Gjermania ka reaguar lidhur me hetimin që po bëhet për zbardhjen e vrasjes së gazetarit, Jamal Khashoggi. Qeveria gjermania ka përgëzuar përpjekjet e Turqisë për të hetuar vrasjen, ndërsa është treguar më kritike me Arabinë Saudite. Ajo ka kërkuar nga kjo e fundit që të zhvillojë një hetim transparent dhe të sjellë para drejtësisë të gjithë përgjegjësit.
“Përpjekjet e autoriteteve turke kanë luajtur një rol të madh në hetimin e ngjarjes. Qeveria e Gjermanisë mbështet të gjitha përpjekjet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratën e lëshuar nga zyra për shtyp e qeverisë së Gjermanisë vihet në dukje se kancelarja gjermane Angela Merkel, ka zhvilluar javën e kaluar një bisedë telefonike me mbretin saudit, ku i ka kërkuar të vërë para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen.
“Kjo thirrje është ende e vlefshme për Arabinë Saudite. Ajo bëri premtime me deklaratat që ka bërë dhe kjo duhet të vlerësohet në kuadër të këtyre fjalëve”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Po ashtu, qeveria gjermane ka folur me ton të ashpër ndaj Arabisë Saudite, teksa shprehet se do të vendosë sanksione në rast se qeveria saudite nuk mban premtimet e saj.
“Pavarësisht se kanë kaluar pothuajse 1 muaj nga humbja e Khashoggit ende shumë pyetje të cilat nuk kanë marrë përgjigje. Po ndjekim nga afër nëse Arabia Saudite ka kryer apo jo një hetim transparent për të zbardhur ngjarjen dhe nëse i ka nxjerrë apo jo para drejtësisë përgjegjësit. Në dritën e zhvillimeve në këtë çështje, ne jemi të gatshëm të ndërmarrim hapat e duhur me partnerët tanë ndërkombëtarë”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.