Nga Simone Benazzo “eastwest.eu”/ Javën e kaluar ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, njoftoi se kishte marrë statusin e refugjatit politik në Hungari, ku u arratis që në mes të këtij muaji, për t’i shpëtuar një dënimi me 2 vjet burg, me akuzën e shpërdorimit të fondeve publike.
Arratisja e tij në “oborrin” e Viktor Orbanit, e bën Hungarinë një vend mbrojtës të udhëheqësve jo-liberalë të Ballkanit, dhe minon themelet e politikës së jashtme të Brukselit. Në fakt, Bashkimi Evropian është rreshtuar në mënyrë të hapur në mbështetje të qeverisë aktuale të kryesuar nga Zoran Zaev, i cili erdhi në pushtet në vitin 2017, pas protestave të vrullshme që i dhanë fund qeverisjes autoritare të Gruevskit.
Shkupi është angazhuar aktualisht në ratifikimin e marrëveshjes historike me Greqinë mbi emrin, një pakt jetik për të ringjallur perspektivat e integrimit euro-atlantik të republikës së vogël post-jugosllave, praktikisht të avulluara gjatë epokës Gruevski. Por arratia e ish-udhëheqësit maqedonas, është një lëvizje që mund të shkaktojë një efekt domino në disa nivele, edhe jashtë Ballkanit.
Në Maqedoni
Të parët në bankën e të akuzuarve, janë pa dyshim autoritetet e Shkupit. Fakti që një ish-kryeministër, lideri i një sistemi të bazuar tek nepotizimi dhe ryshfeti, dhe i dënua me një vendim të formës së prerë nga gjykata, dhe është ende nën hetim për një mori krimesh të tjera, mundi të largohet qetësisht nga vendi, nxjerr në pah dobësinë e institucioneve të Maqedonisë.
Më së pari është përgjegjësi e organit gjyqësor, kur nuk përjashtohet prania e segmenteve të veçanta ende besnike të klikës së Gruevskit – ose të paktën të shantazhueshme – dhe të cilëve u interesonte direkt një arratisje kaq e guximshme, e koordinuar edhe me trupin diplomatik hungarez.
Por edhe i qeverisë ekzistuese që ra në gjumë, pavarësisht se ia ka paraqitur Budapestit kërkesën për ekstradimin e Gruevskit, kërkesë që nëse konfirmohet marrja e statusit të refugjatit, nuk mund të përmbushet sipas ligjit ndërkombëtar.
Nuk janë të paktë ata që mendojnë se Zaev dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë zgjedhur të injorojnë qëllimisht sinjalet se Gruevski ishte duke u përgatitur të arratisej për të shmangur dënimin. Ish-kryeministri e justitifkoi veprimin e tij, me pretendimin se ka marrë kërcënime me vdekje, ndaj jeta e tij pas hekurave të burgut do të qe e pasigurt.
Në një situatë kaq delikate për të ardhmen e Maqedonisë , në sferat e larta të pushtetit mund të jetë arritur në përfundimin se një i arratisur jashtë vendit, do të ishte më komod se sa një hero në atdheun e tij. Pavarësisht nga e vërteta, sistemi politiko-institucional maqedonas, shfaqet tejet i diskredituar përpara partnerëve ndërkombëtarë.
Në Ballkan
Nëse siç thuhet, Gruevski ka kaluar përmes Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë për të arritur në Hungari, është e natyrshme të vihet në pikëpyetje mungesa e vëmendjes së treguar nga policitë kufitare përkatëse. Nga njëra anë, duhet të theksohet se në kohën e kalimit tranzit, për ish-kryeministrin maqedonas nuk kishte ende asnjë urdhër-arresti ndërkombëtar
Por është po aq e vërtetë, se i arratisuri ka kaluar nëpër 4 kufij ndërkombëtarë, edhe pse nuk kishte me vete një pasaportë të vlefshme për të udhëtuar jashtë vendit. Nuk është sekret që liderët e Ballkanit, me përjashtim ndoshta të Tiranës, që nxituan të japin justifikime jo krejtësisht të pakundërshtueshme , ta shohin me sy të keq përvojën e qeverisë socialdemokrate në Maqedoni.
Një qeveri haptazi reformiste, e ngjitur në pushtet pas protestave të gjata popullore, dhe e aftë të përballet me një mosmarrëveshje diplomatike disa-dekadëshe, përfaqëson një krahasim të turpshëm për kryeqytetet e Ballkanit.
Podgoricës dhe Beogradit nuk u pëlqen statusi i sotëm. Vuçiç dhe kolegët e tij, dinë të përfitojnë shumë mirë nga pozicioni i tyre. Brukseli mund të dialogojë vetëm me ta, për të nxitur ndonjë përpjekje për reforma. Fasada pro integrimit në BE, siguron ende besueshmëri në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe fluksin e vazhdueshëm të fondeve, ndërsa de fakto mund të vazhdohet të sundohet si gjithmonë, duke shtypur zërat kundër brenda vendit, dhe përkëdhelur sedrën e mendjeve më nacionaliste për pretendimet territoriale.
Përvoja e re e mishëruar nga qeveria Zaev, i shqetëson liderët e moderuar jo-liberalë në rajon. Jo më pak për pozicionin e mprehtë anti-rus, një opsion që anulon pozicionin që nomenklaturat e Ballkanit kanë qenë në gjendje ta përdorin shpesh si formë presioni, duke kërcënuar se do të afrohen me Kremlinin.
Në Bashkimin Evropian
Por veçanërisht në Bashkimin Evropian, “stuhia” e shkaktuar nga Gruevski, ka të ngjarë të shndërrohet në një tornado. Edhe përballë divergjencave të vjetra- për shembull, 5 shtete anëtare nuk e njohin Kosovën – 27 shtete anëtare kanë rënë deri më tani dakord mbi udhëzimet që duhen ndjekur në procesin e zgjerimit, i cili duhet të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor .
Sfida e lëshuar nga Orban, që i garantoi azilin politik ish-njeriut të fortë të Shkupit, përfaqëson para së gjithash një goditje ndaj politikës së jashtme evropiane. Por jo vetëm. Ai u dërgon një mesazh të gjithë liderëve jo-liberale të hapësirës post-komuniste dhe më gjerë:afërsia ideologjike, është më e rëndësishme se sa nevojat e supozuara gjeopolitike , madje edhe në raste ekstreme solidariteti mes autokratëve nuk mund të mungojë.
Jo rastësisht të premten e kaluar, kryeministri hungarez e cilësoi Gruevskin në radion kombëtare si një mik, një aleat të domosdoshëm, i provuar në bllokimi e fluksit të emigrantëve dhe refugjatëve drejt Hungarisë, dhe gjithnjë në krahun e tij për të kundërshtuar sulmet imagjinare të financierit Xhorxh Soros.
Nuk është thjesht bojkoti i disatë i linjës së përbashkët të BE-së, për shkak të motos “Hungaria e Pra”. Duke e paraqitur Gruevskin si një martir, që ka sakrifikuar veten në altarin e mbrojtjes së interesave kombëtare, Budapesti është duke garuar për të qenë bastioni ndërkombëtar i anti-liberalizmit, duke projektuar një frymëzim transnacional, të dëshmuar qartazi deri më tani vetëm në kontekstin e Grupit të Vishegradit .
Nëse çështja e Gruevskit do të jetë preludi i diçkaje më sistematike, apo një rast i izoluar, kjo është shumë herët të thuhet. Sigurisht, Moska dhe Ankara po ndjekin me interes zhvillimet:të kesh një “timonier” kaq të guximshëm të demokracisë jo-liberale, është për armiqtë e BE një dhuratë nga Zoti.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce