Nga Rebecca Banovic “Forbes”/ Ballkani: udhëkryqi midis Lindjes dhe Perëndimit; është dëshmuar prej kohësh një territor i rëndësishëm për interesat ekonomike, politike dhe gjeopolitike të fuqive të mëdha. Dikur perandorive ruse, austriake dhe otomane, Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, dhe tashmë i Kinës.
Në vitin 2013, presidenti i Kinës Xi Jinping bëri publike Nismën e Rrugës dhe Brezit (BRI) – një strategji e madhe euroaziatike, që synon të lidhë tregtinë kineze me pjesën tjetër të Azisë, Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Evropës.
Implikimet gjeo-ekonomike të projektit të madh kinez, janë të gjera dhe afatgjata. Ballkani ka qenë në fokusin e Kinës si një zgjatim i BRI në Evropë, dhe prania e saj është e dukshme në thuajse çdo cep të rajonit. Por çfarë po i nxit investimet kineze në Ballkan?
Së pari, kostot e krahut të punës në rajon mbeten të ulëta. Së dyti, ky projekt do të rrisë praninë e Kinës në Evropë, përmes vendeve që një ditë mund të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Të paktën 4.9 miliardë dollarë marrëveshje të nënshkruara, janë përqendruar në Shqipëri, Bosnje dhe Herzegovinë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.
Veçanërisht për shtetet më të vogla të Ballkanit, kjo përfaqëson një investim të madh në ekonomitë e tyre. Megjithatë, investimet kineze në Ballkan kanë shkaktuar shqetësime në mesin
e disa prej shteteve anëtare të BE-së, pasi ato mund të krijojnë borxhe të papërballueshme për qeveritë e Ballkanit.
Në mesin e vendeve më të varfra në Evropë, me ekonomi të brishta, nivele të larta papunësie; korrupsioni dhe institucionet e dobëta demokratike, e kanë vendosur Ballkanin në një pozitë të ndjeshme ndaj investimeve kineze. Rajoni ka një mungesë të infrastrukturave të caktuara dhe thelbësore, dhe ka nevojë të madhe për rrugë, termocentrale dhe hekurudha të reja (sa për të përmendur disa).
Por, investimet kineze kanë patur disa ndikime të menjëhershme pozitive. Për shembull, një nga investimet më të mëdha kineze në Serbi, ishte blerja e uzinës së çelikut “Železara Smederevo” nga grupi He Steel për 46 milionë euro. Ajo ka ekonomikisht një rëndësi të vogël për Kinën, por marrëveshja shpëtoi 5.200 vende pune – dhe Kina bleu përmes saj disa favore politike nga ana e qeverisë Serbisë.
Por, kreditë kineze jepen shpesh në kushte të lehta dhe të lejueshme. Në pamje të parë, një kredi e butë me disa lehtësira, duket tërheqëse për vendet që janë të dëshpëruara të rigjallërojnë ekonomitë e tyre. Por kjo ka çuar në një rritje të barrës së borxhit të vendeve në rajon, diçka që është e rrezikshme në një periudhë afatgjatë.
Për shembull, infrastruktura është një element kyç në politikën e Kinës ndaj rajonit të Ballkanit. Një autostradë e ndërtuar nga kinezët në Malin e Zi, e projektuar për të lidhur portin e Bar në bregdetin Adriatikut me Serbinë fqinje, pritet të rrisë në gati 80 për qind të PBB-së, borxhin e Malit të Zi.
Efektet e këtij borxhi, në një vend të vogël si Mali i Zi, ka gjasa të jenë të mëdha. Një vështrim tek ekonomitë e tjera më të vogla, mbi borxhet që lidhen me BRI, nuk jep një tablo të mirë për Malin e Zi:në Sri Lanka, borxhet ndaj kinezëve u rritën aq shumë, saqë Pekini mori nën kontroll një port në Oqeanit Indian tepër strategjik, si pjesë e marrëveshjeje së ripagimit.
Ndërkohë, Uganda ka ndërtuar një autostradë prej 580 milionë dollarësh, që lidh kryeqytetin me aeroportin më të madh në vend. Por nuk pati asnjë ofertë konkurruese për këtë projekt, dhe vetë rruga mund të përfundojë duke qenë një disavantazh, dhe jo një projekt fitimprurës.
Megjithatë, qeveria malazeze shpreson që autostrada e saj, do të nxisë ekonominë dhe forcojë tregtinë me Serbinë, si dhe do të përmirësojë rrugët e saj të rrezikshme nga pikëpamja e sigurisë. Sidoqoftë dyshimet rreth autostradës janë ngritur tashmë, pasi pjesa e parë prej 41 kilometrash nuk ka përfunduar ende.
Por tani që puna ka filluar, është e vështirë të ndalet. Mali i Zi, u josh me siguri nga kreditë e fituara lehtësisht nga Kina, të nevojshme për projektet dhe zhvillimin e infrastrukturës. Nga një perspektivë ballkanike, investimet kineze paraqesin si mundësi ashtu edhe rreziqe.
BRI mund të ndihmojë në transformimin rrënjësor të Ballkanit (për mirë), por projektet vizionare, mund t’i ngarkojnë gjithashtu qeveritë me borxhe të mëdha, dhe një infrastrukturë ekonomikisht jofitimprurëse – si dhe të rrisin varësinë nga Kina.
Kush ishte në të vërtetë Josip Broz Tito? Pse shumë studiues besojnë se ai ishte një rus, që vodhi identitetin e dikujt tjetër?
Sipas të dhënave zyrtare, Josip Broz Tito lindi më 7 maj 1892 në Kumrovac të Kroacisë. Babai i tij ishte një fshatar i varfër, Franjo Broz, ndërsa e ëma Maria nga Sllovenia. Ai vdiq më 4 maj 1980 në Beograd. Megjithatë për shumë studiues, biografia e njeriut që sundoi më 36 vite ish-federatën Jugosllave mbetet një enigmë.
Shkrimtari Momçillo Jokiç, njeriu që është marrë më shumë se cilido me personalitetin e Titos, ka deklaruar për mediat serbe se Josip Brozi i vërtetë ishte një kroat që vdiq në Vjenë të Austrisë në vitin 1913, ndërsa identitetin e tij e mori spiuni dhe agjenti i shumëfishtë, Josip Ambroz, i ashtuquajtur Tito.
Sipas Jokiç, ai ishte fryt i dashurisë së flaktë mes një konteshe polake dhe menaxherit të pronave së saj, Franc Ambrozit. Për të shpëtuar nderin e saj si aristokrate, fëmija jashtëmartesor u dërgua të rritej në një familje të financuar nga babai i tij.
Varianti i dytë i prejardhjes së Tito-s, është ai i një fëmije jashtëmartesor i të ëmës Maria dhe i një polaku hebre, një industrialisti të famshëm nga Vjena, tek i cili Maria punonte si shërbyese herë pas here. Pohimin mbi prejardhjen hebreje dhe jo kroate të Titos, e ka mbështetur edhe mjeku i tij personal, Aleksandar Matunoviç, në librin e tij “Jovanka Broz – bashkësunduesja e Titos”, i botuar disa vite më parë në Beograd.
Dyshimi rreth prejardhjes së tij nga Kumrovaci, është zbuluar nga të afërmit e tij (gjenerali Gjuriç), të cilët kanë pohuar se në vitet 1950, mbërriti në Beograd nga Budapesti vëllai biologjik i Josip Brozit, që me profesion ishte punëtor hekurudhe në Hungari, për t’u takuar sërish pas shumë vjetësh.
Ai tha se njeriu që takoi nuk mund të ishte Josip Brozi, pasi vëllait të tij i mungonte gishti tregues në njërën dorë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjermanët kishin lëshuar fletë-arrestin për Josip Brozin në Zagreb, ku në fotografi shihej qartë dora e tij pa gishtin e mesit dhe atë tregues. Shumëkush pyeste veten se si një përpunues metalesh mund të luante në piano, sikurse pretendonte marshalli i Jugosllavisë.
Jokiç pohon se disa oficerë të Vermahtit që ishin burgosur në fundin e luftës, u pushkatuan vetëm pse e kishin njohur Titon në rininë e tij te hershme. Duke u lavdëruar me këtë fakt, oficerët kishin kërkuar të takonin personalisht Titon, duke shpresuar në një trajtim më të mirë, mirëpo pasi i takoi për pak momente, marshalli kërkoi me urgjencë pushkatimin e tyre.
Ndërkohë edhe gjithë të tjerët që e cilësonin enigmatike të shkuarën e Titos u pushkatuan, ose u dërguan nga kampin e tmerrshëm Goli Otok, ku i priste i njëjti fund. Ndërkohë një dokument i deklasifikuar i CIA-s pak vite më parë prej 4 faqesh, përmban një analizë të përdorimit të gjuhës serbo-kroate nga ana e Titos gjatë një fjalimi të mbajtur në vitin 1977 nga ish-udhëheqësi jugosllav.
Sipas kësaj analize, Tito fliste “me një theks të huaj”. Prandaj autorët e dokumenti, sugjerojnë se ish-udhëheqësi i Jugosllavisë nuk ishte me origjinë jugosllave. CIA hamendëson se ai ka të ngjarë të ishte rus ose polak. Edhe gjenerali Drazha Mihajloviç, kreu i lëvizjes serbe të rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore, tha pas takimit me Titon në vitin 1941, se Tito ishte rus.
Ndërkohë hipotezën më tronditëse e ka hedhur në vitin 1955 Marijan John Markul. Më 20 prill të atij viti, ai hyri në zyrën e FBI-së në Los Anxhelos të SHBA-së, dhe rrefeu për agjentët historinë shokuese. Sipas Markul, njeriu që njihet si marshalli Josip Broz Tito, nuk është Tito i vërtetë, por një agjent rus që mori identitetin e Titos, kur Josipi i vërtetë u zhduk në Rusi në vitin 1937.
Markul u tregoi agjentëve të Byrosë Federale, se e kishte vizituar Jugosllavinë në vitin 1953, dhe ishte takuar me Titon në 2 raste. Takimi i parë zgjati rreth një orë, dhe në atë rast ai vuri re se marshalli Tito kishte 5 gishta në secilën dorë. Ai tha se Titoja e vërtetë, e kishte humbur gishtin e mesëm dhe gishtin tregues të dorës së tij të majtë.
Ai shtoi se Tito, me të cilin bisedoi në vitin 1953, ishte i mirë-arsimuar dhe i binte pianos në mënyrë të shkëlqyer. Nga ana tjetër, Titoja i vërtetë ishte e paarsimuar, dhe sipas Markul nuk dinte të luante në piano. Ndër të tjera, Markul pohoi se Josip Brozi ishte rreth 180 cm i gjatë, ndërsa ai “i rremi” ishte vetëm 160 cm e gjatë.
Markul, pretendoi gjithashtu tha se njeriu që iu prezantua si Tito, fliste me një theks të dukshëm rus, dhe kishte një zë të butë. Ndërkohe që Titoja i vërtetë, e fliste i shpenguar gjuhën serbo-kroate, dhe kishte një ton më të vrazhdë. Markul tha se Titoja i vërtetë ishte shumë i sëmurë me tuberkuloz, dhe se ai vdiq në Rusi më 1937.
Markul u tha ndërkohë agjentëve të FBI-së se sipas tij, autoritetet jugosllave bashkëpunonin fshehurazi me Bashkimin Sovjetik, dhe se gjithçka do të bëhej publike më vonë. Ai shprehu besimin e tij se autoritetet sovjetike, nëse dëshironin, mund të demaskonin lehtësisht Titon,
duke shtuar se të gjitha deklaratat e tij mund të konfirmohen nga disa Zivko Topaloviç nga Franca.
Zivko Topaloviç, sipas Markul, e njihte Titon e vërtetë, ndaj për këtë arsye Jugosllavia e dënoi me 20 vjet burg, dënim të cilit i shpëtoi duke u arratisur në Francë. Topaloviç besonte se personi që paraqet veten si Tito ishte në fakt gjenerali rus Nikolai Lebedev. Të gjitha pretendimet e mësipërme, janë thjesht hipoteza, të cilat kanë nevojë për fakte kokëforta, që të merren seriozisht në konsideratë.
Ndër testet më kryesore që përdoren sot, është analiza e AND-së së eshtrave të një personi të dyshuar. Por nëse është e vërtetë që Tito nuk ka qenë jugosllav, kjo mund të shpjegonte edhe arsyen, se përse ai mundi të luante një rol aq të rëndësishëm ndërmjetës midis popujve të ndryshëm në Jugosllavi. Vetëm një dekadë pas vdekjes së tij, Jugosllavia nisi të shpërbëhej, nëpërmjet një sërë konfliktesh të përgjakshme./ Përshtati për Tirana Today, Alket Goce