Edhe pse prej disa ditësh ka nisur vaksinimi masiv i popullsisë, mjeku Pëllumb Pipero thotë se në muajin prill do të ketë rritje të rasteve me Covid-19.
I ftuar në ”Abc News”, Pipero u shpreh se shkak për këtë mund të bëhen grumbulimet politike për shkak të fushatës elektorale.
Megjithatë, kjo rritje nuk pritet të zgjasë, pasi në fund të muajit, pritet që numri i rasteve të pësojë rënie.
Ndër të tjera, Pipero u shpreh se virusi tashmë po paraqitet më agresiv, kryesisht tek moshat e reja.
Pëllumb Pipero: “Mendoj që për shkak të ekspozimit në disa aktivitete publike si festa e verës, apo aktivitet politike për shkak të fushatës elektorale, në gjysmën e parë të prillit do kemi rritje të numrave. Fundi i prillit do na gjejë me shumë më pak pacientë në spital. Edhe pse intensiteti i pandemisë ka rënë, rastet janë më të rënda. Ndoshta edhe për shkak të një agresiviteti të shtuar të virusit në moshat e reja”.