Policia e Tiranës ka zbardhur informacione zyrtare për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Tiranë-Durrës ku u qëllua me armë godina e kompanisë “Kastrati”, duke arrestuar pas ndjekjes dy persona si autorë të dyshuar.
Informacion paraprak
Më datë 10.10.2020, rreth orës 04:10, është njoftuar salla operative se në Qafë-Kashar, nga një mjet tip “Benz” dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt një servisi ku ka vetëm dëme materiale.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje të mjetit të dyshuar ku në bashkëpunim dhe me Policinë e Durrësit, në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit” u bë kapja e dy personave të dyshuar të ngjarjes.
Shërbimet e Policisë janë duke ushtruar kontroll të banesave të këtyre shtetasve si dhe vijon kontrolli në rrugën interurbane Tiranë-Durrës pasi dyshohet se gjatë ndjekjes nga Policia këta shtetas kanë hedhur armën e zjarrit në rrugë.
Shtetasit e kapur do shoqërohen në DVP Tiranë për veprime të mëtejshme.
Për arsye hetimi nuk bëhen me dije gjeneralitet e tyre deri në përfundim të veprimeve.