Dy shtetasit turq Iskender Sale, Nejdet Cesuroglu dhe një kosovar me emrin Xhemal Shalla, dyshohet se kanë mbërritur në Shqipëri, me qëllim zhvillimin e një takimi me Admir dhe Hekuran Hoxhën, që të dy djem xhaxhallarësh, që dyshohen nga Krimet e Rënda si personat që trafikonin sasi të konsiderueshme heroine nga Turqia në vendet e Europës. Një ditë më parë shtetasi turk, Nejdet Cesuroglu u gjet i pajetë në një banesë në Mitrovicë. Qëllimi i këtij takimi sipas të dhënave të prokurorisë ishte përcaktimi i një vendi në zonën e Durrës, ku do fshinin heroinën dhe pikërisht nga ku do e përpunonin dhe trafikonin nëpërmjet portit të Durrësit drejt vendeve të BE. Për sjelljen e sasisë së heroinës në Durrës, dy kushërinjtë Roni Hoxha dhe Admir Hoxha, i shpallur në kërkim, flasin së bashku për rregullimin e disa letrave, për diçka në Durrës.
Kjo bisedë është zhvilluar në muajin Gusht të 2018 ndërkohë gjatë kësaj periudhe deri në Tetor, Hoxha mban kontakte me disa persona nga Kosova dhe Saimir Gjepalin, ku komunikon për disa detyrime financiare ku përmendet shifrat 800 dhe 500. Ndërkohë pas shumë bisedave, kushëriri i tij Admir Hoxha në tetor 2018 flet me një person, i cili e ve në dijeni se ka ardhur në Shqipëri një shtetas Kosovar dhe dy shtetas Turq, që sipas prokurorisë janë dy shtetasit turq Iskender Sale, Nejdet Cesuroglu dhe kosovari Xhemal Shalla.
”Shqiptarja.com” zbardh sot të plota përgjimet e Ronit të Shijakut dhe kushëririt të tij Admir Hoxha. Sipas prokurorisë këta dy persona janë dy drejtuesit e grupit kriminal, dhe personat përgjegjës që kishin organizuar futjen në Shqipëri nga Kosova të 161 pakove me heroinë. Sasia e drogës, ishte fshehur në një shtëpi në një nga fshatrat e Hasit në Kukës, dhe prej këndej po planifikohej të transportohej në Durrës, ku ishte siguruar një ambient për përpunimin e saj. Prej këndej, sasia e drogës do trafikohej në Itali.
Ndër të tjera, nga transkriptimi i përgjimeve mes Ronit dhe Admir Hoxha, në datën 30 gusht 2018, ndër të tjera është zhvilluar kjo bisedë:
Roni: Ka je?
Admir: Hiq… në Tiranë
Roni: E qa do bëjmë do takojmë sot
Admir: Po thanë, e lamë me këtë shokun tim se ka gjet ky ni ashtu aty n’Durrës që merr vesh nga këto letrat
Roni: Okej… rregullojmë njëherë letrat…
Roni: Mirë… shife vetë edhe ashtu, po me atë ke fol me të
Admir: Jo mor burrë s’kam fol u ba nja një javë ni javë u ba… hajt se folim nga afër…
Komunikim ndërmjet numrit 069XXX50 me numri +333 në përdorim të Hekuran Hoxhës në 14 gusht 2018 ku i dërgon sms me tekst:
“…O shok po më vjen Dori përditë… kam për t’i dhonë 800…”.
Ndërkohë në një tjetër komunikim mes Saimir Gjepalit dhe Ronit të Shijakut, Gjepali i dërgon sms me tekst:
“...o shok në dark do shkoj te ai se se nuk erdhi knejr. hë shok a vonohesh? A ikim bashkë? I tha do vij të takoj e kemi lon në 9 e gjys për zotin. o shok s’ka ardh akoma…?”.
Ndërsa në një komunikim tjetër të datës 12 shtator 2018 me një person të paidentifikuar i vjen ky mesazh:
“…jam në Kosovë vij vonë nga darka…”.
Më pas një person i paidentifikuar i dërgon një sms Hekuran Hoxhës, ku i thotë:
“…o Rono më erdh Dori ke puna osht dhy puna keq po s’më dhe lekët deri sonte nesër i du gjith më tha. e kam litarin n’fyt. o shok a bane noj gjo për atë 500 paktën t’i jap atë…”.
Roni: Nesër kismet shok….
Komunikon mee numrin 069XXX784, ku ky i fundit i dërgon në datën 14.08.2018 sms:
“Të them unë se munt të hiki në Lezh me kët shokun dhe kthehem direkt në Tiranë po nuk hika hikim bashkë”.
Sërish Ronit i shkruar një person tjetër ku i flet për një borxh financiar duke i shkruar në 14 gusht 2018:
“amon mer shok të kishim maru punë se kam dal legen me atë e kam majt gjith ditën tel të fik”.
Roni i kthen SMS: “ke të drejt, e di er shok kam dal dhe unë legen me ty. sa të vij të mar unë”.
Ndërsa sipas transkripimit të përgjimeve të datës 17 tetor 2018, ndërmjet Admir Hoxhës dhe një personi tjetër, në kohën kur kishin ardhur shtetasit nga Turqia dhe shtetasi kosovar zhvillohet kjo bisedë:
Admir: alo o flori si kalove nesër vijnë ca miq të mij aty thuaju të ulen në kafe…
+544: do vijnë ca miq tuj dhe do shkojnë te kafja….
Admir: thuaju të ulen te kafja…
+544: Ado erdhën këta tre shokët unë po ju flas anglisht por s’po më kuptojnë
Admir: m’i jep në telefon
+544: po (nga ana e OPGJ-ë është lënë shënimi se personat flasin turqisht me Adin).
Pretendimi i avokatit
Pavarësisht këtyre pretendimeve të prokurorisë dhe provave të administruara prej saj, kundër Hekuran Hoxhës, avokati i këtij të fundit ka pretenduar në gjykatë se klienti i tij nuk ka rrezik ikje, dhe për këtë i ka kërkuar gjykatës caktimin e një mase më të butë. Sipas avokatit Hekuran Hoxha, që para tre muajve ka ardhur në dijeni të kontrollit të banesës së tij, dhe ai nuk është larguar deri më tani. Sipas avokatit, Hekuran Hoxha është i sëmurë, i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër, ai është biznesmen. Ndërsa Admir Hoxha e ka pasur të punësuar prej shumë kohësh në biznesin e tij, po kështu Hekuran Hoxha mund të ketë komunikuar me Saimir Gjepalin, pasi e ka komshi dhe janë rritur bashkë dhe nuk ka dijeni se me çfarë merret.
Lidhur me lëndën narkotike që i është gjetur Saimir Gjepalit, për këtë është dënuar vëllai i tij dhe nuk ka lidhje me faktet që përmend Prokurori. Më tej avokati mbrojtës i Hoxhës thotë se ditën e ngjarjes personi Hoxha ka qenë te biznesi i tij. Hekuran Hoxha deklaroi se në vitin 2013, i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, duke vënë dy stenda, dhe më pas për këtë Gjykata e Durrësit e kishte liruar me kusht, pasi i rrezikohej jeta në burg. Lidhur me faktin penal që i atribuonte Prokuroria, Hoxha ka pohuar se nuk kishte asnjë lidhje, duke shtuar se ai nuk mund të akuzohej pa asnjë provë. Admir Hoxhën e kishte djalë xhaxhai dhe e kishte pasur të punësuar, prandaj mund të kishte pasur telefonata. Po kështu edhe me Saimir Gjepalin, duke e pasur komshi dhe shok mund të kishte pasur telefonata, por ai nuk kishte kryer asnjë vepër penale.
Turku gjendet i vdekur në Prishtinë
Por në dokumentin e prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se një nga shtetasit turq të shpallur në kërkim me vendim gjykate, është gjetur i vdekur në një banesë në Prishtinë. Nejdet Cesuroglu, është gjetur i pajetë nga policia Kosovare, e cila gjatë një operacioni të përbashkët me Prokurorinë Shqiptare ka hyrë në një shtëpi në Prishtinë, ku ka sekuestruar 113.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe ka arrestuar Kosovarin Xhemal Shalla dhe turkun Iskender Sale. Por gjatë kontrollit të banesës është gjetur dhe trupi i pajetë i Nejdet Cesuroglu. Ky i fundit nuk ka pasur shenja dhune, apo plagë në trup të shkaktuara nga armë zjari, por hetuesit kosovarë kanë ngritur dyshime se mund të kenë ndëruar jetë si pasojë e overdozës ose ndonjë ataku kardiak në zemër.
OPERACIONET E ARRESTIMEVE
Ky operacion në Kosovë është realizuar në fillim të dhjetorit 2018, ndërkohë në 17 janar 2019 në Shqipëri prokurori Vladimir Mara, urdhëroi policinë e Shtetit të arrestonin Hekuran Hoxhës, pasi nga të dhënat operative, ai kishte planifikuar të udhëtonte jashtë shtetit me qëllim largimin dhe fshehjen nga drejtësia. Gjatë operacionit policor për arrestimin e “Ronit të Shijakut”, policia ka sekuestruar një presë identike me ato që shërbejnë në laboratorët e heroinës për paketimin dhe presimin (ngjeshjen) e heroinës. Pikërisht në këtë presë metalike, është konstatuar përmbajtje të heroinës, një mostër e së cilës është analizuar. Për të shuar çdo dyshim që Hekuran Hoxha ka lidhje me 161 pakot e heroinës të sekuestruar në Has, prokurorët kanë urdhëruar ekspertimin e dy mostrave të heroinës së sekuestruar në Has dhe në Presën e gjetur në banesën e Hekuran Hoxhës.
Akuzat e prokurorisë
- “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”
2. “Trafikimi i narkotikëve”
3. “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar keiminal
4. “Grupi i strukturuar kriminal”
5. “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”
6. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. (Burimi:shqiptarja.com)