Nga: Hillary Chabot & Hannah Moore “Medicalxpress”
Shtrëngimi tradicional i duarve, i përdorur prej kohësh në marrëveshje biznesi dhe intervista pune, për të promovuar lidhjet sociale dhe për të forcuar besimin – mund të jetë një traditë në zbehje e sipër, ndërsa individët dhe korporatat po e rishikojnë atë pas 14 muajsh mungese të kontaktit fizik në këtë lloj forme gjatë pandemisë.
“Ne mund të mos i kthehemi shtrëngimit të duarve”- thotë Laura Dadlej, profesore e asociuar klinike e psikologjisë së aplikuar në Universitetin Northuestern. Dadlej, një shkencëtare e sjelljeve njerëzore, thotë se pandemia e Covid-19 e ka transformuar mënyrën sesi njerëzit ndërveprojnë dhe vendosin besimin tek njëri-tjetri, nga komunikimi i një buzëqeshjeje të fshehur nën ‘maskat’ tona zyrtare, deri te manovrimi përmes mënyrave të reja për ta përshëndetur njëri-tjetrin pa kontakte fizike.
Shumica e atyre ndryshimeve nuk do të qëndrojnë për një kohë të gjatë, pasi kufizimet u vendosën vetëm për rreth 1 vit, thotë Dadlej. Por pandemia e zgjeroi pranimin e përshëndetjeve edhe pa kontakt fizik, gjë që do të thotë se ata që kanë fobi nga mikrobet apo ata që thjesht preferojnë të mos prekin gjëra, mund të ndihen më mirë me këtë zgjedhje.
“Unë kam kolegë të cilët, vetëm sepse ekzistonte pritshmëria sociale që kur takon një person të ri duhet t’i japësh dorën, ata do t’ia shtrëngonin dorën dikujt, edhe pse nuk ishin të kënaqur me këtë gjë. Tani kur bëhet fjalë për të përshëndetur një person tjetër, ne pranojmë një gamë më të gjerë sjelljesh”- thekson ajo.
Dhe ndryshimi nuk është i kufizuar vetëm tek individët. Departamentet e burimeve njerëzore, po marrin seriozisht në konsideratë përditësimin e udhëzimeve të tyre, thotë Natasha Saunders, konsulente e karrierës dhe lektore e udhëheqjes organizative në Universitetin Northuestern.
“Nga pikëpamja e rekrutimit, unë mendoj se është e rëndësishme të dimë që departamentet e burimeve njerëzore, janë disi në pararojë të kësaj tendence, dhe se ato po mendojnë për këtë dhe po e diskutojnë si një kulturë brenda organizatave të tyre”- thotë Saunders.
Sipas saj gjërat kanë ndryshuar, dhe nëse njerëzit vuajnë nga sëmundja OCD (Çrregullimi Obsesiv-Kompulsiv), ose ata kanë probleme shëndetësore në vendin e punës, kanë shumë më tepër arsye pse mund të mos dëshirojë që t’ju shtrëngojë dorën.
Gjithsesi, si Saunders ashtu edhe Dadlej thonë se nuk ka gjasa që shtrëngimi i duarve të zhduket plotësisht si praktikë. “Ne dikur mendonim se ky gjest ishte një element kulturor. Por ka disa të dhëna, që na thonë se bëhet fjalë për gjëra më të rrënjosura. Për shekuj me radhë, njerëzit kanë shtrënguar duart me njëri-tjetrin. Edhe kafshët shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin”- thotë Saunders.
Ndryshimi më i madh në gjuhën trupore post-pandemike ka të ngjarë të ndodhë tani, tani që njerëzit po rikthehen në vendin e punës dhe ambientohen me protokollet e reja, thotë Dadlej.
“Unë nuk e di nëse keni qenë në dijeni të procesit tuaj të mendimit, por kur hasni dikë në rrugë, nisni menjëherë të filloni të mendoni:A janë vaksinuar ata? A jam vaksinuar unë? A është apo e sigurt t’u jap dorën?
Ekziston një lloj frustrimi i madh që ndodh ndonjëherë kur sheh dikë për herë të parë, sidomos pasi janë hequr disa nga kufizimet”- thotë Dadlej. Sipas saj, mënyra më e mirë për ta anashkaluar këtë moment të vështirë, është ta trajtoni këtë temën shpejt dhe me pak humor.
Burimi i lajmit: https://medicalxpress.com/news/2021-06-goodbye-handshake.html
Përshtatur nga TIRANA TODAY