Blerina Gjylameti i ka dalë në mbrojtje kryeministrit lidhur me kërkesën e tij për dialog, drejtuar studentëve të cilët kanë dalë në ditën e 13-të të protestës së tyre.
E ftuar në studion e News 24, deputetja socialiste lavdëroi kryeministrin teksa tha se Rama ka bërë një gjë që askush tjetër në histori nuk e ka marrë përsipër ta bëjë më parë.
“S’besoj se ka pasur ndonjëherë në histori një përgjigje të tillë nga një kryeministër, përsa i përket demokracisë. Studentët sot duhet të ishin pranë auditorëve për të zgjedhur përfaqësinë e tyre nga vetë ata, që më pas të uleshin me kryeministrin,” tha Gjylameti.
Më tej, deputetja tha se e sheh me skepticizëm futjen e studentëve në grevë, pasi kërkesat e tyre janë gati nga kryeministri për t’u plotësuar. Ndërsa deputetja shkoi më tej, teksa akuzoi se protestuesit po pengojnë dëshirën e studentëve të tjerë për të hyrë në mësim.
“Nuk besoj se do arrijnë në një pikë të tillë, për sa kohë që kërkesat po plotësohen dhe kryeministri është i gatshëm për t’ia plotësuar.
Buxheti për arsimin është rritur ndër vite. Numri i studentëve që është në protestë kundrejt atyre që janë në total, është jo më shumë se 10%. A është kjo përfaqësia ekzakte e studentëve. Pse duhet të pengojnë këmbënguljen dhe dëshirën e disa të tjerëve për të hyrë në mësim.
Ata që janë për dialog do duhet të që ulen dhe të zgjedhin përfaqësitë e tyre. Nëse janë këto 8 kërkesa ose më shumë, që besoj se ka më shumë problematika, do duhet të ulemi për të biseduar,” tha Gjylameti.