Nga Genc Pollo:
Fatura Becchetti që duhet të paguajë Shqipëria pas humbjes së davasë në arbitrazhin e Washington D.C. në plot aspekte është më e rënda që deri më sot ka shkaktuar marrëzia e kryepushtetarit dhe mosndërgjegjia e ndonjë ofiqari. Fillimisht dëmshpërblimi 110 milion Euro që do të shlyejnë taksapaguesit është më i madhi në historinë tonë. Por edhe dëmi nga vjen nga nami i një qeverie që arbitrarisht e selektivisht mbyll mediat dhe bizneset nuk është i pakët. Kjo më shtyu, që bazuar në kujtimet e hulumtimet e mia të shkruaj këto radhë duke përfshirë edhe një rekomandim.
1-Ervis Çekani dhe mundësimi i transparencës qeveritare
Nuk e di se kush është Ervis Çekani por më duhet të njoh aftësinë e këtij personi, për të detyruar qeverinë ose le të themi Kryeministrin e Republikës të njoftojë publikun për çështje shumë të rëndësishme; është fjala për 110 milion euro të cilat shteti shqiptar duhet t’i paguajë biznesmenit italian Francesco Beccheti në vijim të një vendimi nga një arbitrazh ndërkombëtar. E shprehur pak më ndjeshëm në favor të zotërisë së tij çdo banor i Atdheut do të paguajë nga xhepi 40 euro ose çdo madhor 50 euro.
Duhet të shtoj, pa ndonjë gëzim të madh, se aftësia e z. Çekani tejkalon atë të opozitës, medias e shoqërisë civile të marra së bashku. Këto të fundit me të marrë këtë lajm në mes të majit, në hapësirën e vëmendjes që tepronte nga mitingjet e votimet, kërkuan që qeveria te jepte sqarime e të mbante përgjegjësi. Më kot! Asnjë fjalë nga qeveria. U desh më tre gusht komenti i Ervis Çekanit “(po mbledh) lekët që ke me i dhon Agon channel…..” poshtë një postimi në Facebook të Kryeministrit për domosdoshmërinë e kuponit tatimor që ky i fundit të gjegjej flakë për flakë e të sqaronte se “…kjo qe thua ti është muhabet pa lidhje dhe i gjyq s’ka mbaruar….”
Qeveria nuk ishte kaq fjalëpakë e delfike në janar 2018. Atëherë ministria e linjës një njofim-shtypi njëfaqësh bëri me dije se kishte fituar në arbitrazhin ndërkombëtar (ICC) mbi Becchetin për çështjen e hidrocentralit të Kalivaçit: pretendimet e tij prej afro 170 milion euro ishin rrëzuar dhe në një vendim të dytë do të përcaktohej dëmshpërblimi që ai do të duhet t’i paguante Shqipërisë. Për këtë të fundit nuk kemi parë gjë akoma.
Por meqë kundërkomenti kryeministror në Facebook nuk mjafton për të kuptuar çfarë ndodhi hulumtova në disa website të specializuara në çështje arbitrazhi të cilat njoftojnë se Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (International Centre for Settlement of Investment Disputes ose ICSID) një tribunal arbitrazhi e themeluar në 1966 pranë Bankës Botërore e cila gjykon çështjet midis një shteti dhe një investitori, ka vendosur që Shqipëria të dëmshpërblejë Becchetin e ortakët e tij në masën 110 milion euro (nga 650 milion të pretenduara në total nga ata për disa çështje). Arsyetimi i vendimit ishte se sekuestrimi e shpronësimi i kompanisë televizive Agon Channel në mes të vitit 2015 ishte i paligjshëm dhe një kulm i fushatës politike të qeverisë kundër pronarit të kompanisë.
Websiti i ICSID, përveç se njoftimit mbi vendimin përfundimtar në 24 prill 2019 ka edhe vendime të ndërmjetme të tribunalit të cilat i rekomandojnë qeverisë të ndërpresë procedimin penal ndaj Becchetit dhe të anulojë sekuestrimin e Agon TV.
Ndërkohë me katër VKM në vitet 2015 e 2016 qeveria ka miratuar afro 4 milion euro për studiot avokatore të huaja të pajtuara prej saj në këtë çështje. Avokatët shqiptarë të nënkontraktuar nga këta të fundit janë temë për një herë tjetër.
Kundërkomentin kryeministror se “…(a)i gjyq s’ka mbaruar….” mediat e komentuan gjerësisht se qeveria do të apelonte vendimin e ICSID-it. Por siç lexova në statutin e kësaj gjykate dhe siç më sqaruan njëzëri e paekuivok ekspertët aty nuk ka apelim.
Unë nuk do t’i këshilloja opozitës, medias e shoqërisë civile të harxhojë energji e kohë për të detyruar qeverinë të sqarojë misterin e mosmbarimit të gjyqit. Mbetem me shpresë se ndonjë ditë në Facebook z. Çekani sërish do të godasë nervin e fshehtë të kryeministrit dhe e vërteta, qoftë edhe me pikatore, do të na shfaqet përsëri.
2-Andi Bejtja e ligji i pasojave të pasynuara
Në verë 2015 Andi Bejtja, me parashikim goditës, më thoshte se sherri i Ramës me Becchetin do t’i kushtonte Shqipërisë mbi njëqind milionë euro. Ishim takuar në kryqëzimin e rrugëve Ismail Qemali e Ibrahim Rugova, dmth. diku në Bllok, Ai, ashtu si Fatos Lubonja, Sonila Meço, Adi Krasta e 500 punonjës të Agon Channel, kishin humbur vendin e punës me mbylljen e televizionit. “A mendon ti se Rama do të japë dorëheqjen atëherë? Se nuk ka si të rrijë më akoma, apo jo?” vijoi ai. Unë nuk besoja në një përgjigje që mund të kënaqte Bejten e mërzitur dhe në përgjithësi nuk i pëlqej parashikimet fallxhoreske. Por nëse reagimin e kryeministrit edhe mund ta hamendësoja – e sotmja mbase më jep të drejtë- motivet e tij mbeten më interesante për t’u hulumtuar.
Një pakicë studiuesish është e mendimit se udhëheqës që kanë sjellë tragjedi mbi popujt e tyre si Robespierre, Lenini e Hitleri kanë qenë njerëz plotësisht të bindur se ideja e tyre, e realizuar sidomos përmes krimeve ngjethëse, do të krijonte një shoqëri të drejtë e me gjasë edhe të lumtur; në çdo rast me pushtetin absolut të tyre si strumbullar i gjithçkaje. Kjo pandehmë, e reduktuar në përmasën modeste të personazhit homolog në Shqipëri dhe e përshtatur me dimensionin vulgar të lakmisë personale, jep një shembull të veçantë të relativizmit e të banalizimit të së keqes. A ishte sulmi ndaj Agon Channel një shans që në sherr e sipër me Becchetin për shkak të Kalivaçit etj., etj., të mbyllte edhe një media jashtë kontrollit e me prirje kritike? “Kaq mjaftonte e tepronte për atë; mos u lodh me të tjera!” më thotë një veteran i ojëfizmit shqiptar.
Por edhe presioni i dy televizioneve kombëtare private, të cilave Agon Channel u “prishi” tregun, edhe inati i italianëve për kusuret e Becchetit me kompaninë ENEL edhe të tjera shtysa të mundshme por të panjohura, mund të jenë bërë kapicë në kokën e kryeministrit e nuk kanë lënë vend për skepsisin e shëndetshëm e autofrenimin shpëtues. Dhe kemi kështu një rast që mund të sillet si shembull i ligjit të pasojave të pasynuara: një pushtetar që turret të ndëshkojë një biznesmen jo dhe aq të përkorë e të mbyllë një media kritike dhe përfundon më një dëmshpërblim 110 milion euro në kurriz të shtetit. Kjo shumë është më e rënda në të tërë periudhën e pasluftës: 3,5 herë më i lartë se dëmshpërblimi për incidentin e Kanalit të Korfuzit (i përllogaritur në vlerën e sotme) e 15 milion euro më shumë se sa fatura e paguar çekëve të CEZ-it në 2014 po nga qeveria Rama. Nuk jam dakord me ata që mendojnë se atij nuk i bëhet hiç vonë se fundja lekët e shtetit janë e jo të xhepit. Kryeministri nuk të jep përshtypjen se mund të bëjë një dallim kaq të hollë. Jam madje i sigurt se është bërë pishman; këto para do të donte t’i investonte në infrastrukturë si p.sh. në rrugë cilësore me kosto 20 milion euro për kilometër.
3-Agon Channel si media e pavarur apo si biznes i Becchetit?
Në muajt e sulmit qeveritar kundër Agon Channel isha deputet i opozitës dhe kryetar i Komisionit Kuvendor për Edukimin dhe Mediat, kështu që më takonte të angazhohesha në mbrojtjen e ndoshta të vetmit televizion që nuk ishte kthyer në kanal të propagandës rilindiste e që mund të ruante pluralizmin që krijuan televizionet private që nga shfaqja e TV Shijakut nga mesi i viteve 90.
Ndërkombëtarët si rregull janë një derë që hapet kur troket për lirinë e medias por për Agonin nuk para dëgjuan. Përfaqësuesja e OSBE për Lirinë e Medias Dunia Mijatovic nuk reagoi publikisht dhe nuk di nëse ndërhyri pranë qeverisë pa e nxjerrë sheshit. Nuk ishte problemi i vetëm nga Shqipëria; për më tepër asokohe mbyllja e mediave e dhuna e hapur ndaj gazetarëve nga Turqia deri në republikat ish-sovjetike ishte dramatike e prandaj druaj pak vëmendje mbeti për ne. Ndërkombëtarët e Tiranës kishin sytë e veshët veç tek Reforma në Drejtësi dhe nuk para merrnin vesh se ç’bëhej përtej saj.
Mbi mbylljen e Agon Channel si problem i lirisë së medias bisedova në atë kohë me ojëfistin veteran dhe me kryeredaktorin e një rrjeti ballkanik gazetarësh i mbështetur nga donatorë perëndimorë. “E paska e ndarë mendjen PD-ja të bëjë politikë duke përqafuar Becchetin?” ishte gjegja e të dytit, fare e ngjashme në brendi me atë të parit. Ishte e qartë që antipatia për Becchetin, të cilin ata e të tjerë e konsideronin si mashtrues, nuk i linte të shikonin problemin e lirisë së medias tek një televizion që sekuestrohej e mbyllej arbitrarisht.
Edhe më pak arrinin të shquanin parimin se i pandehuri, sado makabre të jenë krimet e dyshuara të tij, ka të drejtën e mbrojtjes ligjore. Hierakët nazistë në gjyqin e Nyrenbergut, të akuzuar për krime ku e ku më të rënda se ato të Becchetit, nuk ju cenua asnjë e drejtë e tillë, madje u mbrojtën nga avokatët më të zotë të Gjermanisë. Por unë nuk e gjeta me vend të bëj këto arsyetime me ojëfistin e kryeredaktorin pasi intuita do të më thoshte se antipatia për Becchetin fshihte njëfarësoj edhe antipatinë për opozitën më mos afërsinë me pushtetin; kauzat e drejta që opozita ngrinte rriskonin të mos gjenin mbështetje edhe nga njerëz që supozoheshin neutralë e, do Zoti, parimorë.
4- Komisioni në veprim gjen fajin jo jetim
“Dekriminalizimi gjethe fiku qe bie e nxjerr cullak PD kur goditet krimi! Bllokimi i burimit te parasë së zezë që ushqente Agon CH një sukses!” deklaronte Kryeministri në Twitter më 9 qershor 2015.
Në këto ditë, katër vjet më pas, “dekriminalizimi” është ende aktual; në retrospektivë ai ka rrëzuar përtokë duzina gjethesh fiku por nuk më duket se është pikërisht PD që është nxjerrë cullak nga kjo gjë.
Por, duke mbetur në çështjen tonë, akuza asokohe për para të pista, e shqiptuar fillimisht nga Kryeministri, duket si të ishte krisma fatale që vë në lëvizje ortekun. Siç na shpjegonte në tetor 2016 Artur Kala, shef i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara (AAPSK) kontot bankare të Agon Channel u bllokuan pas një vendimi për sekuestrim të dt. 5 qershor nga gjyqtarja Bejleri me kërkesë të prokurores Sevdari. Në sqarimin 6-faqesh të Kala-s, që na u dha pas një kërkese unanime nga Komisioni, duket se edhe vendimi eshtë jo dhe aq i qartë por edhe se veprimet e agjencisë së tij shquhen për zell të tepruar. Fakti është se bllokimi kontove pamundësoi pagesën e dritave; këto u prenë e ndërmarrja u mbyll. Për kujtesë ligji urdhëron që ndërmarrjet e sekuestruara duhet të mbahen në punë si më parë; madje, kur nevojitet, edhe me fonde shtetërore.
Në procesin në vijim akuza për larje parash, motivi i vendimit gjyqësor sekuestrues nga dyshja Sevdari-Bejleri hiqet nga dosja Beccheti e prokurores: prova të tjera për këtë akuzë, veç tweet-it kryeministror, doli se nuk kishte hiç.
“Antonetës ja bënë me të padrejtë.” më thotë për zonjën Sevdari një mikeshë e imja e cila, pa ndonjë ofiq zyrtar, ndjek vettingun me vëmendje e pasion. “Po kjo puna e Becchetit?” e pyes. “Aah -më përgjigjet- ishte vetëm një gabim!”.
Nuk di ku ta vendos Sevdarin në hierarkinë e “gabuesve” të faturës 110 milion. Me gjasë nuk është fare në majë. Por bashkë me kolegen Bejleri ajo është një ilustrim i bukur i dëmit të madh që i bëhet shoqërisë nga një dëshirë e vogël për t’u ulur ndenjur mbi ligj thjesht që t’i pëlqesh udhëheqjes.
5-Epilog
Ditët e fundit qeveria shpalli një sukses: njoftoi se ICSID kishte pezulluar vendimin e dëmshpërblimit 110 milionë. Për të cilin kishte heshtur. “Suksesi” është broçkull dhe vë bast për këtë. Një bast që do të doja me gjithë zemër ta humbisja. Edhe leximi im i statutit të ICSID edhe ekspertët më thonë që kur kërkohet anulimi i vendimit atëherë pezullimi i tij është automatik. Gjithashtu pretendimi i qeverisë për proces të parregullt nuk ka as një cm2 taban. Ka dhe zero shans suksesi kur çështja të gjykohet në themel brenda 6 muajsh. Por ndërkohë qeveria ka pajtuar një avokat tjetër; kësaj radhe amerikan. Dhe pastaj shty sa ta shtyjmë.
Gjoba për Agon Channel nuk është thjesht më e rënda financiarisht. Pothuaj të gjitha këto raste me kompani tregtare vijnë pasi shteti ka anuluar njëanshmërisht licencën a kontratën me to. Por është edhe më e rënda moralisht pasi shteti ju turr një kompanie që operonte në treg si të gjithë të tjerat. Dhe rrugës i “harroi” sebepet pse ju turr. Me pasojë një humbje që shqiptarët me gjasë do ta paguajnë me qeveri tjetër. Dhe sa kohë që hierarkët përgjegjës për hollimin e xhepit të popullit të mos përgjigjen personalisht për zullumin individual, rreziku i hollimit të xhepit apo edhe të vrimës në të për gjithsecilin do të vazhdojë të mbetet mes nesh.
Genc Pollo
Ish Ministër e deputet
7 shtator 2019