Prokuroria beson se dëmi i shkaktuar nga 20 subjekte tregtare përmes skemave fiktive të rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar është rreth 18 miliardë lekë. Gazeta “Si” ka siguruar dosjen e plotë të organit të akuzës ndaj 25 personave, 13 prej të cilëve janë prangosur dhe 12 të tjerë janë ende në kërkim.
Për të përfituar kompensimin e TVSH-së, të akuzuarit dyshohet se kanë regjistruar subjekte tregtare në mënyrë fiktive, pa asnjë lloj aktiviteti, me qëllim tërheqjen e blloqeve Tatimore të TVSH-së duke lëshuar fatura fiktive TVSH-je shitjeje.
Sipas kësaj dosjeje, skema e mashtrimit ishte e thjeshtë. Subjektet tregtare kryenin blerje fiktive nga kompani që operonin në fushën e tregtisë së produkteve ushqimore dhe më pas i shisnin po në mënyrë fiktive në kompani që operonin në fushën e ndërtimit. E thjeshtuar më shumë; kompanitë regjistronin si shembull, blerje djathi, qumështi, kosi e të tjera produkte ushqimore, që më pas ua shisnin kompanive që vepronin në fushën e ndërtimit.
Në të vërtetë, në gjithë zinxhirin e transaksioneve nuk ka patur asnjë produkt në mes. Pra, sërish si shembull, djathi i blerë nga “X” kompani e përfshirë në këtë skemë ekzistonte vetëm në faturë, por jo realisht. Më pas, kjo faturë i shitej kompanisë “Y”, e kështu me radhë deri kur faturat fiktive dorëzoheshin tek Drejtoria e Tatimeve, ku tërhiqej rimbursimi prej 20 për qind i TVSH-së për çdo blerje që ishte kryer.
Skema ka qenë e mirëorganizuar dhe në të besohet se janë përfshirë edhe disa persona të tjerë. Prokuroria dyshon se pjesë e këtij mashtrimi janë të paktën dy zyra të licencuara kontabiliteti, të cilat rregullonin “bilancet” tregtare të kompanive në fjalë, edhe pse duhet të kenë qenë në dijeni se transaksionet ishin thjesht fiktive.
Prokuroria është e bindur gjithashtu se personat e ndaluar dhe ata të shpallur në kërkim kanë shkelur nenin 144/a të Kodit Penal, sipas të cilit organizimi dhe vënia në funksion e skemave mashtruese për rimbursimin e TVSH-së dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet burg.
Gjithashtu, personat në fjalë kanë shkelur edhe nenin 190 të këtij Kodi, duke paraqitur rrethana të rreme përsa i takon rimbursimit të TVSH-së. Për këtë akuzë ata rrezikojnë nga gjashtë muaj deri në katër vite burg.
Skemë e njohur në vendin tonë
Kjo skemë është “importuar” shpejt në vendin tonë dhe nuk është krejtësisht e panjohur për autoritetet ligjzbatuese dhe tatimet shqiptare. Vetëm një vit më parë, policia arrestoi 6 biznesmenë dhe shpalli në kërkim 5 të tjerë për akuzën e mashtrimit me skemën e TVSH-së. Në atë kohë u tha se truri i kësaj skeme ka qenë shtetasi Sokol Lami, i cili u shpall në kërkim nga Policia menjëherë pas arrestimit të gjashtë biznesmenëve Dhimitraq Çelo, Shkelqim Hasani, Bujar Murataj, Ruzhdi Murataj, Indrit Sulaj dhe Nevruz Lami. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta shtetas kishin krijuar e regjistruar në QKB më shumë se 50 subjekte fiktive, pa asnjë punonjës dhe pa asnjë aktivitet tregtar real. Nga hetimet e Prokurorisë u zbulua se Sokol Lami plotësonte faturat e TVSH-së ne emër të biznesmenëve, sikur kishin kryer blerje të ndryshme me njëri-tjetrin, por në realitet nuk kishin bërë asnjë shkëmbim tregtar. Dëmi i shkaktuar u përllogarit në 1 milionë dollarë.
Arrestime dhe dosje akuza të ngjashme kanë ndodhur herë pas herë, por mes rasteve më të bujshme mund të përmendin atë të Francesco Beçhettit. Biznesmeni italian, në Shqipëri kishte marrë prej kohësh lejen për ndërtimin e Hidrocentralit të Kalivaçit dhe kishte hapur edhe një televizion privat. Por, në 2015 dy kompanitë, KGE dhe Energji, në pronësi të tij u akuzuan për evazion fiskal dhe skemë mashtrimi me TVSH.
Prokurorët thanë se kompania “Energji” ka blerë punime nga nënkontrakorë privatë për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Më pas këto punime ja ka shitur shoqërisë tjetër të Beçhetti-t të quajtur KGE, por me çmime dhe sasi të fryra në mënyrë artificiale. Sipas dokumentave, përgjatë periudhës 2007-2013, “Energji” ka blerë në total 14.5 milionë euro punime nga nënkontraktorët privatë, por ja ka shitur ato shoqërisë “KGE” me vlerë dy herë më të lartë, ose 28.6 milionë euro.
Përmes kësaj skemë, Prokuroria thotë se, “kompania ka rritur në mënyrë fiktive kreditimin e TVSH-së dhe vetëm në vitin 2009 ka kërkuar rimbursim për 45 milionë lekë TVSH duke mashtruar shtetin”. Kjo skemë është përsëritur vit pas viti dhe prokurorët e ilustruan atë me shifrat përkatëse për çdo vit, që nga viti 2007.