Nga: Xhezair Zaganjori
Pak ditë më parë, ndërsa lexoja lajmet e ofruara nga CNN, më tërhoqi vëmendjen njoftimi se brënda këtij muaji (shtatorit), shtëpia e njohur botuese anglo – amerikane “Penguin Books” do të prezantojë ndër të tjera edhe librin e saj më të ri “Ditari i Renias” (Renia’s Diary). Bëhet fjalë për ditarin e adoleshentes polake me origjine çifute Renia Spiegel, e cila në Korrik të vitit 1942, në moshën 18 vjeçare, u vra barbarisht nga pushtuesit nazistë, të cilët e zbuluan të fshehur në tavanin e një shtëpie të braktisur. Flitet se libri do të ketë sukses të jashtëzakonshëm, pasi ngjason shumë me ditarin e famshëm të Ana Frankut, si përsa i përket përmbajtjes ashtu edhe informacionit, zgjuarësisë, qartësisë, aftësisë dhe muzës së jashtëzakonshme letrare të kësaj vajze fatkeqe.
Ditari ështe shkruar në vendlindjen e saj, qytetin Przemysl në juglindje të Polonisë, i cili fillimisht u mbajt i pushtuar nga Bashkimi Sovjetik, deri sa gjermanët e sulmuan këtë të fundit(BS) më 22 Qershor të vitit 1941. Siç dihet, marrëveshja famëkeqe e mossulmimit dhe ndarjes së Polonisësi dhe zonave të tjera të influencës ndërmjet BRSS dhe Gjermanisë, nenshkruar ne Moske nga Molotov dhe Ribentrop me 22 Gusht 1939, nuk e pati jetën e gjatë. Ditari i Renias është mbajtur për tre vite, nga vera e vitit 1939, deri në verën e vitit 1942.
Ai fillon me ngjarjet e vitit 1939, që janë pushtimi nga rusët, mobilizimi i përgjithshëm “sekret”, mungesat e ushqimeve, frika e luftës, e të tjerë, duke vazhduar më pas me pushtimin gjerman dhe zhvillimet e dhunshme e rrënqethëse të viteve 1941 e 1942…Ndër të tjera, ne Qershor 1942, ajo shkruan se “..kudo që shoh ka vetëm gjakderdhje. Eshtë një pogrom i tmerrshëm. Ka dhunë, vrasje e masakra. Zot i Plotfuqishem, ju përgjërohem pafund me përulësi. Na ndihmo! Na shpëto! Zot i madhërishëm, më le të jetoj, ju lutem, dua të jetoj! Kam jetuar shumë pak. Nuk dua të vdes. Kam frikë nga vdekja. Gjithçka më ngjason me një marrëzi të pafund, kaq të ngushtë, kaq të parëndësishme, kaq të vogël. Sot jam e shqetësuar për pamjen time si vajzë, por neser unë mund të ndaloj së menduari përgjithmonë……”.Me një parandjenjë të çuditshme, pak ditë para ekzekutimit mizor, Renia ia dha ditarin të dashurit të saj të parë e të fundit, Zygmund Schwarzer. Ai arriti ta linte diku për ruajtje, sepse shumë shpejt edhe ai vetë do të kapej e do të dërgohej në Aushvic, të cilit i mbijetoi. Pas luftës, ditarin ai do t’ja dorezonte motrës dhe nënës së Renias, të cilat, pas peripecive të shumta, jetonin tashmë në New York. Për shkak të përshkrimeve të frikshme, të tmerrshme, reale por tepër të dhimbshme, ato vendosën jo vetëm të mos e bëjnë publik, por edhe të mos e lexojnë tërësisht.
Prandaj, ditarin e njeriut të tyre më të dashur e depozituan për ruajtje në kasafortën e një banke. Vetëm pak kohë më parë, pra pas rreth 70 viteve, mbesa e Renias, vajza e motrës së saj, pasi u njoh me këtë histori, vendosi të bashkëpunojë me shtëpinë botuese në fjalë. Nga ana tjeter, kriza në Lindjen e Mesme, e veçanërisht marrëdhëniet e Izraelit me vendet arabe në këtë rajon, vazhdon të mbetet që nga viti 1948 si një nga shqetësimet më serioze jo vetëm për rajonin, por për të gjithë politikën botërore, veçanërisht për atë amerikane. Presidenti Trump e përcaktoi këtë çeshtje pak ditë më parë si tepër prioritare. Ai premtoi se deri në fund të këtij viti, ShBA do të bëjnë ç’është e mundur për të dalë me një plan konkret që do të nxisë gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme e të dobishme për të gjitha palët. Këtij angazhimi për arritjen e një paqeje të qëndrueshme i shtohet edhe deklarata e Presidentit amerikan, bërë po në këto ditë, lidhur me përfundimin e mundshëm të një traktati dypalësh me Izraelin për mbrojtje reciproke.
Këto ishin dy shtysat që më kujtuan një fjalim brilant të ish Prezidentit izraelit Ezer Weizman, mbajtur në Parlamentin gjerman në vitin e largët 1996. Unë isha i pranishëm në këtë ceremoni për shkak të detyrës si ambasador, dhe mbaj mend që ashtu si shumë e shumë të tjerë, u emocionova pa fund. Kërkova dhe e gjeta këtë fjalim me shënimet përkatese. Eshtë me të vërtete një fjalim i jashtëzakonshëm, impresionues dhe informues mbi historinë, jetën, kulturën, gjuhën, traditat dhe problemet e vjetra dhe aktuale të Izraelit dhe të të gjithë rajonit. Ai përshkohet nga fryma e një patriotizmi realist, nga kultura dhe idetë e një filozofie të thellë, nga mendimi i qartë i përgjegjshëm i një kryetari shteti, që ka një dashuri të sinqertë e të pafund për vendin dhe popullin e tij, duke patur si shqetësim kryesor arritjen e paqes në rajon, si një detyrim madhor që do të mund të garantonte ndërprerjen e gjakderdhjes, zhvillimin e rajonit dhe jetën normale të të gjithe popujve në Lindjen e Mesme, për sot dhe për gjeneratat që do të vijnë. E ne fakt natyrshem kjo ka qene teme qendrore edhe gjate fushates elektorale te ketyre diteve per zgjedhjet parlamentare ne Izrael. Pikërisht për këto arësye mendova ta përkthej e botoj këtë fjalë në shtypin periodik.
Fjala e Presidentit izraelit Ezer WEIZMAN në Parlamentin (Bundestagun) e Republikës Federale Gjermane – Bon, 16 Janar 1996.
I nderuar zoti Roman Herzog, President i Republikës Federale Gjermane,
E nderuara zonja Rita Sussmuth, Presidente e Bundestagut,
I nderuari zoti Helmut Kohl, Kancelar i Republikës Federale Gjermane,
Të nderuar anëtarë të Bundestagut dhe Bundesratit, anëtarë të Trupit Diplomatik të akredituar në Gjermani, të nderuar pjesëmarrës!
Ka qenë fat i madh për mua e bashkëmoshatarët e mi që u lindëm në këtë periudhë, gjatë së cilës çifutet u kthyen e rikrijuan atdheun e tyre. Unë nuk jam më endacak që migron nga një shtet në tjetrin, nga ekzili në ekzil. Por megjithatë, çdo çifut i çdo gjenerate duhet të imagjinojë sikur ka qenë edhe vetë ai bashkëudhëtar me gjeneratat e kaluara, bashkëudhëtar në vëndet dhe ngjarjet e mëparshme. Ndaj edhe unë ende vazhdoj të jem një çifut endacak, por jo përmes rrugëve të pafund të kësaj bote. Tani unë migroj në thellësinë e kohës, nga gjenerata në gjeneratë, përmes rrugëtimit të memories sime. Dhe memoria i shkurton distancat. Ndaj dua të theksoj që në fillim se kanë kaluar 200 gjenerata që kur populli im krijoi për herë të parë qënien e tij. E mua kjo më duket sikur ka ndodhur vetëm pak ditë më parë. Vetëm 200 gjenerata kanë kaluar që nga koha kur një njeri me emrin Abraham mori vendimin për të lënë vendlindjen e tij për vendin që sot është edhe i imi. Vetëm 200 gjenerata kanë kaluar që nga dita kur Abraham bleu Shpellën Makhpela në qytetin Hebron, që pasoi konfliktet vdekjeprurese që kanë ndodhur atje gjatë gjithë gjeneratës sime. Vetëm njëqind e pesëdhjetë gjenerata kanë kaluar nga koha e pishtarëve të zjarrit që shoqëruan eksodin në Egjypt, deri tek pishtarët e tymit që shoqëruan Holokaustin. Dhe unë, një pasardhës i Abrahamit, i lindur në vendin e Abrahamit, i kam përjetuar të gjitha këto ngjarje.
Unë kam qënë skllav në Egjypt. Unë e kam pritur Torah-un në Lartësine Sinai. Së bashku me Joshuan dhe Elijan kam kaluar lumin Jordan. Kam hyrë në Jeruzalem së bashku me Davidin, u detyrova të iki nga ky qytet së bashku me Zedekian, por pa e harruar atë, edhe pse u vendosa buzë lumenjve të Babilonisë. Kur Zoti i Madhërishëm i ktheu të burgosurit e Zion-t, unë ëndërrova që përmes ndërtimeve të mbroj ekzistencen e tij. Unë luftova romakët dhe u dëbova nga Spanja. Mua më lidhën në një shtyllë në Mainz. Unë studjova Torah në Jemen dhe humba familjen në Kishinev. Unë u dogja e u bëra hi në Treblinka, u rebelova në Varshavë dhe më pas emigrova sërish në Tokën e Izraelit, vendi ku dikur u përzura, vendi ku kam lindur, vendi nga i cili kam origjinën dhe tek i cili u riktheva.
Jam një çifut endacak që kërkon rrënjët e paraardhësve të tij, të cilët sapo i shoqërova në rrjedhën e historisë. Kështu po bëjnë sot edhe vete paraardhësit e mi, duke më shoqëruar e duke qëndruar me mua në këtë sallë së bashku me ju. Një vështrim i mprehtë nga ana juaj mund ti dallonte ato: një shpurë e tërë me profetë dhe fshatarë, mbretër dhe rabi, shkencëtare dhe ushtarë, zanatçinj dhe fëmijë. Disa kane vdekur për shkak të moshës, të shtrirë në shtrat. Të tjerë janë bërë hi nga flakët. E të tjerë kanë rënë në fushëbetejë nga shpata.
Pikërisht, ashtu sikurse memoria na krijon mundësinë të marrim pjesë në çdo ditë dhe në çdo ngjarje të së shkuarës, ashtu edhe virtyti i shpresës na detyron të përgatitemi për çdo ditë të së ardhmes sonë. Sepse mbi të gjitha, vetëm gjatë shekullit të kaluar, fati ynë ka qenë disa herë i varur ndërmjet jetës dhe vdekjes, ndërmjet shpresës dhe dëshpërimit, ndërmjet shpërnguljes dhe shfarosjes. I yni është shekulli i tmerrshëm i vdekjes, gjatë te cilit nazistët dhe përkrahësit e tyre zhdukën një pjesë të madhe nga ne, përmes Holokaustit. Por ama është njëhkohësisht edhe shekulli i mendimit dhe luftës për mbijetesë, shekulli i pavarësisë, dhe së fundi edhe shekulli i shanseve për paqe.
Asnjëherë më parë një President i shtetit të Izraelit nuk ka folur në këtë tribune të nderuar. Ju falenderoj shumë per nderin që na keni bërë, dhe jam i lumtur që shikoj nga këtu fytyra të njohura dhe miqësore.
Zoti President, Zonja Kryetare e Bundestagut, zoti Kancelar: Izraeli kujton me shumë kënaqësi vizitat tuaja tek ne si dhe sinqeritetin që keni shprehur si për ngjarjet e së kaluarës ashtu edhe për shpresat e miqësisë e bashkëpunimit në të ardhmen. Ju ishit me ne gjithashtu në kohën e vështirë kur i dhamë lamtumirën e fundit Kryeministrit Yitzhak Rabin, i cili u vra për shkak të përpjekjeve të tij për paqe. Yitzhak Rabin ishte një nga udhëheqësit kryesorë të rrugës së paqes. Unë shpreh gjithashtu falenderimet dhe bekimin tim për miqësinë dhe bashkëpunimin që mbisundon sot ndërmjet Izraelit e Gjermanisë, gjë që reflektohet në shumë sfera të ekonomisë, sigurisë dhe çështjeve kulturore, së bashku me një aspekt tjetër që e kam shumë për zemër – kërkimin shkencor. Kërkues të shumtë gjermanë e izraelitë po shkëmbejnë ekspertizat dhe dijet e tyre në shumë fusha. Ndihma gjermane në kërkimin shkencor ne Izrael është një nga faktorët që vlerësohet jashtëzakonisht shumë nga qytetarët izraelitë.
Megjithatë, zonja e zotërinj, vizita ime në Gjermani nuk është një vizitë e lehtë. Kanë kaluar vetëm 50 vite, një moment i shkurtër në historinë e gjatë të popullit tim, që nga mbarimi i luftës së tmerrshme. Nuk ishte e lehtë për mua të vizitoja sot kampin e përqëndrimit të Sachenhausen. Nuk është e lehte për mua të qëndroj këtu e të flas me ju miqtë e mi, pikërisht në këtë godinë. Çifutët kanë jetuar në Gjermani për më shumë se një mijë vjet. Komuniteti çifuto – gjerman ka qenë komuniteti më i vjetër çifut në Europë, deri sa nazistët e shkatërruan atë. Nga tregtaret e parë që erdhën këtu që në kohën kur shkelën romakët, deri tek shkencëtaret e shekullit të njëzetë. Nga Kalonymos deri te Mendelssohn. Nga shpifjet e përgjakshme që u bënë në Fulda, deri tek horrori i Natës së Kristaltë. Nga bexhet e turpit në trup, deri tek shiritat e verdhë në krahë. Nga letrat anti – semite te Martin Luther-it, deri tek ligjet antihumane të Nyrenbergut. Nga komentaret e Rashi-t, tek poemat e Heinrich Heine e Rabbeinu Gershomit…Po kështu, Walther Rathenau, Martin Buber, Franz Rosenzweig, Albert Einstein, janë vetëm disa nga emrat që i ka njohur ky vend, Gjermania. Mes miliona fëmijeve të popullit tim që nazistet i çuan drejt vdekjes, do të mund të kishin qënë patjetër edhe plot emra të tjerë që do ti kishim përmendur sot me të njëjtën shkallë vlerësimi dhe admirimi.
Por ne nuk i dimë emrat e tyre. Sa libra të pashkruar vdiqën së bashku me to? Sa simfoni të pakompozuara u asfiksuan në trupin e tyre? Sa zbulime shkencore nuk arritën të piqen në intelektin e tyre fëminor? Dhe çdonjeri prej tyre është vrare dy herë; njëherë si fëmijë që u dërgua forcërisht nga nazistët në kampet e përqëndrimit dhe njëherë si i rritur që do të bëhej në një të ardhme të afërt. Nazistët i vodhën ato jo vetëm nga familjet dhe populli i tyre, por nga i gjithë njerëzimi. Unë, si President i Izraelit, mund të dëshpërohem shumë për to dhe mund ti përkujtoj, por unë nuk mund të fal në emër të tyre. Unë vetëm mund të kërkoj që ju, anëtarë të Bundestagut e Bundesratit, duke njohur plotësisht të kaluarën, të shikoni me shume kujdes të ardhmen. E keni ju në dorë të dalloni çdo manifestim të racizmit, të frenoni çdo shprehje të neo – nazizmit, të dini të identifikoni me kurajo këto fenomene dhe ti largoni ato nga gjiri juaj, sepse përndryshe ato rriten dhe përhapen.
Zonja e zoterinj, unë mendoj se edhe per ju, një vizitë e Presidentit të Izraelit në Gjermani paraqet njëhkohësisht edhe disa vështirësi. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se ne takohemi këtu jo si individë privatë, por si të dërguar të shteteve sovrane. Ne duhet të identifikojmë interesat e përbashkëta, në mënyrë që të ecim përpara për arritjen e objektivave që i kemi vënë vehtes.
Unë jam një çifut endacak. Me mantelin e kujtesës rreth shpatullave të mia dhe një tufë me shpresa në dorë, unë qëndroj në mes të këtij kryqezimi të madh kohor në fund të shekullit të njëzetë. Unë e di nga vij dhe me shpresë e shumë kujdes përpiqem të gjej se ku duhet te shkojmë. Shteti i Izraelit është ne mes të një procesi që është inkurajues dhe ngacmues, por njëhkohësisht edhe shqetësues dhe i frikshëm. Ai ka marrë ndërkaq jetet e arkitektëve të paqes, Kryeministrit të Izraelit Yitzhak Rabin, vrarë me gjakftohtësi nga një armik i paqes, dhe para tij, atë të Presidentit të Egjyptit, Anwar Sadat. Procesi i paqes është sfida më e madhe që na paraqitet neve që nga krijimi i shtetit çifut. E tani ne jemi pikerisht në mes të këtij procesi.
Zoti President, zonja dhe zotërinj: Për më shumë se një shekull jemi përpjekur, kemi shpresuar dhe kemi luftuar që kjo paqe të arrihet. Ne nuk u kthyem tek kufijtë tanë të dikurshëm me anije lufte. Ne nuk u kthyem në shtëpitë tona duke tundur heshtat. Ne u kthyem si një varg i gjatë ëndërrimtarësh dhe me varkat e refugjatëve të shtypur. Dhe ashtu si paraardhësi ynë Mbreti David që bleu Tempullin Mount si dhe Patriarku ynë që bleu Shpellën Makhpela, edhe ne u kthyem dhe blemë sërish tokë, mbollëm fusha, krijuam vreshta, ndërtuam shtëpi. Por nga ana tjetër, para se të fitonim shtetësinë, ne mbanim edhe armë në dorë për të mbrojtur jetët tona.
Kaloi koha e përsëri ne shtrimë dorën për paqe, por përsëri u refuzuam. Kaloi koha e përsëri ne shkuam në luftë. Kaloi koha e përsëri ne vramë dhe u vramë. Kaloi koha e përsëri ne braktisëm shtëpitë, zyrat, universitetet dhe pemishtet tona për tu kthyer në fushën e betejës. Kaloi koha dhe përsëri ne zbuluam se edhe përtej fitoreve më të mëdha, mund përvidhen vetëm kriza dhe humbje.
Ne e dëshirojmë këtë paqe. Ne e duam dhe lutemi për të. Kjo konstatohet në çdo fazë të mendimit çifut: në Torah, në Psalm, në Talmud, në komentarët, liturgjitë dhe predikimet tona. Pikërisht për këto arsye, përtej përpjekjeve të pareshtura për paqe dhe mendimit për të rikujtuar historinë, veçanërisht të episodeve më të tmerrshme të saj që i kane ndodhur vendit tonë, ne duhet te jemi te durueshem dhe praktike. Prandaj ne merremi me kete proces te ndjeshem e delikat të mbushur me plot shpresë, por njëhkohësisht edhe me gjakftohtësi e zgjuarësi. Organizatat terroriste dhe shtetet islamike ekstremiste duan ta sabotojne procesin, ashtu siç bëjnë elementë ekstremistë edhe në mjedisin tonë. Atmosfera është e ngarkuar. Gjërat nuk janë të lehta jo vetëm sepse ekstremizmi vdekjeprurës po përpiqet ta shkatërroje këtë paqe, por gjithashtu sepse pikërisht edhe ato që e duan paqen janë të shqetësuar e shumë të ndjeshëm per shkak se në të dy kampet ka ende plagë të pashëruara dhe kujtime të hidhura e të freskëta. Gjaku ende na thërret për revansh.
Shumë traktate për paqen jane nënshkruar në rrjedhën e historisë. Ato merren me çështje ekonomike, çështje të sigurisë, çështje të kompensimit apo çështje të kufijve. Kur isha Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Izraelit, mora pjesë në bisedimet për paqe me Egjyptin, dhe unë mund t’ju tregoj se në traktatet e paqes në Lindjen e Mesme, ne jemi shumë të ngurtë rreth këtyre çështjeve, por jo vetëm rreth tyre. Në rastin tone është edhe çështja e tokës së shenjtë, varreve të shenjta dhe luftrave të shenjta. Kujtimet nga koha e Joshuas, Kalorësit Templar, Pontius Pilatit dhe Saladinit, qëndrojnë gjithnjë pezull mbi tavolinën e bisedimeve.
Marrëveshja jonë më e fundit me Palestinezët ka një dispozitë mbi çështjen e arsimimit dhe edukimit të të dy popujve për një jetë paqësore. Në Lindjen e Mesme, ku ekzistojnë gjurmë të vjetra të hakmarrjes e ngatërresave shekullore, kërkohet një kujdes edhe më i madh. Mendja përpiqet të jetë praktike dhe e arësyeshme. Ajo dëshiron shume të ndërtojë të ardhmen. Megjithatë, këmba shkel në gjurmët e gjeneratave të shkuara, ndërsa duart janë ato që ndërtuan rrethinat e Jeruzalemit në kohën kur u rikthyen çifutët. Por puna u bë vetëm me njërën dorë, sepse në dorën tjetër duhej shtrënguar arma.
Mos e merrni këtë kaq lehtë. Ne po përpiqemi të arrijmë një paqe që do të na shoqërojë ne në shekullin e 21-të. Por hartat e kryqëzatave të vjetra të varura në mur, ashtu si edhe kujtimet biblike, rrijnë pezull në ajër, në një kohë që profecitë e lashta përpiqen të realizojnë vetvehten. Të ulura me ne në tavolinën e bisedimeve, ato na vështrojnë me vëmendje. Janë mysafire që vijnë nga koha e lashtë. Janë përfaqësues të epokave të shkuara. Janë Joshua dhe Davidi, Profeti Muhamet dhe Jezu Krishti. Nganjëherë, barra që duhet mbajtur në këto bisedime është tepër e rëndë. Megjithatë, pavarësisht vështirësive e dhimbjeve, ato duhet të jenë burim i fuqisë dhe shpresës sonë. Le të kujtojmë se kjo tokë e shenjtë përbëhet jo vetëm nga vende të shenjta, por edhe nga shtëpi dhe fusha, fabrika, shkolla e punishte. Nuk ka aty vetëm varreza dhe trupa të vdekur, por gjithashtu njerëz që jetojnë, fati i të cilëve është në duart tona.
Në vitin 1977, President i Egjyptit Anwar Sadat dhe Kryeministri i Izraelit Menachem Begin u takuan në Jeruzalem. Më pas u nënshkrua një traktat paqeje në Egjypt, një traktat që unë e njoh mirë personalisht. Që nga ajo kohë ne kemi përfunduar një traktat paqeje me Jordaninë, kemi nënshkruar marrëveshjen e Oslos me Palestinezët, kemi krijuar dialog dhe marrëdhënie ekonomike me vendet arabe dhe jemi futur në kontakt për paqe me Sirinë – kontakte që në asnje mënyrë nuk janë të lehta. Ka një dritë shpresë në ajër, por ne nuk duhet ta kthejmë atë në diziluzion. Të dy popujt ende janë të ftohtë me njeri tjetrin. Është ndërtuar një urë mirëkuptimi, por akoma kemi shumë punë për ta përfunduar atë dhe për tu siguruar se struktura e kësaj marrëdhënie është e qëndrueshme.
Ne i respektojmë vendet fqinje si dhe kulturën që na rrethon, por ne duam që edhe ne të kemi pozicionin tonë mes tyre, mënyrën tonë të jetesës, duke ju qëndruar besnik vlerave dhe kulturës sonë. Ju zonja dhe zotërinj, që keni dhënë një kontribut kaq të rëndësishëm për fuqizimin e shtetit të Izraelit si dhe për proçesin e paqes, e dini mirë që të dyja janë të ndërthurura mes tyre dhe se vëtëm për shkak të fuqisë së tij, shteti i Izraelit është në gjëndje të çojë përpara proçesin e paqes.
Unë e kam fjalën jo vetëm për fuqinë ushtarake dhe vlerat materiale. Në shekullin e fundit, pasi u kthyem në tokën tonë, ne kemi ndërtuar jo vetëm fshatra e qytete, fabrika e kasolle, dyqane e baza ushtarake. Ne kemi instaluar gjithashtu një qeverisje demokratike e kemi ndërtuar një sistem masiv kulturor dhe edukimi: shkolla, institute kërkimi, librari, muze, konservatore dhe universitete. Por për ti berë të gjitha këto – që ekzistojnë ne çdo shtet të civilizuar – ne kemi realizuar një mrekulli unike kulturore, rigjallërimin e gjuhës sonë, gjuhës hebraishte. Është gjuha me të cilën unë jam duke folur tani, është gjuha që më shumë se çdo gjë tjetër simbolizon dhe dëshmon mbijetesën tonë.
Ne dhe gjuha jonë jemi tashmë sërish gjallë. Ne si njerez u ringjallëm nga hiri. Po ashtu, edhe gjuhës ju desh të priste shumë gjatë në qefinët e pergameneve të Toras, vendosur mes faqeve të librave të shenjtë. E qe të dy pra jemi gjallë sot. Gjuha që pëshpëritej vetëm përmes lutjeve, që lexohej vetëm në sinagoga, që këndohej vetëm në liturgji, që klithej në dhomat e gazit përmes lutjes “Shma Yisrael”, ka mbijetuar. Unë e di se gjuha gjermane është më e pasur se ajo hebraishte në shumë drejtime. Por ama mua nuk më mungojnë fjalët që të shpreh ndjenjat e mia. Çifutëve nuk u kanë munguar kurrë fjalët për të shprehur besimin, dashurinë, ëndrrat, mallin dhe shpresat e tyre. Ne kemi zhvilluar një fjalor të përshtatshëm për nevojat tona. Ne shpresojmë, ne çmallemi, ne shprehim dëshira, ne parashikojmë, ne aspirojmë, ne kemi etje, ne lakmojmë, ne imagjinojmë….. Do të ndalem këtu për ti kërkuar ndjesë përkthyesve, pasi mund ta kenë të vështirë të zgjedhin në përkthim fjalët e përshtatëshme.
Këto dy kadavra pra që mbijetuan pas kaq shumë viteve, shteti çifut dhe gjuha hebraishte, janë në fakt vetë thelbi i jetës sonë në këtë shekull. Ne arritëm të ngriheshim sërish pas gjithë atyre shekujve që na panë të rrënuar apo edhe të vdekur. Dhe tani ne përdorim pikërisht këtë gjuhë, të cilën në mërgim ne e përdornim për të komunikuar vetëm me Zotin dhe me njëri tjetrin.
Sigurisht që ne ende lutemi në gjuhën hebraishte, por tani e përdorim atë edhe për të folur, për të shkruar, për të punuar e studjuar, për të shfaqur mendime, për të kundërshtuar njëri tjetrin si dhe për të kënduar. Dhe kjo mrekulli do të ishte edhe më e madhe nëse Isaiah, Solomoni dhe Jezusi do të ishin këtu me ne sot, pasi do ta kuptonin se çfarë jam duke thënë, ashtu si edhe unë, vajza dhe nipat e mi kuptojnë fjalët e tyre, të folura dhe të shkruara, të ruajtura në të njëjtën gjuhë për mijëra vjet me radhë.
Zoti President, zonja e zotërinj: Ju falenderoj edhe njëherë për mikpritjen që i rezervuat gruas sime, mua dhe shoqëruesve tanë. Me lejen tuaj do të doja ta përfundoj fjalën time me një thënie biblike lidhur me shpresën dhe paqen. Paraardhësit e mi e përshkruanin paqen me një shprehje hebraishte që e ka përjetuar çdo fermer në Lindje të Mesme. Ajo thotë se “çdo njeri nën hijen e hardhisë së vet dhe nën gjethet e fikut të vet”. Është me të vërtetë një shprehje e bukur, por tashmë nuk është e mjaftueshme të pushosh nën hijen e hardhisë tënde ose nën degët e fikut tënd. Paqja duhet të jetë dinamike dhe jo e plogësht. Ajo duhet të na shoqërojë drejt milleniumit të pestë të historisë sonë, në shekullin e njëzet e njëtë, ku na presin sfida të reja kulturore, edukimi, teknologjike, shkencore dhe bujqësore.
Izraeli i sotëm, me fluksin e madh të migrantëve, bumin e vet ekonomik dhe me përfundimin e traktateve të paqes, mund dhe duhet të rigjejë pozicionin e vet si qëndra kulturore dominuese e popullit çifut.
Ne kemi investuar shumë kohë, burime, përpjekje fizike e psikologjike në fushën e betejës. Tani kemi për të bërë shumë punë në shkollat tona, institutet e kërkimit, aktivitetet shkencore dhe në laboratore. Aspirata jonë e vërtetë është pikërisht aty dhe jo në fushëbetejë. Synimi ynë kryesor është të përqëndrohemi në studim dhe edukim. Etika çifute ka preferuar gjithnjë penën para shpatës, dhe si një ish ushtarak, më besoni se nuk është kaq e lehtë për mua për të bërë një deklaratë të tillë.
Zonja e zotërinj, ne jemi një popull që kujton dhe lutet. Ne jemi një popull i fjalës dhe shpresës. Ne nuk kemi krijuar as perandori dhe nuk kemi ndërtuar as keshtjella dhe pallate mbretërore. Ne vetëm kemi vendosur fjalët mbi gjithçka. Ne kemi projektuar ide e kemi ndërtuar memoriale. Po keshtu, kemi ëndërruar një mal me dëshira për rindërtimin e Jerusalemit, të Jeruzalemit të bashkuar, për një paqe që do të ishte e lehtë dhe e shpejtë në ditët e sotme. Amen. /Gazeta Liberale