Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan. Gjatë intervistës së tij përballë gazetarit Arian Çani, kreu i PD foli për zhvillimet e fundit në vend.
I pyetur lidhur me kandidatin për kreun e Ministrisë së Brendshme, Sandër Lleshi, Basha tha se ai është vartës i Kryeministrit Edi Rama dhe sipas tij, përmes këtij kandidati Kryeministri kap këtë ministri.
Pyetjet
Arian Çani: Di gjë për Sandër Lleshin? Ai pritet të jetë ministër i Brendshëm, është kandidat dhe pritet dekretimi. Ai është gjeneral dhe pritet të zëvendësojë Fatmir Xhafajn. Lul kur i hapet dosja Sandër Lleshit? Çfarë di për Sandër Lleshin?
Lulzim Basha: PD nuk ka autoritet dosjesh. Ky personazh është prej 5 vitesh këshilltar i Ramës. Kabineti përbëhet nga ministra, të cilët janë aty si pjesë e një vizioni dhe duhet të përmbushin pritshmëritë. Kemi patur në krye të kësaj ministrie dy persona që vijnë nga politika, si Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj. Kaluam nga një ministër që bënte drogë me kushërinjt, te një tjetër që ka vëllanë. I treti nuk është figurë politike, është një vartës i Ramës dhe nuk ka për të sjellë ndonjë ndryshim. Unë nuk e njoh nga afër, nuk di asgjë për të. Ajo që ka interes është se çfarë presim prej tij.
Arian Çani: Pse nuk e dekreton Meta?
Lulzim Basha: Duhet të pyesësh Metën për këtë, ajo që pres unë është që ai duhet të respektojë Kushtetutën. Lleshi vjen pa përgjegjësi politike dhe është aty si shkak i vullnetit të Ramës dhe ne nuk dimë asgjë më shumë.
Arian Çani: Do ta keni të vështirë të gjeni gjëra për të…
Lulzim Basha: Ne nuk duam të gjejmë gjëra. Dërgimi i një vartësi në atë pozicion është kapja e Ministrisë së Brendshme. Prej largimit të Xhafajt, vetë Rama kap Ministrinë e Brendshme.