Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të patriotit të famshëm Zylyftar Poda me origjinë nga fshati Podë i Kolonjës, ish-krahu i djathtë i Ali Pashë Tepelenës, i cili në dy dekadat e para të shekullit të XIX-të, u bë një nga udhëheqësit popullorë më të shquar në luftrat për shkëputjen nga Turqia. E gjithë veprimtaria e Zylyftar Podës, nga lidhjet e tij me ambasadorin francez, Pukvill, të atashuar pranë pashait plak të Janinës, te miqësia e ngushtë me Mehmet Aliun e Egjiptit, që e ndihmonte në rebelimin ndaj Portës së Lartë të Stambollit, shkrimet e gazetave ruse për konfliktet dhe luftërat e tij me Portën e Lartë, këngët folklorike popullore që i janë kushtuar atij, si është trajtuar figura e roli i tij nga historianët shqiptarë, vendi që ai zë në Historinë e Shqipërisë, e deri tek busti i tij që ndodhet në Muzeun e Luvrit në Paris, të cilin në shtatorin e vitit 1946-të, e vizitoi edhe Enver Hoxha me delegacionin që kryesonte në Konferencën e Paqes në Paris, etj.
Po t’i hedhim një sy historisë së popullit shqiptar të periudhës së para Rilindjes sonë Kombëtare, duke i’u referuar edhe mjaft dokumenteve të ndryshme arkivore të vendit dhe të huaja, do të vëmë re, se, pas Ali Pashë Tepelenës, Vezirit plak të Janinës që u ekzekutua nga Porta e Lartë, për shkak se donte të shkëputej nga Turqia, një nga figurat kryesore të udhëheqësve shqiptarë të asaj periudhe, e deri në vitin 1835-së, do të shohim që spikat ajo e Zylyftar Podës. Kapedanit të famshëm kolonjar, që për disa vjet me rradhë u vu në krye të qëndresës antiosmane në Shqipërinë e Jugut, duke tronditur seriozisht Portën e Lartë të Stambollit dhe vetë Sulltanin, i cili u detyrua që ta ftonte dhe ta priste atë me nderime të mëdha në Stamboll.
Lidhur me këtë figurë legjendare mjaft popullore, përveç këngëve folklorike të trashëguara dhe të ruajtura në disa breza, shtypit periodik, librave dhe teksteve të ndryshme të historisë së popullit shqiptar, të botuara nën kujdesin e Institutit të Historisë dhe Akademisë së Shkencave në Tiranë, flasin edhe mjaft dokumente arkivore që gjenden jo vetëm në arkivat shqiptare, por edhe në ato të vëndeve të ndryshme evropiane, si Turqi, Rusi, etj. Madje jo vetëm kaq, por fama dhe emri i Zylyftar Podës, është aq e madhe, sa që në Muzeun e famshëm të Luvrit në Paris, ruhet një bust i tij. Duke qenë kështu dhe shqiptari i vetëm që iu është kushtuar një vepër arti në muzetë e ndryshme jashtë vendit tonë.
Rrethimi Zylyftarit në Kalanë e Melesinit
Me vdekjen e Ali Pashës, Zylyftar Poda i prishi dhe i preu marrëdhëniet me Turqinë e me njerëzit që kishte pranë. Ai qëndroi në malet e Gramozit, Pindit, Konicës, duke goditur herë pas here forcat e ushtrisë turke. Kjo gjë vazhdoi deri në vitin 1831, kur ai u sulmua me forca të shumta nga Porta e Lartë e Stambollit, të cilat e rrethuan atë në kalanë e Melesinit, ku ai zakonisht strehohej me njerëzit e tij, që ishin kryesisht nga krahina e Karamuratasit, Leshicës, Çarshovës, Serranit etj. Goditjet e para ushtria turke ia dha Zylyftarit që në Ostenicë. Lidhur me luftimet e zhvilluara gjatë atij rrethimi, i cili vazhdoi për disa muaj me radhë, kënga popullore, midis të tjerash thotë:
“Zylyftar prit nizamët se t‘u derdhnë
mirë bënë që po vijnë
të kisha le të venë
atje për luftë kam Elmaz Xhemnë
Melesini maja maja
ç‘e rreh topi kumbaraja
Melesini në një brinjë
lufton nipi për dainë
te sheshi para kishës
lufton Elmazi me vëllanë
(Rrushitin) me pallë sheshit”.
(Zylyftar Poda kishte një motër, të cilën e kishte martuar në fshatin Starje, te shtëpia e Xhemi Starjes dhe djali i motrës së tij quhej Elmaz Xhemi).
Për luftimet e zhvilluara në kalanë e Melesinit, ndërmjet forcave të ushtrisë turke dhe kryengritësve shqiptarë të udhëhequr nga kapedani Zylyftar Poda, historiani i njohur, Ligor K. Mile, midis të tjerash ka shkruar: “Megjithatë, disfatat e Mustafa Pashës në Maqedoni, e detyruan Zylyftar Podën të kalonte në taktikë mbrojtëse. Kundër tij, me urdhër të Vezirit të madh, u drejtuan trupat turke nën komandën e qeveritarit të Thesalisë, Mahmud Pashës. Pas luftimeve të para në rajonin midis Korçës dhe Ersekës, në kullat e Qarrit, forcat kryengritëse, të kryesuara prej të birit të Podës (Deli Jasës), nën presionin e trupave armike më eprore në numër, u tërhoqën. Ato vendosën të vazhdonin qëndresën në kalanë e Melesinit, të ndërtuar në një pozitë të mirë malore, ku ishte përqendruar edhe vetë Zylyftar Poda.
Filloi rrethimi i gjatë i kalasë. Por forcat fshatare nuk u kufizuan vetëm me mbrojtjen. Ato kryenin sulme të guximshme kundër forcave turke dhe mundën që gjatë një sulmi të tillë të kapnin gjallë edhe një komandant turk. Por përpara zjarrit të madh të artilerisë dhe kur rezervat ushqimore po i afroheshin fundit, të rrethuarit, pas pesë muajsh mbrojtje burrërore, pranuan të pushonin qëndresën, me disa kushte, në tetor të vitit 1831”.
Po kështu, për këtë ngjarje ka bërë një studim edhe historiani Pandi Rrumbullaku, të cilin e ka titulluar “Kapedani i Podës”, (botuar më 14 dhjetor të vitit 1980 në gazetën “LUFTËTARI”). Midis të tjerash, ai ka shkruar: “Qëndresa popullore kundër pushtuesve vazhdoi gjatë, por pas luftimesh shumë të ashpra dhe i rrethuar nga të gjitha anët prej ushtrisë armike, Zylyftar Poda me forcat e tij u përqendrua në malin e Melesinit, në pritje që të vinin ndihma nga Bushatlliu i Shkodrës, forcat e të cilit ishin dëmtuar nga pushtuesit në luftimet e zhvilluara për të arritur aty. Gjatë pesë muajve që Zylyftar Poda dhe njerëzit e tij mbetën të rrethuar aty, luftimet më të ashpra u zhvilluan në Melesin, i cili u mbulua në tym e flakë. Porta e Lartë kërkonte me insistim ta shuante sa më parë kryengritjen, sepse i trembej flakëve të saj, që ishin përhapur në të gjithë Shqipërinë. Në përgjigje, kryegjenerali i Rumelisë i shkruante Sulltanit: ‘Janë vende të thepisura dhe gurore. Asnjë kullë në këtë vend nuk ka mundësi të pushtohet me sulm. Zylyftar Poda në malin e Melesinit ka tri kala, dy prej të cilave u shkatërruan me top, por e treta, në maj të malit, nuk arrihet dot as me top, as me kumbara, ajo mund të mbrohet me 20 pushkë”.
Lidhur me këtë rrethim dhe luftimet që u zhvilluan gjatë atyre gjashtë muajve, kënga popullore, midis të tjerash, thotë:
“Mahmut Pashë me ngadalë
se këtu lufton me kolonjarë
Podë Shalës dhe Barmash
luftojnë të gjithë bashkë”.
Vrasja me tradhëti e Zylyftarit në Stamboll në 1835-ën
Lidhur me fundin e atij rrethimi, ku Zylyftari dhe njerëzit e tij qëndruan për pesë muaj me radhë duke luftuar, historiani i njohur Ligor K. Mile, midis të tjerash ka shkruar: “Por përpara zjarrit të madh të artilerisë dhe kur rezervat ushqimore po i afroheshin fundit, në tetor të vitit 1831, të rrethuarit, pas pesë muajsh mbrojtjeje burrërore, pranuan të pushonin qëndresën, por duke vënë disa kushte. Filluan bisedimet rreth dorëzimit. Zylyftar Poda parashtroi këto kërkesa:
Falje të gjithë kryengritësve
Mosdorëzim i armëve 3. Autoritetet turke nuk duhej të konfiskonin pasurinë e kryengritësve.
Komandanti turk, Mahmut Pasha, i pranoi këto kushte. Në këtë mënyrë kryengritja e viteve 1830-‘31, nën udhëheqjen e Zylyftar Podës u shtyp. Zylyftar Poda u detyrua që ta braktiste vendin së bashku me familjen e vet. Shtypi turk njoftonte në fund të dhjetorit të vitit 1831, se Zylyftar Poda u fal nga Sulltani, por ky, për ta pasur më nën kontroll, kërkoi si amanet djalin e tij. Megjithatë, Zylyftari vazhdoi të shihej nga Porta e Lartë si një kundërshtar i rrezikshëm i saj, prandaj ai u vra tradhtisht bashkë me dy bashkëpunëtorë të tij në vjeshtën e vitit 1835 në Stamboll.
Kur vazhdonte rrethimi i kalasë së Melesinit, trupat turke kryenin masa represive kundër viseve që kishin marrë pjesë në Kryengritjen e Zylyftar Podës. U arrestuan shumë banorë të 10-12 fshatrave. Ata u shitën si skllevër kundrejt 20 groshëve për burrë dhe 10 groshëve për grua. Me anën e një fermani sulltanor, u shtua detyrimi vjetor për çdo familje shqiptare pa dallim deri më 40 grosh. Edhe sot, në disa fshatra të Kolonjës, si Gostivisht, Qinam, Podë etj., ruhen kujtime dhe këngë popullore rreth kryengritjes fshatare të viteve 1830-1831″.
Gazeta “Melesini” e SHBA-së në 1930-ën për Kryengritjen e Zylyftar Podës
Kryengritja e famshme e viteve 1830-‘31, e udhëhequr nga kapedani legjendar, Zylyftar Poda, veç të tjerash u përkujtua edhe në 100-vjetorin e saj, (në vitin 1930), nga komuniteti shqiptar i SHBA-së, të cilët në një artikull të botuar në gazetën “Melesini” të ËORCESTER, MASS në janar 1930, midis të tjerash shkruanin: “Në 1831 plasi një kryengritje në Leskovik dhe në qarkun e tij. Zylyftar Poda e bashkoi popullin, të Krishterë dhe Muhamedanë, dhe nisi luftën kundra Turqve për të fituar lirinë e Shqipërisë. Qeveria Turke dërgoi kundra këtij një ushtari të rregullshme. Përpjekjet e para u bënë në Qarr; po me që u thye atje, ardhi në Leskovik dhe u vendos në kishën e Shënjt Illi në majën e malit Melesin. Populli i qarkut dhe qytetit, pleq, gra dhe fomi, prisnin gorricat, u chponin vëra dhe i përdortej ushtria Shqipëtare në vënt të topave. Ksisoj lufta në Leskovik mbajti nëntë muaj. Më së fundi, me që nuk ardhi ndihmë, u munt dhe u dha në duart të Turqisë. Shokët e tij u hodhën në Malin Nemërchkë dhe atje luftuan për disa kohë. Leskoviku mbeti si kryeqytet i Shqipërisë për dy vite. Më 1913, Leskoviku ra në duart e Grekëve të cilët, më parë se të iknin, u vunë zjarr. Ksisoj Leskoviku mbeti prapë gërmadhë. Po me që klima është e mirë dhe ndenjtësit e qytetit dhe të fshatit janë të mirë, ka shpresë që Leskoviku të rritet prapën dhe të bëhet më i bukur se sa ish”.
Letra për vrasjen e Zylyftarit në Stamboll
Shkaqet dhe arsyet që e detyruan Portën e Lartë të Stambollit të merrte vendimin për ekzekutimin e Zylyftar Podës, mund të nxirren qartë edhe nga disa dokumente historike që ndodhen në arkivat e Stambollit dhe vendeve të tjera, që asokohe ishin nën sundimin osman. Një nga këto dokumente është dhe ai i botuar nga prof. dr. Petrika Thëngjilli, në librin e tij me titull: “Kryengritjet popullore në vitet ‘30 të shekullit XIX (Dokumente Osmane), të botuara nga Akademia e Shkencave dhe Instituti i Historisë në Tiranë në vitin 1978. Lidhur me këtë, në atë letër ku mungon emri i njeriut që ia dërgon atë Sulltanit, shkruhet:
“Shkëlqesia juaj ka mësuar padyshim pak kohë më parë se kryengritja e Shkodrës më së fundi u paqtua dhe se Valiu i Rumelisë hyri para gjashtë javësh në atë qytet pa derdhje gjaku. Për t‘i shkruar Shkëlqesisë Suaj mbi këtë çështje prisja të mësoja më mirë hollësirat e këtij përfundimi të rëndësishëm dhe rrethanat që e pasuan. Shumë veta këtu janë të mendimit se Mehmet Aliu e ka nxitur atë, ose të paktën që, në qoftë se ai nuk është pikërisht autori, emisarët e tij ditën të përfitonin me zotësi nga pakënaqësia e jashtëzakonshme që kishte shkaktuar administrata e Hafëz Pashës, si dhe mobilizimi i trupave të rregullta të urdhëruara prej Portës.
Sidoqoftë, emri i zëvendësmbretit të Egjiptit është jo vetëm në Shqipërinë Veriore, por edhe në atë Jugore, fjala e bashkimit të të gjithë të pakënaqurve. Ata nuk shpresojnë veçse tek ai dhe është fare e lehtë të depërtohet në mendimet e tyre, kur, duke u ankuar për përfundimin e orvatjes së Shkodrës. Ata thonë me zë të lartë se ajo ndodhi shumë shpejt ose shumë vonë dhe se, në fund të fundit nuk humbën veçse dy vjet. Fundi tragjik i Silhidar Podës, të cilit iu pre koka para pak kohe në Kostandinopojë, ka tronditur disa dhe ka zemëruar shumë të tjerë, sepse ky burrë, megjithëse nuk ishte këtu, ruante nga Berati deri në Gjirin e Artës influencën më të lartë.
Gjatë internimit të tij në Kretë, ai mbante lidhje të pandërprera me krerët e Shqipërisë Qendrore dhe në përgjithësi atë e shihnin si ndërmjetësin që Mehmet Aliu kishte zgjedhur për t‘u marrë vesh me ta. Megjithatë, udhëtimi i tij në Kostandinopojë, për të cilën ende nuk kam mundur akoma të përcaktoj shkaqet, falja e tij nga Sulltani, në vazhdim të së cilës familja e tij mori përsëri vitin e kaluar plot nderim pronat e saj shumë të mëdha, më së fundi, letrat e shumta në të cilat atij i pëlqente të fliste për pritjen e bukur që i kishte bërë sovrani i tij, i bënë bashkatdhetarët e tij, që nuk i dinë arsyet e vërteta që e shpunë aty, ta shohin ekzekutimin e tij si një pusi të poshtër”. (…)
Këngët kushtuar kryengritjeve të kapedanit të Podës
E gjithë veprimtaria patriotike e Zylyftar Podës, luftërat dhe bëmat e tij, u përcollën edhe në formë gojëdhënash dhe këngësh popullore folklorike ndër breza, duke ardhur deri në ditët tona. Lidhur me këto këngë popullore folklorike, në studimin e tij, historiani i njohur Ligor K. Mile, midis të tjerash ka shkruar: “Sipas Spiro Dines, këngët kushtuar kryengritjeve të Zylyftar Podës ishin të shumta dhe këndoheshin me dashuri në popull. Ndërmjet këtyre këngëve del qartë dhe përbërja shoqërore e pjesëmarrësve të kryengritjeve, që poeti popullor i quan “harbutë”, ose “hajdutë”, d.m.th. fshatarë të varfër, të ngritur me armë në dorë kundër pushtetit turk.
“Melesini mal i butë /
Rreth e rrotull me harbutë
Melesini i përpjetë
I vete gjylja shigjetë
Kjo kisha me një kamare
Nizamët i shojti fare
Mun te portë e Zylyftarit
varur kokë e bashnizamit”.
Porta e Lartë dhe Sulltani e pritën me nderime Zylyftarin në Stamboll
Roli i madh i Zylyftar Podës si udhëheqës popullor i kryengritjeve antiosmane në dy dekadat e para të shekullit XIX-të, bëhet i ditur edhe nga historiani i njohur, prof. dr. Petrika Thëngjilli, i cili në librin e tij “Kryengritjet popullore në vitet ’30-të të shekullit XIX-të (Dokumente Osmane), të botuara nga Akademia e Shkencave dhe Instituti i Historisë në Tiranë në vitin 1978, që në parathënien e librit, midis të tjerash ka shkruar: “Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVIII-të dhe 30 vjetëve të parë të shekullit XIX-të, lufta e popullit shqiptar për t‘u shkëputur nga varësia politike e Stambollit, e drejtuar nga klasa feudale me Bushatllinjtë dhe Ali Pashë Tepelenën në krye, vërtet pati si përfundim shembjen e pashallëqeve shqiptare, por tronditi edhe themelet e sundimit osman në Gadishullin Ballkanik, duke ndihmuar edhe popujt e tjerë që të fitonin lirinë e tyre dhe ngriti më lart frymën luftarake në gjirin e popullit, e sidomos ndërgjegjen e tij për t‘i dalë zot vetvetes. Shembja e pashallëqeve shqiptare dhe disfata e kryengritjes së vitit 1831, e udhëhequr nga Zylyftar Poda, nxorën në dritë se klasa feudale nuk ishte në gjendje të ruante as autonominë e qeverisjes dhe as shkëputjen nga Stambolli, që ëndërronte ta bënte realitet”.
Veç të tjerash, roli i madh i Zylyftar Podës si një nga udhëheqësit popullor më me influencë në Shqipërinë e Jugut, bëhet i ditur edhe nga vetë pritja me nderime të mëdha që i bëri atij Sulltani në Stamboll. Lidhur me këtë, historiani i njohur, Petrika Thëngjilli, në librin e sipërcituar, midis të tjerash shkruan: “Goditjet që pësoi klasa feudale shqiptare gjatë periudhës 1822-1831, patën karakter politik dhe ekonomik. Megjithatë, si feudalët e pakënaqur që ndodheshin brenda në vend, ashtu dhe ata të larguarit, nuk hoqën dorë nga lufta për të kthyer privilegjet e vjetra. Abdyl bej Koka, Shahin bej Delvina, Zylyftar aga Poda dhe kapedani Tafil Buzi, Gjoleka, Latif Elmazi, Muharrem Kolonja etj., që kishin mundur të arratiseshin, ishin strehuar në Shqipëri. Kapedani më me influencë në Shqipërinë e Jugut, Zylyftar Poda, u pajtua me Portën e Lartë dhe shkoi në Stamboll, ku u prit me nderime nga vetë Sulltani. Në të vërtetë, pritja e tij me respekt nga Sulltani, kthimi i familjes së tij në Shqipëri me të drejtat që gëzonte para kryengritjes së vitit 1831, që u bënë me qëllim për ta vënë atë në shërbim të shtetit, nuk bënë efektin e duhur për ta larguar nga veprimtaria kryengritëse”. (AMAE, Memories et Documents, Turquie, vëll. 76 Naupli, 6 shtator 1834, fq. 232).
Zylyftar Poda në këngët popullore folklorike
Jeta, vepra, aktiviteti patriotik dhe qëndresa antiosmane me luftërat e vazhdueshme të Zylyftar Podës ndaj ushtrive të Portës së Lartë të Stambollit, janë ruajtur në gojëdhëna të ndryshme dhe në memorien historike të popullit shqiptar, duke u trashëguar e përcjellë brez pas brezi. Po kështu, populli e ka përjetësuar atë edhe në këngë të ndryshme folklorike popullore, të cilat janë përcjellë në disa breza, duke u ruajtur deri në ditët e sotme. Një nga ata që ka mbledhur këngët popullore për Zylyftar Podën, ka qenë edhe patrioti i Rilindjes Kombëtare, Thimi Mitko (i njohur si mbledhësi më i zellshëm i folklorit shqiptar), i cili i ka botuar ato në veprën e tij të famshme “Bleta Shqyptare”, libër që u përkthye nga Gjergj Pekmezi në vitin 1924 dhe u ribotua në Vienë të Austrisë. Këto këngë popullore për Zylyftar Podën që e ka mbledhur Thimi Mitko, po e botojmë në këto pak radhë së bashku edhe me tri këngë të tjera që i kushtohen atij patrioti të famshëm, i cili ka lënë gjurmë të thella në memorien historike të popullit shqiptar.
“BLETA SHQYPTARE” E Thimi Mitkos
Kënga e Zylyftar Podës, i cili u rrethua në kalat e ti në malet e Melesinës prej Mahmut Pashës në 1831-in
Thanë, doli Rumelija,
Ngriti krye Shqipëria
Thanë, doli sadrazemi
Ngrihij, Shqyptarë, t‘vemi
Zylyftari Podësë,
Dërgoj kartë Shkodrësë
Edhe Shkodra i dërgoj,
Manastir u ngrit e shkoj
Kush i dogji kullat Qarrit?
Rakip beu i Zylyftarit.
Zylyftar mustaqe-verdhë,
Prit nizamët se t‘u derdhë,
Të vinë, mirë, se të vinë,
Te pusi e kam Mersinë.
Rakip bej të ardh një kartë.
Mblidh asqer e kthehu prapë
Melesini mal i butë,
Rreth e rrotull me harbutë,
Melesini maja maja,
E rreh topi e kumbaraja.
Melesini i përpjetë,
I vete gjylja shigjetë.
Këjo kisha me një kamare,
Nizamët i shojti fare.
Kjo kisha me tri shkallë,
Rreth e rrotull me nizamë.
Mun te portë e Zylyftarit,
Varur kokë e bashnizamit.
Elmaz Xhemi me të vëllanë,
Për Zylyftar u vranë.
Burr‘o Elmaz Xhem, o burrë,
Më të shumtë me gurë,
Elmazi me kushurinë,
Mun te kisha se ç‘u shtrinë”
Këngë për Ismail bej Vlorën dhe Zylyftar Podën
“Qaj moj Vlorë, qaj Kaninë,
Smaili shkoj në Janinë,
I dërguan bujurdinë,
Të piqet me Rumelinë,
Dolën Dervenit të prinë,
Tafil e Xhelili ynë,
Malo mos shko në Janinë,
Mos e beso Osmanllinë,
Se të kan ngritur pusinë,
Zylyftari dërgoi kartë:
Kthehu Ismail Bej prapë,…
Drekënë në Zharovinë,
Darkën brenda në Janinë,
U dhe selamn‘ e s‘ta prinë,
Smaili u ngjit në shkallë,
Me pashanë ball për ballë,
Dy kobure pas iu dhanë,
Smail be, o‘Smail be,
Miqësinë ku e le,
Kokën tende në hejbe…”
Popullore Djelt‘ e Prrenjos më të mirë
Djelt, e Prrenjos më të mirë,
Ky Muhua me zahire,
Në këmbë ngritën kazanë,
të gështër e myslymanë,
Ziliftar Podës i vanë,
S‘e lëshuan istikamë.
Ki Ziliftari si Aliu,
Taborrë turkut ia griu
Paramithi-Çamëri, 1982
Zylyftar Poda
Thonë turqit zjarr i vini
Të përvëlohet Melesini
Çdo pëllëmbë zjarr të marri
Të digjet brenda Zylyftari…
Nuk tundet Melesini i lartë
Mbi armiq derdh llavë të zjarrtë
Nuk tundet Zylyftari kurrë
Rrëzon mbi turq shkëmbinj e gurë… /Memorie.al