Shtëpia e Arben Bilalit të cilit i bënë dje atentat, pranë së cilës ai u ekzekutua dje, është një ndërtesë tre katëshe e pozicionuar pranë rrugës, me kamera sigurie në katin e parë të saj. Këto kamera janë një dëshmi se Arben Bilali ruhej nga një atentat i dytë, duke u fshehur në banesën e tij, e duke survejuar çdo lëvizje pranë saj.
Atentati i parë
Më 2 maj të vitit 2010, kur ishte 42 vjeç, ai i shpëtoi një atentati pranë stadiumit “Selman Stermasi”. Në atë kohë, ai punonte si bodigard në një subjekt privat, ndërsa e shoqja ishte punonjëse Policie në Komisariatin nr.2. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, në një lokal pranë stadiumit, ku Arben Bilali ishte duke pirë kafe bashkë me një mikun e tij.
Autori është futur në lokal dhe është drejtuar menjëherë te tavolina ku ndodhej i ulur 42- vjeçari, duke e qëlluar 2 herë në kraharor, me qëllim vrasjen e tij. Ai mbeti i plagosur rëndë dhe qëndroi disa ditë në koma. Policia e klasifikoi ngjarjen si vrasje të mbetur në tentativë, por askush nuk u arrestua.