Ish-presidenti amerikan, Barak Obama, kritikoi të premten Partinë Republikane të Presidentit Donald Trump se po mashtron sipas tij publikun amerikan mbi një sërë çështjesh duke filluar nga taksat e deri tek kujdesi shëndetësor.
Obama mbajti dy fjalime të zjarrta në shtetet Uiskonsën dhe Miçigan, në një përpjekje për të nxitur njerëzit të votojnë për kandidatët demokratë në zgjedhjet e 6 nëntorit për në Kongres.
“Gjatë gjithë historisë njerëzore, sigurisht gjatë gjithë historisë amerikane, politikanët i kanë ekzagjeruar çështjet,” tha zoti Obama gjatë një tubimi të fushatës në Milluoki, Uiskonsën. “Por ajo që s’e kemi parë më parë në jetët tona publike është se politikanët thjesht dhe në mënyrë të përsëritur, gënjejnë pa patur turp dhe sajojnë gjëra”.
“Kjo është ajo që po bën guvernatori juaj me këto reklama, vetëm po sajon,” tha Obama, duke iu referuar guvernatorit republikan Scott Walker dhe deklaratave të tij se ai dëshiron të ruajë kujdesin shëndetësor për njerëzit që janë të prekur tashmë nga sëmundje. Demokrat Toni Evers po sfidon guvernatorin Walker.
Ish-presidenti vuri në dukje para një turmë prej mijëra pjesëmarrësish se republikanët kanë tentuar disa herë të shfuqizojnë ligjin e tij të kujdesit shëndetësor, i cili mbron ata me kushte ekzistuese.
Pa përmendur presidentin Trump me emër, Obama u duk të vinte në pikëpyetje integritetin e administratës aktuale.
“Në Uashington, kjo administratë ka patur aq persona të akuzuar penalisht saqë mund të krijosh një ekip futbolli,” tha ai. “Askush në administratën time nuk u akuzua. Pra, si e kanë pastruar kënetën?”
Në Detroit të Miçiganit, zoti Obama përdori çështjen e serverit privat të ish-sekretares Hillari Klinton për të akuzuar republikanët për hipokrizi. Klinton, e cili humbi garën presidenciale të 2016-ës ndaj Trumpit, u kritikua vazhdimisht gjatë fushatës së saj për dyshimet në keqpërdorimin e informacionit të klasifikuar në një server personal.
“Atyre nuk u interesonin email-at, pasi po të ishin të shqetësuar për to, nuk do të linin kinezët të përgjonin iPhone-in e presidentit që e lë në karrocën e tij të golfit”.
Gazeta Nju Jork Tajms njoftoi të mërkurën se Trump ka vazhduar të përdorë telefonin e tij personal, megjithëse ndihmësit e kanë paralajmëruar se kinezët dhe rusët po e përgjojnë.