Rikthehet në vëmendje çështja Kacifas. Pas ceremonisë mortore, dhjetëra grekë pritet të mbërrijnë në Bularat më 8 Dhjetor, për të 40-tat e Kacifas. Mediat greke e kanë shpërndarë këtë njoftim, duke publikuar edhe mënyrat e kontaktit dhe koston e këtij udhëtimi, për të cilin janë vënë në dispozicion disa autobusë.
Ceremonia do të mbahet të shtunën e 8 dhjetorit, në orën 11:00 me orën lokale, në kishën e Shën Athanasit në Bularat.
“Për këtë qëllim janë vënë në dispozicion disa autobusë. Të gjithë ata që duan të marrin pjesë në këtë përkujtimore duhet të regjistrohen deri në datën 5.12.2018, ndërsa kostoja e udhëtimit është 30€. Lutemi për të gjithë ta shpërndajmë. Të jemi këtu me një mesazh të fuqishëm! Të vendosur! Të çojmë mesazhin tonë për atdheun tonë .Për dheun tonë. Është gjëja më e paktë që mund të bëjmë për të nderuar kujtimin e Kostës sonë”, shkruajnë mediat greke.
Kujtojmë se vrasja e ekstremistit grek nga forcat RENEA shkaktoi debat të madh dhe tension mes dy shteteve. Ceremonia e varrimit të 28 vjeçarit minoritar u shndërrua në një shfaqje antishqiptare, ndërsa 52 shtetas grekë mes të cilëve edhe eurodeputetja qipriote Eleni Theocharus u shpallën “non grata”.