Administratori i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës akuzon dekanin Florian Nepravishta për abuzime me detyrën. Gjatë një bisede që ka bërë me studentët më datën 21 janar, administratori thotë se dekani ka marrë vendime pa u konsultuar me anëtarët e tjerë të Dekanatit, madje ka falsifikuar firmat e tyre.
Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Florian Nepravishta, abuzon me detyrën. Akuza bëhet nga administratori i Fakultetit gjatë një takimi që ka zhvilluar më 21 janar me studentët e këtij Fakulteti.
Në audio administratori flet për falsifikim firmash dhe vendime që janë marrë pa u konsultuar me anëtarët e tjerë të Dekanatit, më konkretisht në rastet kur Dekani u ka kthyer përgjigje zyrtare kërkesave të studentëve.
Unë nuk kam qenë në asnjë mbledhje Dekanati që të jenë trajtuar këto. Shefat e Departamenteve nuk kanë dijeni fare për këtë. Në rastin konkret nuk janë firmat tona, protokolli nuk mund ti vendosë vulën një dokumenti që është pa firmë.Por shumë mirë që ndodhi kështu që ju të kuptoni se çfarë maskarade është këtu. Kë do të bëjë për budalla, mua, ju? Kam edhe dokumenta të tjera shumë më të rënda se kaq.
Gjatë takimit, administratori thotë po ashtu se është i gatshëm të lërë detyrën nëse protesta e studentëve vjen për shkak të vendimeve të marra nga ai.
Nëse ju futeni në mësim se ika unë, unë iki që nesër që të fillojë mësimi.
Ndër të tjera administratori mbështet studentët në shqetësimet që ata kanë shprehur si ambientet e pamjaftueshme, mungesa e kushteve apo godina e amortizuar e Fakultetit.
Protesta e studenteve nisi më 4 dhjetor, pikërisht nga ky Fakultet për kreditet e lëndëve të mbartura./Oranews/