U përfol dje për prangosjen e 12 biznesmenëve, pasi akuzoheshin për ndërtimin e një skeme efektive. Por që me kalimin e orëve, është sqaruar e gjithë ajo tymnajë që ishte krijuar. Ka qënë avokati i disa prej të ndaluarve, i cili ka sqaruar të gjithë skemën, dhe se si disa persona të varfër ëndërronin për tu bërë dikush në një të ardhme të afërt. Por për fatin e tyre të keq, ranë në grackën e super mashtruesve.
12 biznesmenët kanë dalë sot në Gjykatën e Tiranës, ku dy prej tyre kanë marrë masën e sigurimit me 30 ditë burg, ndërsa 10 të tjerët kanë marrë masën “detyrim me paraqitje”. Avokati i disa prej të ndaluarve, Enea Cenko, ka deklaruar për “Report Tv”, se në të vërtetë nuk janë biznesmenë, por punëtorë të varfër të cilët kanë rënë viktimë të një skeme mashtrimi, ku iu është premtuar se do të ishin administratorë kompanish. Ai ka thënë se të ashtuquajturit biznesmenë, kanë firmosur me idenë se do të emëroheshin administratorë.
“Skema ka funksionuar e tillë; i është propozuar që të punësohen në rolin e administratorit, ata kanë pranuar. Më pas kanë firmosur nën idenë se do të emëroheshin si administratorë, por më pas i kanë marrë prokurën.
Nuk kanë arsyetuar shumë gjatë. Në të vërtetë ata janë të varfër, jetojnë në kushte migjeniste, menduan për një jetë më të mirë. Ata nuk kanë pasur as para për të paguar prokurat”, ka deklaruar avokati.
Ai përmendi më tej edhe njërin prej të ndaluarve si rast konkret, Aleksandër Gushon.”Aleksandër Gusho është një 50-vjeçar me shkollë të mesme. Sipas atyre që më kanë thënë komshinjtë e tij, Aleksandri ka ardhur nga Jetimorja, është i vetëm. Djali e ka braktisur, është ndarë nga bashkëshortja e tij, në frigoriferin e tij mund të gjesh vetëm një kile vaj”, u shpreh avokati Enea Cenko.