Në ditën e tetë të protestës së studentëve, vjen reagimi i Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës. Ky i fundit, në një deklaratë të publikuar për mediat dhe sqarimin e opinionit publik, përgënjeshtron deklaratën e kryeministrit Rama se tarifa për provimet e mbartura u vendos nga vetë dekanët dhe rektorët e universiteteve.
Më tej, në deklaratë thuhet se Senati Akademik i UT-së mbështet kërkesën e studentëve për përgjysmimin e tarifave të shkollimit dhe ngarkohet Bordi i Administrimit të bëjë përllogaritjen e efekteve financiare për UT-në.
Deklarata e plotë:
Deklaratë e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës!
Senati Akademik i Universitetit të Tiranës në mbledhjen e tij të datës.12.12.2018, në mbështetje të protestës të studentëve dhe në zbatim të kompetencave të tij ligjore, vendosi unanimisht që të shprehet me këtë deklaratë:
- Universiteti i Tiranës nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosje tarifash për provimet e mbartura (pika 4 e shfuqizuar e Vendimit nr.288, datë 21.5.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë, në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë”).
- Universiteti i Tiranës mbështet kërkesën e studentëve për përgjysmimin e tarifave të shkollimit, dhe ngarkohet Bordi i Administrimit të bëjë përllogaritjen e efekteve financiare për UT-në.
- Në kuadër të arsimit cilësor, etikës në kërkim, transparencës dhe përfshirjes më të gjerë të studentëve, merr përsipër të përshpejtojë të gjitha mekanizmat përkatëse materiale dhe proceduriale për realizimin e tyre brenda këtij viti akademik.
- Në aktet e brendshme të Universitetit të Tiranës do të parashikohen rregulla të qarta për rritjen e pjesëmarrjes së studentëve në veprimtaritë akademike dhe financiare.
- Universiteti i Tiranës merr përsipër ngritjen e një grupi të përbashkët pune pedagogë-studentë për shqyrtimin e të gjitha problematikave të ngritura si dhe të çështjeve të tjera që lidhen me përmirësimin e veprimtarisë së UT-së.
SENATI AKADEMIK
UNIVERSITETIT TË TIRANËS