Sa shumë zhurmë dhe jehonë për afrimin e Ardian Ismajlit te Shqipëria, deri diku e kuptueshme, por edhe e tepruar njëkohësisht.
Mbrojtësi i Hajdukut të Splitit, me shiritin e kapitenit te Kosova U-21, u ndie i zhgënjyer pas lënies jashtë nga Shaland, në takimet e tetorit që dardanët do të zhvillonin ndaj Maltës dhe Ishujve Faroe. Por në momentin që Kosova kishte shumë dëmtime, tekniku zviceran e ftoi Ismajlin për takimin ndaj Ishujve Faroe.
Ky i fundit e refuzoi ftesën, duke zgjedhur t’i bashkohet Shqipërisë. Por çfarë lojtari ka marrë Shqipëria? Një futbollist që një gjë e ka të garantuar, të ardhmen. Çdo tifoz i thjeshtë që e ka parë nga afër këtë lojtar, sigurisht që i ka lënë mbresa të jashtëzakonshme.
Por në mënyrë të çuditshme, Ismajli po lihej në pankinë nga trajneri i Hajdukut të Splitit. Deri në momentin që kësaj skuadre i dëmtohen gjithë qendërmbrojtësit dhe përplaset te Ismajli, që si një zgjedhje e vetme e mbetur, duhej të futej në fushë.
Vazhdimi i historisë? Në tre ndeshjet e fundit të luajtura me Hajdukun, Ismajli ka qenë tre herë lojtari më i mirë i kësaj skuadre në fushën e lojës, ndërsa njëherë ka qenë edhe në formacionin më të mirë të javës.