Irma Libohova, teksa ka qenë e ftuar në emisionin ‘Thumb’, ka folur për karrierën e saj ndër vite, ku në një moment ka treguar edhe një ngjarje që i kishte ndodhur në një dasmë. Ajo ishte e ftuar për të kënduar, dhe gjatë dasmës krushqit kanë filluar të zihen për shkak të partive. Historia në fjalë e ka zanafillën shumë vite më parë, e sipas këngëtares së njohur, tashmë situata ka ndryshuar.
“Një histori që nuk do ta harroj kurrë ka ndodhur në një qytet të Shqipërisë, ishte dasmë e vajzës. Vajza e bukur si drita, si ylli. Vjen krushqia.
Më vjen një pusullë mua: Na këndo një këngë për një figurë politike. I thashë duhet t’i thuash të zotit të dasmës, se gjithsesi nuk jemi në dasmë për të bërë politikë.
Këtu është qejf, s’ka lidhje. Shkurt, krushqit ishin të Partisë Demokratike, nusja i kishte përfaqësues të Partisë Socialiste.
Pasi unë nuk e këndova, u hodh një shishe vere në dasmë, u hodh nga tavolina e krushqëve në pistë aty.
U kuptua menjëherë arsyeja pse, thjesht u prish dasma. Krushqit u ngritën ikën, dhe dasma u prish.
Flasim për shumë vite përpara. Sot njerëzit janë ndërgjegjësuar”, rrëfeu ajo.