Kritikat dhe deklaratat e Ramës në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës, janë konsideruar si presion ndaj BE-së, që kjo e fundit të përshpejtojë integrimin e Shqipërisë.
Por, sipas analistit Besnik Mustafaj, ky presion i kryeministrit nuk është një sjellje që e favorizon Shqipërinë. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, Mustafaj tha se fjalori dhe shantazhi i shefit të qeverisë për Bashkimin Europian nuk është alternativa e duhur:
“Rama mendon se mund të shantazhojë Brukselin, por nuk mund të shantazhojnë as Komisionin Evropian as vendet anëtare të BE-së. Ka ikur koha e shantazheve. Janë lajthitje totale dhe janë krejtësisht jashtë klimës së Bashkimit Europian, kur kanë mbetur edh 5 muaj në hapjen ose jo të negociatave. Nuk është vetëm Rama që thotë se ka një standard të dyfishtë, kjo është vënë në pah edhe nga politikanë të tjerë të Europës”, tha Mustafaj, raporton BW.
Mes tjerash, Besnik Mustafaj u ndal edhe tek tarifa e aplikuar nga Kosova për Serbinë, të cilën e cilëson si një veprim të drejtë politik.
“Kosova duhet të kërkojë të mbajë drejtësi ndaj saj nga Bashkimi Europian. Struktura më e vështirë për një strukturë është Parlamenti Europian, sepse jemi edhe në zgjedhje gjatë pranverës. Nuk është si në lojërat e kalamajve pse nuk ma bën mua dhe ia bën atij. Kosova ka një problem, e cila lidhet mes dy filozofisë mes kryeministrit dhe presidentit. Së pari duhet të ketë unitet së brendshmi, e pastaj në sferat e tjera. Kjo nuk zgjidhet me deklarata populiste.
Janë tre probleme të ndryshme në pyetjen tuaj. Ai mbështeti teorinë në përpjekjet e Thaçit për kufijtë. Ne kuptuam qartë se Rama mbështeti Thaçin, por thelbësore është të marrim vesh se Rama është në mbështetje të lëvizjes së territoreve. Ne kuptuan se 10 % i tarifës fillimisht dhe pastaj 100% të tarifave që ka vendos Kosova ndaj Serbisë, siç e tha Rama është një masë politike. Nuk dua ta gjykojë këtë, sepse Serbia nuk sillet mirë me Kosovën.
Ajo bën një fushatë të madhe ndërkombëtare, për të penguar njohjen, por edhe për të tërhequr edhe njohjen e pavarësisë. Pra kjo lloj sjellje e Serbisë kërkon një lloj qëndrimi politik. Kosova siç del nga shifrat importon 400 milionë euro në vit me Serbinë, kjo duket se është një partner i rëndësishëm ekonomik. Ajo bën përpjekjet për të penguar prosperitetin e Kosovës. Diplomacia e Kosovës është shumë pasive. Nuk bëhet diplomacia me fluturimin privat që bën Pacolli, diplomacia është çështje ekipi”, shtoi Mustafaj.