Dy Ministrat e Brendshëm të Shqipërisë dhe të Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje për ngritjen e ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.
Kjo marrëveshje do të thotë që shtetasit, automjetet dhe mallrat, të cilët hyjnë ose dalin nga territori i palëve, u nënshtrohen kontrolleve të përbashkëta nga autoritetet përkatëse përgjegjëse, vetëm një herë, bazuar në parimin “Një ndalesë, një kontroll”.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj tha se ky është hapi i parë drejt finalizimit të heqjes së plotë të kontrolleve në kufi.
Për mua është një kënaqësi që të nënshkruajmë një marrëveshje shumë të rëndësishme. Së pari ju përcjell përshëndetjet e kryeministrit Rama që tha do të vijë vetëm kur të hiqen plotësisht kontrollet.
Me këtë marrëveshje ulim 50% kohën e pritjes dhe sigurisht objektivi është për ta çuar në zero kohën e pritjes. Pra, ne po punojmë për të eliminuar plotësisht kontrollin drejt kufijve të përbashkët. Ky është një hap për lirinë e lëvizjes.
Çdo hap të rritjes së lirisë së lëvizjes ta shoqërojmë edhe me rritjen e sigurisë.
Ne po punojmë intensivisht për të krijuar të gjitha mekanizmat e duhur për lirinë e plotë të lëvizjes. Hapi tjetër është nënshkrimi i një marrëveshje midis dy qeverive për eliminin e plotë të kontrolleve. Është një hap drejt vendosjes së standardeve të mirëfillta si në të gjithë kufijtë e Evropës.