Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade e ftuar në emisionin “A Show” ka folur për ndryshimin mes PS-së së Fatos Nanos dhe asaj të Edi Ramës.
“Në parantezë, s’konsiderohem një nga miqtë e Nanos”, sqaroi Arta Dade.
Më tej u shpreh: “Gjykoj që Nano respektonte strukturat e partisë, ligjet që kemi brenda partisë që janë në PS. Tani është hequr zgjedhja, vete kryetari i partisë s’është zgjedhur, ka 12 vjet”.
Dade komentuar mosdekretimin e Gent Cakajt në krye të ministrisë së Jashtme. Dade teksa e komentoi Cakajn si të panjohur, nuk kurseu as batutat: “përderisa është kaq i mirë pse nuk ia çojmë Kosovës”.
“Sinqerisht nuk e kam njohur atë djalë, kur filloi të bëhej element i medias fillova të kërkoj CV –në e tij dhe nuk e dija që ishte zv.ministër i Jashtëm. Dhe ai nuk duhet të jetë edhe kryenegociator. Përtej faktit që ai është i lexuar, njeh procesin tonë. Mbase të isha unë të isha në vend në Bushatit, nuk do ta lija si krye negociator. Fakti që është nga Kosova, ishin ekzagjerime. Fjala ‘turp’ ka inflacione, ky djalë nuk ka as mandat përfaqësimi. Mua më vjen keq, por përderisa është kaq i mirë pse nuk ia çojmë Kosovës. Kosova ka nevojë për të tilla potenciale”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Dade u shpreh se ndihej e befasuar me reagimin e kryeministrit Edi Rama pas mosdekretimit nga Presidenti Ilir Meta. Ajo tha se Rama një luftë të tillë ‘me një gjuhë të papranueshme institucionale’ nuk e ka bërë edhe kur është sulmuar nga opozita. “Ajo që më ka befasuar është pse kryeministri ka bërë gjithë këtë luftë, me një gjuhë të papranueshme institucionale. Nuk e ka bërë edhe kur na kanë sulmuar, dhe si ka mundësi që të krijohet gjithë ky problem serioz me Presidencën”, u shpreh ajo.
Arta Dade u shpreh se, e majta duhet të ribëhet, pasi sipas saj, nuk janë përfaqësuar ata që kanë themeluar PS-në.