Nga Ndue Dedaj
Tashmë askush nuk habitet nga ikja “hemorragjike” e shqiptarëve dhe ky është problemi, ikja e tyre quhet një gjë normale dhe jo një alarm kombëtar! Sikur ata që ikin nuk janë fëmijët, të afërmit, bashkëkombësit tanë, por të tjerë. Sipas anketimeve, 60 për qind e shqiptarëve duan të emigrojnë, si në asnjë vend tjetër të kontinentit tonë. Në vend që përmes integrimit të Shqipërisë në BE ta sillnim “Europën” këtu, shqiptarët u shkulën nga vendi i tyre për në Gjermani, Itali, Greqi, Angli, Belgjikë, Holandë apo Amerikë etj.. Të ishin gjallë të moçmit, kishin për të lëshuar nëme, si në Eposin e Kreshnikëve, ndaj shkaktarëve të ikjes. Por aktorët e politikës nuk preukopohen për këtë. Vetë Kryeministri e ka përligjur ikjen duke thënë se njerëzit venë jashtë për një jetë më të mirë, ndërkohë që ai dhe qeveria e tij kanë për detyrë të ndërtojnë strategjitë e duhura, që ata ta krijojnë këtu mirëqenien e tyre.
Thuhet sa herë, qeveria të krijojë kushte që fëmijët e diasporës të mësojnë gjuhën shqipe etj., për t’i mbajtur të lidhur me atdheun, ndërkohë nuk po mbahen dot “lidhur” pas gurit të caranit të paikurit ende. Jepen shifra dramatike të ikjeve (qeveria preferon të japë dhe ato të të kthyerve), por nëse do ta shohësh se sa janë realisht përmasat e ikjes, shko nëpër shkolla, ku në pak vite numri i nxënësve është ulur në mënyrë drastike, përfshi dhe rrethet bregdetare. Individët apo familjet e marrin vendimin për të ikur vetëm pasi i kanë peshuar mirë pamundësitë e shumta të këtushme: për t’u punësuar, për t’iu rikthyer pronat e veta, për të marrë drejtësi sipas ligjit etj.. Zor se mund t’i bindësh ata të qëndrojnë, kur ata panë me sytë e tyre se si krejt papritur 28 mijë kilometra katrorë u pushtuan nga hashashi dhe helikopterët që e transportonin uleshin e ngriheshin si në Kolumbi. E pamundur t’i bindësh ata që të besojnë në sigurinë publike, kur iu vidhen paratë në Aeroportin e Rinasit, vendin që duhet të ketë shkallën më të lartë të sigurisë. Apo, duke iu thënë atyre se tri mbikalime tek Unaza e Re në Tiranë kushtojnë dyzet milionë euro. Shteti, jo vetëm nuk mund të çojë para ligjit trafikantët dhe bosët e krimit të organizuar, por as të ndalojë bujqit e Lushnjës e Kuçovës të mos i “trashin” me hormone domatet, trangujt dhe bostanin, që mbërrijnë pa kurrfarë kontrolli në tryezat tona, ashtu si dhe mishi, pijet etj.. Të gjitha këto ndodhin vetëm se pushteti është fituar në “bashkëqeverisje” me hajdutët dhe blerësit e votave, të cilët pastaj kërkojnë favore të llojllojshme antiligjore.
Shqiptarët kishin ëndërruar një tjetër Shqipëri, ku ata do të ishin zotër dhe jo të “shpronësuar” nga korrupsioni i qeveritarëve, se do të ishin konkurrues brenda dhe jashtë politikës, çka nuk ndodhi. Postet zotërohen nga besnikët e partisë, e cila në qarqe e prefektura ka caktuar nga një të “plotfuqishëm”, ku është ai që e bën “ligjin” sa u përket emërimeve në administratë etj.. Ky mund të jetë deputet, kryetar bashkie apo ministër. Qeveria nuk po e shtyn dot përpara progresin me gjithë shpikjen e saj, portalin e bashkëqeverisjes, pasi vendi është kthyer në një makrotender, ku përfitojnë copa miqtë e qeverisë, përmes partneritetit publik-privat, shfrytëzimit të mineraleve, ujërave, hapësirave publike për të ndërtuar pallate etj.. Zona e Astirit në kryeqytet mund të ketë kapur shifrën e 100 banorëve dhe prapë ndërtohen pallate pafund, pa lënë vend për parqe, stola, lulishte, shkolla, kopshte, çerdhe, qendra për të rinjtë e të moshuarit etj.. Shtetarët sillen me vendin si me çifligun e vetë, ku mund të bëjnë ç’të duan e si të duan, i caktojnë vetë në zyra përparësitë e zhvillimit, pa u dëgjuar realisht publiku. Ky i fundit ka tridhjetë vite që kërkon rrugë të asfaltuara deri në bjeshkët e larta, ndërkohë që tranzicioni ka humbur asfaltin dhe aty ku ka qenë, si në Torovicë të Lezhës etj..
Mungesa e një strategjie, që nga fillimet e tranzicionit, për t’i çuar rrugët aty ku ishin njerëzit, ndikoi ndjeshëm në shpopullimin e shpejtë të zonave. Pas 2005-s, aksioni i qeverisë Berisha nisi ta ndryshonte infrastrukturën rrugore në shumë krahina të vendit, por ai u ndërpre me qeverisjen e Ramës, duke i orientuar pas 2013-s fondet për zhvillimin e rajoneve drejt urbanizimit të qyteteve. Parë në vetvete, kjo ka qenë një nismë e vlefshme, që u ka dhënë tjetër pamje qyteteve dhe qendrave të banuara të vendit, nga Përmeti në Tropojë, por kur e gjykon këtë investim në raport me nevojën për zhvillimin e fshatit, përmes agroturizmit, blegtorisë etj., atëherë mund të thuash se “Rilindja Urbane” u bë në kurriz të aftësive prodhuese të fshatit. Jo vetëm nuk u ndërtuan rrugë në standarde drejt malësive shqiptare, por nuk u ndoqën as politika të tjera zhvilluese për to. Ato u lanë në rënie të lirë. Qeveritë i treguan të paaftë për ta kuptuar atë që duhej të ndodhte me fshatin në kushtet e reja. Ato, madje, e joshën fshatarin me “parajsën” që ofronte qyteti, me të vetmin qëllim marrjen e votave, a thua se lëvizja e lirë e njerëzve ishte një shans që tashmë e krijonin qeveritë.
Sa herë bie fjala për njerëzit që lënë Shqipërinë, na vijnë ndërmend dyndjet e mëdha të arbëreshëve pas pushtimit otoman, të quajtura “biblike”, ikjet e mëvonshme në Zarë, shpërnguljet e dhunshme për në Stamboll etj., sidomos nga represioni serb mbi shqiptarët e Kosovës. Ndonëse në kushte krejt të tjera gjeopolitike, nuk po mund ta frenojmë shpopullimin e përditshëm të Shqipërisë e trojeve shqiptare. Pavarësisht se ikjet e sotme janë paqësore, rezultati është i njëjtë, po zbrazim veten dhe po mbushim vullnetarisht botën me shqiptarë. Edhe në Kinën e largët ka shqiptarë që kanë shkuar në kërkim të një jete më të mirë, ndërkohë që vetë kinezët kanë “pushtuar” Europën, përfshi dhe Shqipërinë. Politika para kësaj situate nuk mund të jetë soditëse, për duhej të kishte marrë përgjegjësi, që të mos përsëritet historia e shpërnguljeve fataliste të shqiptarëve. Nëse mund të flitet për atdhetarizëm, ky është rasti për ta dëshmuar atë hapur dhe fort. Nuk mund të bëhet kjo duke ngrohur “vezët” politikanët në Tiranë, apo në Prishtinë. Presidenti dhe shtetarë të tjerë të lartë mund të bëjnë shenjën e shqiponjës me presidentë apo ish-presidentë të vendeve mike, mund të marrin pjesë në tubime atdhetarë në Kalabri, Preshevë, Plavë e Guci, po ç’vlerë kanë këto para ndaljes së hemorragjisë shqiptare të ikjes. Është thënë në fillim për intelektualët, iku truri, tani po ikën dhe rinia masivisht dhe ata që do të mbeten, si duket janë pleqtë dhe politikanët, këta të fundit sa t’ia zhvatin dhe gramin e fundit të floririt këtij vendi.
Shkaqet e ikjes janë dhe aty ku nuk duken. Sot bëhen projekte serioze për mbrojtjen e rrëqebullit të Munellës, si specia ballkanike në zhdukje, çka është për t’u përshëndetur, pasi në këtë anë na vendos në rendin e vendeve të përparuara, që dinë të vlerësojnë kafshët e egra, ndërkohë që kemi lejuar zhdukjen e racave autoktone, të dhive, pulave etj. Në vend që të krijoheshin ferma blegtorale me dhitë e Hasit, Trangës së Selitës, Dukatit të Vlorës etj., blegtoria nuk mbështetet nga shteti. As pemëtaria. I jemi lëshuar me turr grabitjes së trashëgimisë së çdo fushe. E dëgjuat? Sapo u prenë arrat e vjetra të Zagorisë. Nesër mund të t’iu vijë radha manave legjendarë të Boboshticës, gështenjave të Tropojës etj.. Nisur nga këto, ka ardhur koha që të votohen ato parti që kanë si program ndaljen e shpërnguljes së shqiptarëve, që nënkupton politika zhvillimi e investime në gjithë vendin, edhe atje ku kanë mbetur një “dorë” njerëz.
Epilog. Njëherë e një kohë, kur shqiptarët po iknin drejt Italisë, Vojsava, e strehuar në trevën e Matit, kishte thënë se atje po mblidhej “lëmshi” (po venin njerëzit), kurse këtu në shkrepat tanë do të qëndronte e fshehur “furka”, që të mund të tirrte përsëri… Ndërsa sot, vështirë se ka më vetëdije për ta ruajtur sërish “furkën” për brezat e ardhshëm, pasi nuk kemi lënë “shkrep” pa shkretuar.