Nga Stephen Collinson “CNN”/ Javët e zbulimeve ligjore shkatërruese, kanë hedhur hijet e kriminalitetit në karrierën politike të Donald Trumpit, dhe jeta, presidenca dhe perandoria e tij financiare, ndodhet nën sulmin e prokurorëve të pamëshirshëm në fronte të shumëfishta.
Ditët e dosjeve gjyqësore, dëshmive të zbuluara, seancave dëgjimore gjatë muajit të fundit, kanë shkaktuar goditje të forta, që duket se e ekspozojnë Trumpin dhe bashkëpunëtorët e tij, ndaj shkeljeve serioze ligjore dhe politike. Por materiali voluminoz i prokurorit të posaçëm Robert Myler, dhe zyrtarëve të tjerë, kanë formësuar tablonë më të madhe të një presidence të dominuar nga skandale tronditëse.
Thënë thjesht:fushata e Trump, periudha e tranzicionit, komiteti i ceremonisë së inaugurimit, dhe tani presidenca, ndodhen nën hetime aktive penale. Biznesi i tij, Organizata Trump, dhe Fondacioni Trump, janë gjithashtu nën hetim. Universiteti i tij, Trump University, cilësohet tashmë si një mashtrim.
Vetë presidenti, është tërthorazi i implikuar nga prokurorët e Nju Jorkut, të mbikëqyrur nga Departamenti i tij i Drejtësisë, për të hetuar tentativat kriminale të shkeljes së ligjeve të financimit të fushatës. Pastaj, është një padi civile e ngritur nga shtetet e udhëhequra nga demokratët, e bazuar në pretendimet se refuzimi i Trump për t’u shkëputur tërësisht nga bizneset e tij, nënkupton se ai është duke e përdorur pozicionin e tij për të përfituar nga marrëveshjet mbi zinxhirin e shërbimit të tij hotelier, që bien ndesh me Kushtetutën.
Aspektet e shumta të hetimit, janë gati të jenë më shumë gjithëpërfshirëse, në komisionet e shumta në Kongresin e dominuar tashmë nga demokratët, duke filluar me mbikëqyrjen e financave personale të Trumpit, operacionin politik dhe Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm.
Shumë nga ata që zgjodhën t’i bashkohen Trumpit, janë ndëshkuar nga ligji, ndonjëherë për shkelje që nuk lidhen me presidentin, por sepse u janë hapur prokurorëve mbi sjelljen e tij. Ish-shefi i fushatës së tij, Pol Manafort është në burg.
Ish-avokati i tij dhe “ndreqësi” i telasheve të tij, Majkëll Kohen rrezikon të përfundojë pas hekurave vitin që vjen. Zëvendësshefi i fushatës së tij, Rik Gejts, është tashmë një kriminel i penduar. Xhorxh Papadopulos, ish-anëtar i bordit të tij të këshillit të politikës së jashtme, sapo ka dalë nga burgu, pasi pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë.
Ish-këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, Majkëll Flin mund të shmangë vetëm burgun, pasi u kthye kundër ish-shefit të tij. Vazhdojnë ndërkohë të qarkullojnë dyshime rreth këshilltarit të vjetër politik të Trump, Roxher Stoun, ndër të tjera për atë që ai dinte në lidhje me vjedhjen e postës elektronike të Hilari Klintonit, e publikuar më pas në Uikiliks.
Dhe njerëzit më pranë Trumpit, si djali i tij, Don Xhunior dhe dhëndri Xhared Kushner, s’mund të thuhet me siguri se janë të pastër, edhe pse të gjithë, përfshirë presidentin, vetëshpallen të pafajshëm, dhe e minimizojnë hetimin e Mylerit.
Sidoqoftë, suksesi i këtij të fundit në sigurimin e marrëveshjeve të fajësisë nga Flin, Gejts dhe Kohen, është duke e shtuar rrezikimin e pozitës ligjore të presidentit. Në një nga kthesat më surreale të presidencës Trump, në Uashington po zhvillohet një debat rreth asaj se si Trump mund të fitojë një mandat tjetër, për të kapërcyer një statut kufizimesh nga akuzat për financimin e fushatës.
Kjo gjurmë e pandershmërisë dhe mashtrimit, ishte e dukshme edhe para se Myleri të kishte nisur hetimin e tij dhe konstatuar gjetjet skandaloze. Nëse ai ka gjetur dëshmi se ekipi i fushatës së presidentit ka bashkëpunuar me Rusinë, dhe nëse ai e ka penguar drejtësinë në shkarkimin e ish-shefit të FBI-së, Xhejms Komej dhe një përpjekje për të penguar Mylerin, kjo mbetet të shihet.
Një vlerësim i plotë i pozitës politike dhe ligjore të Trump, mund të bëhet i qartë vitin e ardhshëm. Por Presidenti e ka shprehur tashmë shqetësimin e tij, sipas raportimit të CNN, se ai mund të shpallet fajtor dhe të shkarkohet nga detyra. Por edhe nëse ndalen tani të gjitha hetimet, dhe lirohet nga të gjitha akuzat, Trump do të mbahej sërish mend se ka udhëhequr një nga presidencat më skandaloze të historisë moderne.
Trump dhe mbështetësit e tij pohojnë se nuk ka asnjë faj, dhe se problemet e presidentit vijnë nga prokurorët mashtrues nga “shtetit të thellë” që e ka urryer gjithmonë Trumpin. Ndërkohë, analistët konservatorë pretendojnë se vullneti demokratik i votuesve, rrezikon të keqpërdoret nga mediat e “lajme të rreme”, që janë armiqësore ndaj tij.
Këshilltarja e Trump, Kellien Konuej këmbënguli në një intervistë për CNN të enjten e shkuar, se armiqtë e supozuar të Trump në media, po injoronin me dashje argumentet e tij, se ai nuk e ka thyer ligjin. Një tjetër mbështetës i Trump, Rudi Xhuliani, thotë se Kohen nuk duhet të besohet, pasi ai është një gënjeshtar i dënuar.
Megjithatë, faktet në rritje nga Myler dhe prokurorë të tjerë, po i bëjnë më të pak të besueshme mohimet e fajësisë nga Trump dhe mbështetësit e tij. Ndërsa po shfaqen detaje edhe më të dëmshme, Trump po kënaqet me praktikën e tij të zakonshme të braktisjes së një pozicioni që është bërë i papërshtatshëm, dhe po ndërton një realitet të ri që i përshtatet më mirë atij.
Për shembull, pasi mohoi se kishte dijeni për pagesat me vlerë qindra mijëra dollarë, tani ai thotë se nuk i ka thënë Kohenit që të thyente ligjin. “Si avokat, Majkëll ka një përgjegjësi të madhe për mua!”- shkroi në Twitter Trump.
Por narrativa se Kohen është një gënjeshtar, bën që Trump të shpërfillë detajet vendimtare të dosjeve të Myler. Prokurori i posaçëm, ka bërë të qartë në dosjet që i ka nisur gjykatës se ai ka vërtetuar pretendimet nga dëshmitari i tij bashkëpunëtor Kohen.
“Ka një sasi të konsiderueshme informacioni, që vërteton faktin që unë po them të vërtetën”- tha Kohen në një intervistë për ABC Neës. Motoja e përsëritur e Trumpit për “asnjë bashkëpunim”, me rusët po duket gjithnjë e më e pavend. Ka pasur kontakte të shumta midis bashkëpunëtorëve të Trump dhe rusëve gjatë fushatës dhe periudhës së tranzicionit mes dy presidencave – të paktën 16 sipas raportimit të CNN.
Dhe shumë prej bashkëpunëtorëve kanë gënjyer, duke dhënë përshtypjen se po përpiqen të mbulojnë diçka. Pretendimet e presidentit, se ai nuk kishte të bënte aspak me Rusinë janë dëmtuar nga zbulimet e Kohen, se Trump po interesohej për nënshkrimin e një marrëveshje potencialisht fitimprurëse për të ndërtuar një kullë luksoze në Moskë deri në mesin e fushatës, dhe ishte njëkohësisht objektivi i një përpjekjeje për ndërhyrje nga spiunët e Kremlinit.
Dhe Myler është duke hetuar, nëse ekziston një lidhje midis sipërmarrjeve të biznesit të Trump, dhe ndërhyrjes së zgjedhjeve të Rusisë.
Në një memo të publikuar më herët gjatë këtij muaji, ai shkroi se projekti “Trump Tower”, “ndodhi në një kohë të përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë ruse, për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së”. Sigurisht, është e mundur që të gjithë këta bashkëpunëtorë të Trumpit të kenë vepruar hera-herës jashtë dijenisë së Presidentit.
Por ideja që Trump nuk dinte fare asgjë, se Rusia po tentonte të depërtont në fushatën e tij, në lidhje me pagesat apo aspekte të tjera kryesore të çështjeve që po hetohen, duket e pamundur, duke pasur parasysh rolin e tij të plotfuqishëm në rrethin e tij të brendshëm.
Dhe ai e ka dëshmuar tashmë se ka gënjyer, nëse duhet t’i besohet Mylerit, mbi aspektet kryesore të hetimit të Rusisë dhe ndërveprimin e tij me Kohen. Megjithatë, shumë ekspertë ligjorë besojnë se nëse zbulohen shkeljet, presidenti është i imunizuar nga ndjekja penale, për shkak të pozitës së tij unike kushtetuese.
Nëse shkelja e tij e vetme rezulton të jetë në financimin e fushatës, ngjan e pamundur që demokratët në Kongres të rrezikojnë nisjen e procedurave të fajësimit (impeachment), bazuar në akuza që mund të mos jenë “krime dhe kundërvajtje të mëdha”.
Deri më tani, trupa e mbështetësve republikanët të Trump në Senat, që ka fjalën e fundit mbi fajësimin, është duke qëndruar e palëkundur. Nëse Myler do të prodhojë apo jo një raport aq shkatërrues, sa të shkaktojë një çarje të bazës politike të fuqisë së Trump në zgjedhjet e vitin 2020, kjo mbetet e paprovuar.
Tani për tani, diçka është e qartë: pozicioni ligjor dhe politik i Presidentit është shumë më i rrezikshëm se sa ishte disa javë më parë, dhe ai ka arsye të shqetësohet për një stuhi hetimesh që po gërmojnë thellë në jetën e tij private, biznesore dhe politike.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce