Partia Demokratike ka reaguar pas kërcënimeve që janë bërë në adresë të gazetarit Ylli Rakipi. Kjo forcë dënon kërcimet që janë bërë ndaj gazetarit, duke i dhënë kurajo për të denoncuar vjedhjet që janë bërë nga Rama, përmes skemës kriminale.
Më tej citohet se kërcënimi ndaj gazetarit Ylli Rakipi, mbetet kërcënim ndaj shoqërisë tonë, dhe se krimi ndjehet më i fortë se shteti dhe se drejtësia. PD ndalet edhe në emra, duke bërë përgjegjës të vetëm kryeministrin Rama.
“Partia Demokratike dënon në mënyrën më të ashpër kërcënimet që i janë bërë gazetarit Ylli Rakipi. Ne jemi në krah të z. Rakipi, me të njejtën kurajo dhe vendosmëri me të cilën ai ka denoncuar vjedhjen dhe pastrimin e 30 milionë eurove nga Edi Rama, përmes një skeme ndërkombëtare kriminale.
Kërcënimi ndaj Ylli Rakipit nuk është thjesht kërcënim ndaj një gazetari, por është kërcënim ndaj gjithë shoqërisë sonë.
Kur krimi guxon të kërcënojë një njeri të medias, në kohën kur autorët e skandalit janë të gjithë të identifikuar, kjo do të thotë vetëm një gjë: krimi ndjehet më i fortë se shteti dhe se drejtësia.
Pavarësisht se kush është personi që ka bërë direkt kërcënimin, autori i vërtetë është Edi Rama, frymëzuesi, ortaku dhe mbrojtësi kryesor i krimit në vend. Asnjë qytetar nuk është më i mbrojtur në Shqipëri, dhe nuk do të jetë derisa Edi Rama të largohet nga pushteti”.