Pas arrestimit të Bledar dhe Bernard Tocit, të akuzuar për vrasje dhe posedim lëndësh narkotike, ka ardhur edhe reagimi i nënës së tyre.
Në një intervistë për Top Channel, Fatbardha Toci tregon prapaskenat e ngjarjes që tronditi një javë më parë Kavajën, kontrollin policor, dozat e kokainës që u gjendën në apartament dhe marrëdhënien e të birit me viktimën dhe Marsidën.
“Po të ishin në grup, në lidhje, si do të jetonim në këtë shtëpi 50 m2? Ai ka qenë në shtëpi me qera në Tiranë 10 vjet dhe erdhi këtu se nuk i dilte. Gruaja i iku në Itali me djalin se ka prindërit dhe Bledari do të ikte, por po priste të bënte dokumentacionin. Është thënë se është në atë punë prej xhaxhait të vet deputet, po Bledari është i përgatitur me 3 fakultete. Bledari është pa shtëpi. Jeton këtu me ne. Ka punuar te Presidenti, në Gardë… Nëse do të merrej me këto që thuhet si do të merrej në ato pozicione pune?!”, tha ajo.
Fatbardha shprehet e frikësuar se e gjithë “zhurma” mbi Bledarin dhe rolin e tij në ngjarje mund të ndikojë për keq në shëndetin e tij.
“Them se mund të kalojë në depresion me këto që po i vejnë. Nuk na lejojnë ta takojmë përditë po të dhënat i kemi marrë nga mjeku që është më mirë. Tani e kanë dërguar në QSUT te Spitali i Burgut, ndërsa djali i vogël është në Peqin. As me të nuk kemi folur”, shprehet nëna e Bledarit.
Nëna e 2 vëllezërve e cilëson këtë si një sulm politik ndaj të birit si pjesë e strukturës shtetërore. Ajo ka komentuar edhe foton e Bledarit me viktimën, foto e cila sipas saj është një montazh, pasi ata nuk e njihnin njëri-tjetrin.
“Si nënë nuk e besoj që kjo të jetë e vërtetë, them se u bë kaq mediatike për arsye politike. Meqë ka detyrën si person publik i shtetit. Këtu sulmohen gjithmonë ata që janë në punë dhe jo ata që rrinë nëpër rrugë. Nuk e besoj që Bledari të ketë foto me viktimën. Është një montazh, një bashkim fotosh për të bërë lidhjen mes tyre. Ai ka qenë person i dënuar”, deklaroi ajo.
Sa i përket dozave të kokainës të gjetura në apartamentin e tyre, Fatbardha shprehet se ato përdoreshin nga bashkëshorti i saj për arsye shëndetësore.
“Në shtëpi u gjendën 7 doza të vogla që i përdor burri im si qetësues për dhembjen e kokës. Ai i ka siguruar vetë ato diku në Laprakë. Tani vonë i ka filluar se nuk po i duronte dot dhembjet e kokës. Ka pësuar një aksident të rëndë dhe e ka jetë të dytë këtë”, tregon ajo.
Që nga dita kur ndodhi ngjarja Fatbardha nuk ka dalë më nga shtëpia. Ndjehet nën presion
Nëna e policit shpreh bindjen e plotë se i biri e kreu vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes.
“Dihet kush është ai që u vra. Le ta merrte policia në dorë. Pse e la atë?! Pse e akuzojnë Bledarin pse e vrave?! Po vetëmbrojtje është. Kushdo që ka përballë një që do ta gjuajë si do të reagojë?! Do të mbrosh veten përballë një krimineli. … Ne nuk e kemi pasur e as do ta kemi këtë traditë të vrasjes. Ishte aksidentale. Ai u mbrojt”, shprehet Fatbardha.