Një tjetër krim për shkaqe xhelozie i mori jetën një nëne të re. Burri i saj e vrau pa mëshirë, duke lënë jetime vajzën 3-vjeçare. Gardisti Alket Arapaj pranoi para uniformave blu se ndërmori këtë akt, për shkaqe xhelozie.
Para oficerëve të policisë, Alket Arapaj ka thënë se gruaja e tradhtonte, dhe kjo ishte arsyeja pse e vrau. Dyshimet i kishin lindur disa kohë më parë. Për të shuar këto dyshime, ai kishte filluar që ti linte gjërat me shenjë brenda shtëpisë. Jo vetëm kaq, por sipas tij, gruaja nuk i jepte asnjëherë një version të saktë dhe të qëndrueshëm. Duke shprehur keqardhje për vajzën, gardisti pranoi se krimin e ka kryer në momente të ngarkesës emocionale.
Në gjendje të rëndë psikologjike, Arapaj u shpreh se i vinte keq për vajzën e tyre. “Kishim më shumë se 10 vjet të martuar. Jam familjar i rregullt. Prej disa kohësh kisha dyshime se gruaja më tradhtonte. Kohët e fundit dyshimi se më tradhtonte më ishte përforcuar. Kisha filluar t’i lija gjërat me shenjë brenda shtëpisë.
Kur kthehesha në shtëpi pas pune, i gjeja gjërat e lëvizura. Për dyshimet që unë kisha, gruaja asnjëherë nuk më jepte një version të saktë dhe të qëndrueshëm. Krimin e kam kryer në momente të ngarkesës emocionale. Më vjen shumë keq për gocën”, u shpreh Alket Arapaj në polici.
Alket Arapaj e vrau Ervilma Seferin me armën e shërbimit. Gardisti që vrau gruan në Allias, deklaroi para grupit hetimor se e kishte ekzekutuar me armën e shërbimit, pasi e tradhtonte. Ndërkohë që nga një kërkim në faqen e tij në rrjetet sociale, Arapaj para një dy javësh kishte bërë një status pikërisht për tradhtinë.
Konflikti i vetëm i njohur jashtë dyerve të banesës ishte fakti që Ervilma kërkonte të punonte, por i shoqi nuk e lejonte. Jeta e saj ishte brenda 4 mureve. Dilte vetëm në mëngjes të çonte vajzën në çerdhe, dhe pasdite kur e merrte. E ndjera nuk i shpëtoi xhelozisë vrastare të të shoqit.