Dëshira për t’iu shmangur vapës e sidomos kërkesat e fëmijëve për të notuar, shtyjnë shumë familje që t’i drejtohen pishinave. Mjekët infeksionistë çdo fillimverë kthejnë vëmendjen ndaj kujdesit që duhet të kenë frekuentuesit e pishinave. E para është këshillimi me dermatologët lidhur me ndjeshmërinë e lëkurës nga prania e klorit, pasi dihet se klori është dezinfektuesi kryesor i ujit të pishinave. Sytë dhe buzët janë zonat më të ndjeshme të fytyrës dhe për këtë duhet të mbrohen me kujdesin më të madh nga efektet e substancave që gjenden në ujin e pishinave. Sipas infeksionistëve, irritimet në sy janë një shqetësim mjaft i shpeshtë i shkaktuar nga kontakti me klorin, ku simptomat kryesore janë djegia dhe skuqja. Më tub rrezikuarit nga skuqja e syve janë fëmijët që kalojnë shumë kohë dhe shpesh qëndrojnë edhe me sy hapur në ujë. Gjithashtu ndodh edhe ajo që njihet si “pezmatim i lëkurës”, sidomos tek personat që kanë një lëkurë të thatë dhe delikate
Si të mbroheni nga rreziqet për shëndetin
Mjekët infeksionistë shprehen se nëse nuk ndiqen një sërë rregullash nga pronarët dhe klientët e pishinave, rreziku për të marrë infeksione të llojeve të ndryshme është shumë i lartë. Para së gjithash, nga uji i pishinave mund të shkaktohen probleme me veshët dhe shqetësime të ndryshme dermatologjike, si pasojë e baktereve që gjenden në ambiente johigjienike. Por në pishina jetojnë edhe mikroorganizma të tjerë, veçanërisht nëse uji është i vaktë. Një tjetër burim i përhapjes së këtyre mikroorganizmave janë edhe plagët. Ndaj ju nuk duhet të laheni asnjëherë në pishinë kur keni një plagë të hapur, sepse mund të infektoni ambientin, por edhe të përkeqësoni gjendjen tuaj.
Për të kapërcyer këto rreziqe, mjafton të ndiqen disa rregulla të thjeshta. Pikë së pari, kujdestarët e pishinave duhet të merren çdo ditë me pastrim e tyre, pa abuzuar me klorin, pasi ai është i dëmshëm për shëndetin. Pushuesit, nga ana e tyre, duhet të bëjnë gjithmonë dush përpara dhe pasi të futen në ujin e pishinave, sepse në vetvete, ky veprim heq 80% të florës bakteriale të përkohshme.
Masat që merren nga frekuentuesit
Flokëve nuk u bën aspak mirë larja gjatë gjithë ditës në pishinë, sepse rrezet e diellit dhe klori i thajnë dhe u zbeh pigmentin, ndërkohë më të rrezikuar janë flokët e lyer. Përveç kësaj, klori e dëmton në thellësi strukturën e flokëve. Nëse dikush nuk dëshironi të mbajë kapele për larje, para se të hyni në pishinë duhet të vendosë vaj për mbrojtje që bllokon veprimin e dëmshëm të diellit dhe klorit. Mund të vendoset gjithashtu edhe maskë mbrojtëse pas larjes.
Pasojat e klorit
Klori nuk u bën dëm vetëm flokëve, por ai than edhe lëkurën e trupit. Prandaj, pasi dikush ka kaluar një ditë të tërë në pishinë, pas banjës që do të bëjë në shtëpi, duhet të lyejë trupin tuaj me qumësht hidratues për lëkurë. Ndoshta shumë nuk e dinë, por klori është i rrezikshëm edhe për tonin e nxirë, sepse mund ta zbehë ngjyrën e errët të fituar nga ekspozimi në plazh. Ilaçi i vetëm është që pas çdo larjeje në pishinë është të kryhet një dush.
Po melanina çfarë pasojash ka nga pishina?
Nëse shkuarja në pishinë do të jetë ekspozimi i parë i verës në diell, nuk duhet pritur shumë. Lëkura nën veprimin e rrezeve ultravjollcë prodhon melaninën, e cila është përgjegjëse për nxirjen e lëkurës, por prodhimi i saj fillon pas 48 ose 72 orësh që nga ekspozimi i parë në diell. Prandaj, që dikush të mos digjet, vendos preparat për nxirje me faktor mbrojtës. Pas ekspozimit nevojitet lyerje e trupit me qumësht hidratues, me ekstrakt të aloe verës. Kështu shmanget skuqja që më pas krijon probleme të tjera infektive.