Ervin Salianji dorëhiqet nga posti i sekretarit të grupit parlamentar të PD-së dhe nr 2 të Grupit Parlamentar të PD-së. Ai thumbon me anë të një statusi në Facebook, duke thënë që “numërimi” e la jashtë.
Salianji shkruan se politika dhe Partia Demokratike kanë nevojë për vendosjen e një standardi përgjegjësie, ku secili sipas funksionit mban përgjegjësi. Sipas tij, funksioni politik si sekretar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike i takon të zgjidhet për parim nga Kryesia e re, dhe për këtë arsye jep dorëheqjen.
“Falenderoj demokratët dhe miqtë që më kanë mbështetur dhe më mbështesin! Numërimi për Kryesinë më nxori jo fitues me 1 votë, kjo matematikë duhet lexuar me përgjegjësinë e duhur. Ndaj duhet marrë koha e nevojshme për të vendosur se çfarë duhet të bëj më shumë për të merituar besimin, për të luftuar me qeverinë, apo të bëj opozitë më të fortë për të qenë përfaqësues i demokratëve, për një fitore edhe në numra edhe në frymë.
Gjykoj që çdo herë verdikti duhet lexuar qartë, dhe duhen mbajtur përgjegjësi. Mendoj që politika dhe Partia Demokratike ka nevojë për vendosjen e një standardi përgjegjësie, ku secili sipas funksionit mban përgjegjësi!
Gjykoj që dorëheqja shumë shpesh e munguar në politikë, duhet të kthehet standard! Funksioni im politik si sekretar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike i takon të zgjidhet per parim nga Kryesia e re, për këtë arsye jap dorëheqjen!
Kjo me jep më shumë mundësi të takoj dhe degjoj demokratet per tu pergatitur, dhe per te bere fushate per te rifituar besimin e organeve te larta te partisë!
Nga nesër, si përherë, do të jem në terren për të organizuar dhe mbështetur protestat e vendosura nga mbledhja e Këshillit Kombëtar!
Largimi i Rames nëpërmjet protestave si objektiv i vendosur tashmë, do jetë prioriteti dhe lufta e gjithë demokratëve, ashtu si dhe imja!”.