Real Madrid duket se ka gjetur zgjidhjen e golave që në janar. Ata po përgatiten që të bëjnë një blerje të bujshme me parametra zero për të ‘kuruar’ repartin e sulmit. Emri që është folur së fundmi në mediat spanjolle është ai i gjigantit Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi suedez do të jetë një lojtar i lirë në janar të 2019-ës, pasi i mbaron kontrata me LA Galaxy.
37-vjeçari është duke kaluar një moment mjaft të mirë në Amerikë, ku në 26 ndeshje ka shënuar 22 gola dhe ka dhënë 7 asiste, duke u kthyer në lider të skuadrës. Dihet që niveli i MLS është shumë herë më i ulët se La Liga por një lojtar si Ibra ka treguar që mund të bëjë mirë kudo. Fakti që ka luajtur në ekipe të mëdha do bënte që ai të mos kishte presion dhe mund të sigurojë shumë gola, që te Real Madrid tani kanë nevojë jetike për golat.
Aktualisht Ibrahimovic përfiton 1.5 milionë euro në sezon, duke qenë se kaq është limiti që mund të japë skuadra amerikane. Sulmuesi pranoi ulje page në 96% kur u transferua në Amerikë, vetëm me qëllimin që të luante në një klub të famshëm.
Por kjo pjesë nuk do të jetë problem tek madrilenët, pasi Kiko Casilla merr 1.75 milionë euro në sezon, ndërsa Lucaz Vazquez 3.5 të tilla. Kjo tregon se paratë nuk janë problem për Real Madridin, aq më shumë në këtë moment që rezultatet lënë për të dëshiruar.
Tjetër faktor që mund të bindë Ibrën që tu bashkohet madrilenëve është fakti se ai do të luajë sërish në një klub të madh Europian, në një moshë që jo çdokush e ka luksin të luajë futboll në këto nivele.