BISLIM AHMETAJ
Ata që kanë shpresë janë shumica e qytetarëve të këtij vendi të traumatizuar nga keqqeverisja e së majtës enveriste të rilindur në këto gjashtë vite, si në mandatin kur vidhnin në koalicion, edhe tani që vjedh e vetme. Ata janë njerëz që i besojnë lirisë dhe të drejtave njerëzore, ata i besojnë aleatëve tanë perëndimorë dhe në mënyrë të veçantë Amerikës dhe Gjermanisë, ata janë njerëz që e kanë provuar në kurrizin e tyre keqqeverisjen e rilindasve zullumqarë, ata janë studentët që ndezën flakën e protestës dhe qëndresës në dhjetor të vitit të kaluar, ata janë patriotë e atdhetarë që nuk duan t’i ikin atdheut të tyre vetëm për shkakun sepse duan qeveritarët t’i nëpërkëmbin. Ata janë sipërmarrës të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj, të cilët mbajnë gjallë ekonominë e tregut dhe trajtohen nga qeveritarët si njerëz që duhet të rrisin mirëqenien e tyre me ryshfete korruptive të detyruara. Ata janë qytetarë të mashtruar dhe të verbuar nga propaganda rozë, ata janë socialistë të zhgënjyer nga premtimet e partisë “mëmë”. Padyshim që shumica e atyre që kanë shpresë “pa doganë” te protesta e ditës së shtunë janë mbështetësit, anëtarësia dhe militantët e Partisë Demokratike si dhe partive të tjera të opozitës, të cilët shpresojnë në një rikthim të koalicionit opozitar në pushtet, ku do të rigjejnë privilegjet “e humbura”.
Skeptikë(t) janë pjesa gri e shoqërisë shqiptare që nga përvoja e këtyre 28 viteve kanë krijuar eksperienca të këqija, shumë të këqija dhe më shumë se të këqija. Ata janë njerëzit që kanë bërë gjithçka që vendi i tyre të zhvillohet, ata janë njerëz të punës dhe të mendjes dhe kanë besuar që Shqipëria mund të behet vetëm duke punuar. Ata tashmë janë penduar që nuk i kanë ikur atdheut me kohë, duke udhëtuar ndër vite me shpresën se Shqipëria ia vlen! Tani ky grup jo i vogël është jo vetëm i pashpresë, por edhe i dëshpëruar, i zhgënjyer. Ata e shohin pozitën dhe opozitën në të njëjtin “kazan”, me ndryshimin që njëra palë vjedh më shumë dhe pala tjetër më pak. Që njëra palë është më e lidhur me të kaluarën dhe krimet e saj dhe pala tjetër pak më pak. Që njëra palë tregohet më arrogante me qytetarët kur është në pushtet dhe pala tjetër pak më pak arrogante. Por që të dyja palët janë të pabesueshme dhe pjesë e dështimeve, dramave dhe keqqeverisjes, që kanë përjetuar qytetarët e këtij vendi përgjatë tranzicionit 28-vjeçar, i cili vazhdon spiralen e tij të frikshme edhe sot e kësaj dite. Skeptikët duan prova shumë të forta që t’u kthesh shpresën dhe besimin te një Shqipëri që mund të udhëtojë në trenin e vendeve europiane si e barabartë mes të barabartëve.
Nihilistë(t) janë një grup i papërfillshëm si numër, por me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi shpesh janë opinionbërës me peshë nëpër qendrat që shpërndajnë marrëzi dhe informacione të zeza për publikun e gjerë. Ata janë njerëz që nuk i duan as buzët e tyre kur flasin, mohojnë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e gjithkujt dhe të gjithçkaje. Ata njerëz kur i shoh nëpër televizionet shqiptare më ngjajnë me copa m..i që notojnë në lumin e turpit të kryeqytetit, që kundërmon 12 muajt e vitit, lumit që bie era politikë alla shqiptare, lumit që përshkon tejpërtej Tiranën, lumit Lana. Nihilistët dhe një pjesë të oligarkisë politike të Tiranës në optikën time i shoh si habitate, që i zhvillon e i shumon shtrati i lumit Lana.
Kundërshtarë(t) janë një shumicë fanatikësh social-komunistë, të cilët kanë dëshmuar se janë gati ta vrasin edhe babën, edhe fëmijën e tyre për partinë dhe udhëheqësin legjendar. Kundërshtarët tani nuk janë shumicë, edhe pse në Parlament i kanë të deleguar kartonët që thjesht prodhojnë ligje, në kundërshtim të vetës së tyre dhe shumicës tjetër, por gjithsesi ata janë akoma të shumtë dhe s’mund të shpërfillen edhe për faktin e indoktrinimit të skajshëm, kujtojmë që një pjesë e mirë e tyre në vitin e mbrapshtë ‘97 rrëmbyen armët për të sjellë në pushtet partinë e tyre.
Ndërsa njerëzit që i ka zënë paniku nga protesta e thirrur nga opozita me 16 shkurt janë të paktë në numër, por me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në panik janë zullumqarët e pushtetit të kryesuar nga Kryeministri dhe oborri i tij i ofiqarëve të lartë që zotërojnë 90% të zyrave të shtetit ku merren vendime për qytetarët. Ata zotërojnë Policinë, Shërbimin Informativ, Ushtrinë, Gjykatat, Prokurorinë, Tatimet, Doganat, shumicën e mediave. Ata kanë akses dhe lidhje të drejtpërdrejta me krimin dhe bandat kriminale, ata kanë lidhje djallëzore me armiqtë historikë të vendit tonë. Këto zotërime e bëjnë panikun e tyre të frikshëm dhe me pasoja të paparashikueshme për rezultatet që mund të prodhojë protesta.
Pas këtij shikimi, po sjell për lexuesin tri opsione se si e shoh unë atë që do të prodhojë protesta e së shtunës.
OPSIONI PESIMIST
Ngrihen postblloqe në të gjitha akset kombëtare që të sjellin në kryeqytet! Protestuesit, të irrituar kundërshtojnë forcat e Rendit. Mediat raportojnë për rritje të tensionit midis protestuesve që pengohen për të udhëtuar drejt kryeqytetit. Tirana është blinduar nga qindra forca policie të veshura dhe armatosura rëndë. Mijëra qytetarë të revoltuar janë mbledhur para Kryeministrisë me thirrje radikale. Kryeministri paralajmëron skenar ugurzi nga televizioni i tij ERTV, prej të cilit transmetojnë edhe televizionet që ushqehen nga tepsia e Ramës. Nga ana tjetër, kreu i opozitës i bën thirrje popullit për mosbindje civile dhe për qëndresë deri në zbythjen e Edi Ramës. Ndërkombëtarët ruajnë asnjanësinë. Protestuesit e ndërkryer gjuajnë me sende të forta drejt godinave qeveritare dhe forcave të Rendit. Policia merr urdhër të kundërpërgjigjet. Dëgjohen të shtëna me armë zjarri, protestuesit jo vetëm nuk tërhiqen, por shpërthejnë kordonët e Policisë dhe derdhen në Kryeministri. Të shtënat e armëve sa vijnë dhe shtohen. Nuk është e lehtë të dallohet se nga cila palë janë më të shumta nga Policia apo nga protestuesit, pasi tymi i tymueseve ka mbuluar gjithçka. Policia ka filluar të ndërhyjë me gaz lotsjellës dhe makina që shpërndajnë qytetarët me ujë të ngjyrosur. Tirana është zhytur në kaos. Një thashethem qarkullon nëpër media sikur Edi Rama i ka hipur një helikopteri dhe është larguar nga vendi, dikush thotë në drejtim të Serbisë, të tjerë thonë se është nisur drejt Greqisë! Gjithçka duket se po del jashtë kontrollit. Flakët dhe tymi kanë filluar të dalin nga dritaret e Kryeministrisë dhe disa ministrive të tjera. Kreu i opozitës u bën thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje dhe ua përsërit thënien që «nuk pranon të vijë në pushtet më dhunë». Shumë prej protestuesve tërhiqen, disa të tjerë jo. Në darkë vonë shumica e institucioneve janë të kontrolluara nga demonstruesit e revoltuar. Diplomatët perëndimorë bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje dhe qetësi. Përveç diplomatëve perëndimorë angazhohen edhe diplomatët e boshtit Moskë-Athinë-Beograd.
Nga selia blu del një deklaratë ku thuhet që distancohet nga dhuna e dyanshme e qeverisë dhe e protestuesve të revoltuar. E njëjta deklaratë, por me gjuhë më të ashpër del edhe nga selia rozë. Prokuroria nxjerr fletarrestet për 100 protestues dhe për 20 punonjës policie. Ditën e hënë, Edi Rama kthehet në punë dhe Lulzim Basha rikthehet në gjumë. Bie perdja…
OPSIONI I NDËRMJETËM
Tirana është më e bukur se kurrë, qindra mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria e zbukurojnë atë. Pamja i ngjet më shumë një manifestimi se një proteste. E megjithatë, ata, qytetarët protestues janë sa të vendosur aq edhe kureshtarë. Janë po aq dyshues se çfarë rezultati do të sjellë prezenca e tyre në këtë protestë. Të gjithë janë të një mendimi: Ka ardhur aty ku nuk mban më, duhet ndryshim, kështu nuk mund të vazhdohet më. Askush prej tyre nuk e di se si do të shkojë protesta, ata presin me padurim fjalimin e kryetarit të opozitës. Në sytë e protestuesve ka shpresë dhe besim se kjo protestë është vendimtare për fatin e opozitës. Ata përsërisin thënien e Bashës; Më gënjeve një herë ishte faji yt, n.q.s gënjehem për herë të dytë është faji im. Ka aq shumë pjesëmarrje sa të gjithë ministrat dhe shefi i tyre janë stepur dhe nuk u punojnë më as gishtat për të shpërndarë mesazhe në rrjetet sociale. Mediat janë gjysma pulë, gjysma gjel. Disa kanë shpallur suksesin, të tjera dështimin. Kanë filluar fjalimet e përgatitura të qytetarëve që me gjasë përfaqësojnë grupe interesi të prekura nga rilindasit. Të gjithë janë të prekur dhe askush se ka mendjen te këto fjalime butaforike, që u ngjasin fjalimeve të Parlamentit tonë qesharak.
I vjen radha fjalimit të kreut të opozitës. Kureshtja ka arritur kulmin, në vend që të ketë ovacione dhe thirrje entuziaste ka një heshtje gati epike. Protestuesit presin “urdhrin”. Ai u thotë: bëhuni zot të fateve tuaja, merreni fatin tuaj në duar, unë do të jem mbështetja juaj. Etj., etj., etj., etj…, 45 minuta fjalim. Ndërsa shumica e protestuesve kanë filluar të drejtohen nga stacionet ku janë parkuar autobusët, me të cilët kanë ardhur për të vendosur për fatin e tyre, duke i besuar opozitës. Bie sërish perdja! Protestuesit janë peng të Kryeministrit, të halleve dhe problemeve pa fund që kanë, ata janë edhe peng i mungesës së një opozite konstruktive dhe vepruese…
OPSIONI OPTIMIST
Të shtunën në mesditë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të vërshojnë mbi një gjysmë milioni qytetarë nga të katër anët e Shqipërisë. Në mesditën e 16 shkurtit, kryeqyteti do të zbukurohet nga prania e të rinjve e të rejave, burrave dhe grave, prindërve dhe të moshuarve, profesionistëve e punëtorëve, fermerëve dhe amvisave, sipërmarrësve të vegjël, të mesëm e të mëdhenj, intelektualëve dhe artistëve nga të gjitha qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Ata do të demonstrojnë të vendosur dhe do të bëhen pronarë të fatit të tyre, ata, qytetarët e lirë do t’i rrethojnë institucionet e marra peng nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Shumica e Policisë së Shtetit do të bashkohet me qytetarët e lirë. Diplomatët perëndimorë do të bashkohen me demonstruesit. Mediat më të zëshme të botës do i bëjnë jehonë protestës. Kryeministri Rama braktiset nga të gjithë dhe i traumatizuar del në ERTV për të lajmëruar dorëheqjen e tij pa kushte. Qytetarët e lirë marrin kontrollin e institucioneve qendrore të shtetit dhe bëjnë thirrje për qetësi dhe normalitet. Përfaqësuesit e qytetarëve të lirë në bashkëpunim me diplomatët e vendeve mike propozojnë krijimin e një qeverie të përkohshme e përbërë nga teknicienë dhe akademikë, të cilët duhet t’i nënshtrohen një vetingu special për pastërtinë morale, profesionale dhe politike. Zgjedhjet vendore dhe ato parlamentare zhvillohen në të njëjtën kohë, jo më larg se muaji tetor-nëntor 2019. Me një ligj zgjedhor të ri. Qeveria e përkohshme angazhohet ta thellojë dhe ta përfundojë Reformën në Drejtësi.
Politika e vjetër hesht, ka shpresë dhe besim se shqiptarët mund t’ia dalin.
Ngrihet perdja…