore si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Një sondazh i vitit
2019, zbuloi se 75 për qind e shqiptarëve dhe 64 për qind e kosovarëve janë në favor të bashkimit në një shtet.
Por derisa para deklaratave të Kurtit dhe Haradinajt në fillim të këtij viti, kjo çështje ishte lënë prej disa kohësh jashtë rendit të ditës në të dyja vendet. Të dyja vendet mbajtën këtë vit zgjedhjet parlamentare, por kjo çështje u injorua pothuajse plotësisht nga partitë e mëdha në të dyja anët e kufirit.
Thirrjet aktuale për bashkim, do të ishin të ndërlikuara në atmosferën aktuale në Ballkan. Disa të ashtuquajtur “dokumente jo-zyrtare” kanë qarkulluar në rajon gjatë muajve të fundit, duke risjellë në një fokus të ri idenë e ndryshimeve të kufijve.
Si BE ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, e kanë bërë të qartë se kundërshtojnë me forcë çdo propozim për ndryshimin e kufijve në rajon. Ndaj edhe Vladimir Gligorov, bashkëpunëtor në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, nuk mendon se heqja e lejeve të përkohshme, është një hap drejt bashkimit.
“Nuk ka asnjë dyshim që Kurti është i përkushtuar që Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Por ai e ka kuptuar edhe në të kaluarën se kushtetuta e Kosovës përbën një pengesë. Po ashtu nuk ka asnjë dyshim se edhe kryeministri shqiptar Edi Rama e mbështet bashkimin e shqiptarëve, por kjo do të shkonte kundër ambicieve të BE-së për Shqipërinë. Prandaj bashkimi nuk është për momentin në axhendë”- shpjegon Gligorov.
Megjithatë, marrëveshja e fundit mund të jetë një shenjë se të dyja vendet po bëhen më të ndërvarura në aspektin social dhe ekonomik. “Për arsye gjeografike dhe përparësi krahasuese, Kosova do të ishte e interesuar të shihte nga tregu serb. Por marrëdhëniet janë të tensionuara, dhe do të mbeten të tilla. Për pasojë, ajo do ti drejtohet Shqipërisë, veçanërisht për shkak të daljes në det. Dhe sot ekziston një lidhje e mirë infrastrukturore”- thekson Gligorov për “Emerging Europe”.
Mini-Shengeni
Dr.Zijad Beçiroviç i Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit me qendër në Lubjanë të Sllovenisë, thotë se lëvizja e fundit duhet parë në kontekstin e të ashtuquajturës nisma e Mini-Shengenit, një zonë e planifikuar ekonomike dhe një zonë e përbashkët e udhëtimit pa viza që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, dhe ndoshta Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën.
“Deklarata e Mini-Shengenit, përfshin eleminimin e kontrolleve kufitare dhe pengesave të tjera për rritjen e lëvizshmërisë në rajon, e cila do t’u japë mundësi qytetarëve të udhëtojnë vetëm me një kartë identiteti, dhe të punësohen kudo nëse kanë një certifikatë të kualifikimit të tyre profesional”- shpjegon ai.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe ai shqiptar Edi Rama e nënshkruan deklaratën në tetorin e vitit 2019. Që atëherë, si Bosnja ashtu edhe Mali i Zi kanë sinjalizuar interesin e tyre.
“Heqja e lejeve të qëndrimit për shtetasit shqiptarë në Kosovë, është një hap drejt anëtarësimit zyrtar të Kosovës në iniciativën Mini-Shengen, pasi ajo është e detyruar ta bëjë këtë sipas Marrëveshjes së Uashingtonit të shtatorit 2020”- thotë Beçirovic.
Para nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit nga Vuçiç dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti, Kosova kishte refuzuar më herët të mbështeste idenë e Mini-Shengenit, nga frika se ajo mund të shndërrohet në një alternativë të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
burimi: https://emerging-europe.com/news/albania-and-kosovo-unification-through-the-back-door
Përshtatur për Tirana Today