Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin e saj, përmes të cilës arriti që të shpallte të pafajshëm kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në këtë çështje u akuzua Basha për falsifikim, gjithashtu edhe ish-sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi të akuzuar për falsifikim formularësh për çështjen e lobimit.
Sipas burimeve, mësohet se në 41 faqe vendim thuhet se nuk ekziston fakti penal. Sipas hetimit gjyqësor ka rezultuar se PD s’ka pasur kontratë lobimi me kompaninë “Biniada Trade”.
Sipas gjykatës kontrata e Nick Muzin me “Biniada Trade” s’ka lidhje me interesa të ndonjë partie politike.
Gjykata arsyeton se Nick Muzin deklaron se 500 mijë dollarë i ka marrë nga PD dhe 150 mijë nga “Biniada trade”, por ky deklarim i tij nuk provohet me dokumente dhe për rrjedhojë s’mund t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës.