Transporti ndërqytetës i udhëtarëve Laç-Tiranë kryhet me makina 5-7 vendesh të palicencuara, nën “hundën” e policisë dhe askush nuk i pengon.
Paguajnë ryshfet 10 mijë lekë në muaj policisë dhe punojnë të qetë.
E njëjta gjë ndodh edhe me linjën e transportit Tiranë-Durrës, ku furgona kanë licencën Kamëz-Durrës, por nuk shkojnë fare në Kamëz. Ata bëjnë vetëm linjën Tiranë-Durrës, madje ndalojnë edhe në vende të tjera.
Fiks Fare bëri një vëzhgim mbi gjendjen e këtij transporti nga një numër i mall ankesash nga shoferët e licencuar të cilët nga kjo paligjshmëri nuk munden dot të punojnë.
Të përfaqësuar nga kreu i shoqatës së transporteve Shpëtim Vrioni ata ngrenë zërin se furgonat kontrabandë pa licencë dhe pa asnjë dokument, po i falimentojnë dhe askush nuk po merr masa. Vrioni ngre zërin se shoqëri që kanë marr licencë për linjën Kamëz- Durrëz nuk shkojnë fare në Kamëz , por qëndrojnë deri tek rrethrrotullimi i doganës, pra bëjnë linjën Durrës-Tiranë. Vrioni shprehet se përgjegjësi direkt mbajnë policia rrugore dhe policia bashkiake e të cilës u përkasin furgonat e palicencuar.
Në qytetin e Laçit makinat 5-7 vendshe punojnë të qetë, madje në sy të policisë së rendit dhe asaj të qarkullimit. Pasagjerët shkojnë i marrin në stacionin e furgonëve dhe autobusëve të licencuar. Në një bisedë më njërin prej shoferëve të licencuar mësohet se makinat 5 vendshe dhe ato 7 vendshe që rrinë të stacionuara tek Zogu i Zi u kanë marrë punën. “ Nuk ke ku të ankohesh veç të rrihesh me ta, se rregullat nuk zbatohen nga ana e shtetit” shprehet ai. Ndërsa në bisedë me pasagjerë që udhëtojnë drejt qytetit të Laçit shprehen se nuk kanë besim të udhëtojnë me ta , pasi nuk kanë asnjë dokument dhe për të shmangur policinë në kryeqytet futen në rrugë të ndryshme dhe atyre u shkon kohëzgjatja e udhëtimit më e gjatë se sa me autobus.
Rast flagrant ishte biseda me një shofer furgoni të licencuar i cili ishte ndaluar nga policia e rendit , pasi kjo e fundit kishte marrë një telefonatë ku ankoheshin për furgonat që punonin në të zezë. “Në vend që të bëjnë punën e tyre se me taksat e mia paguhen ata më kërkojnë mua llogari se kush ka marrë në telefon” shprehet shoferi. Por ajo që i vuri vulën gjithçkaje ishte biseda e një pasagjeri i cili ishte pjesë e administratës së bashkisë Laç dhe shprehet se këta shoferë furgonash që punojnë në të zezë pa u shqetësuar, është se ata paguajnë policinë . “U japin 100 mijë lekë në muaj policave dhe hajde shëndet e të mira”, pohon ai në video.
Biseda me pasagjer dhe shofer të licencuar
Fiksi-Kur ikën për Laç autobuzi?
Shoferi-Tashti.
Fiksi-Se vajta te ato veturat, klandestinët , po s’kishte, çudi sot?
Shoferi-Pale..
Fiksi-Si lënë ndoshta?
Shoferi-Jo sa të duash ka, po i fshehin makinat nëpër vrima. Për Zotin ne kemi mbaruar. Për Zotin jo, bosh kam ardh, bosh jam duke ik. Kurrgjo s’duan t’ja dinë. Te ne ( Laç) në derë të autobusit të vjen t’i merr ( pasagjerët) . Vetëm të vritesh me ta. Vritesh me ta. I çon te shpija të gjitha, shteti s’funksionon. Jo, jo po si në Laç s’bën vaki në republikën tonë.
Pasagjeri-A s’jam duke hip me ata se s’di nga më çojnë. Ai të fut andej nëpër ferra. Të plas ndonjë avlli se është duke u ruajt prej policisë. Ne ecim ke frikë, lloj lloj kalamajsh. Më lër se jam djeg me ato unë. Isha njëherë në Laç me to, e doja të vija shpejtë në Tiranë. Na pruri në Kamëz e tha, e di si është puna, tha do futemi këtej, se ashtu s’kam leje, dalim shpejt. Na ka fut andej, nëpër plera, nëpër… kur na nxori këtej nga rruga që futesh për Paskuqan.
Fiksi-Erdhën policët të ty?
Shoferi-Po. Kush ka marr në telefon tha? I thashë për çfarë të kanë marr? Tha për të paligjshmet ( taxi) . I thash ti bëj detyrën ça të duhet kush ka marr.
Fiksi-Hajde polic hajde.
Shoferi-I thash për taksitë tonë e kanë bërë. Kalamajtë e tu i mbaj me lekë. Jo tha i mbaj me djersën time. I thash pa paguar unë nuk ha gjë ti.
Fiksi-Po të kërkonte llogari ty kush ka marr në telefon?
Shoferi-Po.
Shoferi-Përfundimisht ne nuk kemi shtet o xhaxhi.
Pasagjeri-Unë e bëj përditë këtë rrugë, po unë nuk bën vaki,
Fiksi-Të hipësh me ata ?
Pasagjeri-Jo.
Fiksi-Normal o vëlla.
Pasagjeri-Rrugë pa rrugë. Janë shumë probleme që…
Fiksi-Kështu me tha dhe një, ikin rrugë pa rrugë, nuk ikin në rrugë kryesore.
Pasagjeri-Sepse u del policia , kanë probleme, nuk i kanë letrat.
Fiksi-Rrinë këta policët rrugorë këtu, as i shikojnë fare këta. Ja polici rrugor aty rri.
Pasagjeri-Ai merr paret ore. Unë punoj me taksat e bashkisë. Po, po merr 100 mijë lekë për çdo muaj nga ata edhe hajde shëndet mirupafshim! Iku ajo punë./ Top Channel