Si u nda torta e fitimeve në ekonominë shqiptare në vitin 2017. Mbizotërojnë koncesionet, bankat dhe kompanitë e lojërave të fatit. Ndërsa për bankat, fitimet e larta lidhen më së shumti me rimarrjen e provigjoneve, për lojërat e fatit ky është viti i katërt radhazi që ky biznes njeh rritje dyshifrore dhe norma kthimi në rreth 50%. Sa janë normat e fitimit sipas sektorëve kryesorë dhe cilat janë 10 subjektet me përfitueshmërinë më të lartë, që marrin mbrapsht si fitim, më shumë se gjysmën e të ardhurave të realizuara gjatë vitit?
Panorama është sa zhgënjyese, aq edhe ironike, për një investitor që do të donte të derdhte kapital në Shqipëri, në kërkim të një norme kthimi sa më të lartë. Sipërmarrjet që kanë normë më të lartë përfitueshmërie në vend janë lojërat e fatit, me kthim deri në 70%, apo dhe koncesionet. Për të dyja, nuhatja në biznes, aftësitë organizative dhe studimet e tregut nuk hyjnë shumë në punë.
Lojërat e fatit kanë shënuar rritje dyshifrore të të ardhurave, paradoksalisht që pas aksionit të qeverisë “Fundi i Marrëzisë” në gjysmën e dytë të 2013-s, teksa normat e fitimit mbeten më të lartat në ekonomi, duke i kaluar edhe 50%.
Koncesionet kanë qenë historikisht biznese “të dhuruara”, me treg të sigurt, mungesë konkurrence e fitime të larta. Edhe për këto biznese mungon një analizë e qartë kosto-përfitime, llogaridhënia është e ulët dhe kontratat vetëm ndryshojnë formë, por nuk prishen asnjëherë dhe rrallë arrihet që publiku të përfitojë më shumë nga ky rinegocim, përkundrazi në disa raste, termat e koncesionit janë ndryshuar në favor të koncesionarit.
Edhe bankat kryesojnë në renditjen e sipërmarrjeve me fitime më të larta në vlerë absolute, kryesisht si rrjedhojë e rimarrjes së provigjoneve pas uljes së kredive të këqija, teksa të ardhurat prej disa vitesh nuk po rriten, në një mjedis me norma të ulëta interesi dhe me një total kredie ndaj biznesit që nuk po njeh zgjerim në vitin e fundit.
Ndërtimi është në një periudhë të mirë ciklike dhe po gjeneron fitime të larta, ndaj nuk është çudi që i gjithë kapitali i lirë po shkon drejt këtij sektori, duke krijuar me shumë gjasa një tepri në ofertë. Qiradhënia, sidomos ajo e praktikuar në qendra tregtare të pozicionuara mirë dhe me infrastrukturën e nevojshme për të përballuar flukse të mëdha njerëzish, po rezulton një tjetër sektor që mund të sjellë fitime të larta, por, jo për të gjithë.
Sipas të dhënave nga bilancet e kompanive, të përpunuara nga “Monitor”, 100 subjektet me fitim më të lartë në vend, fituan në total rreth 70 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro, me një rritje prej 13% në krahasim me 100 sipërmarrjet me fitime më të larta në 2016-n.
Kjo shumë përbën 33% të të gjitha fitimeve të deklaruara në Shqipëri në 2017-n. (bazuar në tatimfitimin e paguar në 2017-n, fitimet totale të biznesit arrijnë në 210 miliardë lekë). Fitimet e 100 subjekteve janë sa 4.8% e asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto).
10 SIPËRMARRJET ME FITIMIN MË TË LARTË NË VLERË ABSOLUTE
1.BKT
Banka Kombëtare Tregtare, më e madhja në vend, rezultoi në vitin 2017 si subjekti me fitimet më të larta të vlerë absolute, me fitime prej 8.4 miliardë lekësh, pothuajse e pandryshuar me një vit më parë. Të ardhurat nga interesi dhe komisioni u rritën, por në kahun e kundërt u shtuan dhe shpenzimet e personelit dhe ato administrative. Pozitivisht ndikoi ulja e provigjonimeve për huatë. Norma e fitimit ishte 44%, pothuajse e njëjtë me vitin e kaluar.
2.Raiffeisen
Raiffeisen, banka e dytë më e madhe në vend nga aktivet dhe të ardhurat, kishte një vit mjaft pozitiv në drejtim të fitimeve. Nga humbjet prej 4.4 miliardë lekësh në 2016-n, banka rezultoi me një fitim para taksave prej 4.5 miliardë lekësh në 2017-n, duke u renditur e dyta në vend për nga niveli i fitimeve në vlerë absolute. Ndonëse të ardhurat nga interesat ranë me gati 10%, banka u ndihmua nga ulja e ndjeshme e shpenzimeve për provigjone (rimarrja nga zhvlerësimi i huave i kryer në vitet e fundit).
3.OSHEE
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka zbritur nga vendi i parë, ku ishte vitin e kaluar. Fitimi ra me 84%, në 3.4 miliardë lekë. Administratori i OSHEE, Adrian Çela, ka pohuar për “Monitor” se 2017-a ishte testi më i fortë që OSHEE ka kaluar prej vitit 2014, për shkak të një situate mjaft të vështirë hidrike, si pasojë e thatësirës më të rëndë të 20 viteve të fundit. “Shqipëria është një vend me varësi të theksuar nga burimet hidrike dhe OSHEE-ja e vuajti këtë varësi gjatë vitit 2017, çka e detyroi ta siguronte energjinë jo nga burimet e vendit, si KESH apo HEC-et private, por nga importi me çmime shumë të larta (gati dyfish) krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo thatësirë i shkaktoi OSHEE-së impakt negativ me mbi 100 milionë euro në financat e saj”, tha Çela.
4 dhe 8. SPIECAPAG
SPIECAPAG – Shqipëria dhe SPIECAPAG Transadriatica, të krijuara në vitin 2016, që kryejnë punimet inxhinierike për gazsjellësin TAP kanë kulmuar aktivitetin e tyre në 2017-n, duke u renditur mes të mëdhave jo vetëm sipas qarkullimit vjetor, por edhe fitimeve. SPIECAPAG – Shqipëria pothuajse dyfishoi fitimet në 3 miliardë lekë, duke u renditur në vend të katërt, ndërsa SPIECAPAG Transadriatica, deklaroi fitime para taksave prej 1.8 miliardë lekësh, duke u renditur në vend të tetë (hyrje e re në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve).
Spiecapag, me seli qendrore në Francë, ka fituar kontratën për projektet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një loti prej 185 km në Greqi, midis Kipoi dhe Kavala, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km në total), nga Bilishti në Topojë, në kuadër të gazsjellësit TAP. Ndërtimi i tubacioneve në terrene të vështira, me profile sfiduese dhe me afate të përcaktuara, janë fusha të ekspertizës së Spiecapag.
5.Tirana International Airport
Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, rezulton të ketë arritur një fitim rekord në 2017-n, duke u renditur e pesta në total. Sipas të dhënave të publikuara në bilanc, fitimi bruto (para taksave) i Tirana International Airport në vitin 2017 arriti në 2.8 miliardë lekë, me një rritje prej 22% në raport me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i fitimit që TIA ka arritur në vitin 2004, kur ka filluar aktivitetin në Shqipëri.
Norma e fitimit arriti në 47%. Në mars 2016, TIA e zgjati dhe me dy vjet afatin e koncesionit me qeverinë shqiptare, në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare. Por, ndonëse kanë kaluar dy vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes, Kukësi ende nuk ka aeroport funksional. Qeveria është në negociata edhe për ngritjen e një aeroporti në Vlorë.
Një konsorcium i kompanive Cengiz Construction-Kalyon Construction-Kolin Construction për të ndërtuar aeroportin në Jug të vendit që flitet të ketë një kosto 100 milionë euro, ndonëse nuk ka pasur shumë transparencë në lidhje me projektin apo me studimin e fizibilitetit të kryer për të. Dr. Rolf Castro-Vasquez, drejtor ekzekutiv (CEO) i Tirana International Airport ka pohuar se në rast se Vlora do të hapet, TIA pret që një pjesë e trafikut, midis 22-32% t’i kalojë këtij aeroporti, sidomos për operatorët që transportojnë turistë. Kjo do të sillte një rënie të fitimeve për TIA, duke e bërë koncesionarin të rishikonte planet për zgjerimin e aeroportit të Rinasit.
6.Albchrome
Në vitin 2013, grupi Balfin hyri në tregun e mineraleve në Shqipëri përmes blerjes së koncesionit të Albchrome (miniera e kromit e Bulqizës). Në shkurt 2013, ortakët e “ACR Holding” S.r.l. i kanë shitur shoqërisë “Balfin” sh.p.k. 100% të kuotave të “ACR Holding” s.r.l, sipas njoftimit të atëhershëm nga Ministria e Ekonomisë (më herët koncesioni zotërohej nga italianët e Darfo).
Albchrome ka hyrë për herë të parë në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve. Kompania, duke shfrytëzuar koniunkturën e favorshme, ka arritur të rrisë të ardhurat vitet e fundit, duke rezultuar në të njëjtën kohë një sipërmarrje fitimprurëse. Fitimet e saj u dyfishuan në 2017-n, duke arritur në 2.1 miliardë lekë, me një normë përfitueshmërie prej 21.5%.
7.Intesa SanPaolo Bank
Intesa SanPaolo Bank ka zbritur në vend të shtatë (një vit më parë ishte e treta), me fitime prej 1.9 miliardë lekësh, me rënie prej 30% me bazë vjetore. Rënia e të ardhurave, si pasojë e uljes së interesave, ulja e rimarrjes së provizioneve në raport me vitin e kaluar por edhe rritja e shpenzimeve, ka ndikuar në tkurrjen e fitimeve të ISP gjatë 2017. Norma e përfitueshmërisë gjithsesi mbeti në nivele të larta, duke shënuar 34%.
9.APEX – AL
Operatori i lojërave të fatit, APEX-Al është për të dytin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve, duke përforcuar një trend të konstatuar vitet e fundit, atë të rritjes së aktivitetit dhe përfitueshmërisë së këtij segmenti. Ky biznes nuk po ndien krizë dhe po shënon rritje vit pas viti. “Përpjekjet” e qeverisë për t’i dhënë fund kësaj “marrëzie”, duket se kanë ndikuar në drejtimin e kundërt. Fitimet e kompanisë ishin 1.7 miliardë lekë, me një rritje prej 36% me bazë vjetore. Norma e përfitueshmërisë është ndër më të lartat në vend, prej 70%.
10.GSA
Operatori i tregtimit të energjisë, GSA, është një tjetër hyrje e re në dhjetëshe. Thatësira e tejzgjatur e vitit të kaluar, nxiti nevojën për importe të energjisë, duke i dhënë hov aktivitetit të tregtuesve të energjisë elektrike. Sipas bilancit, fitimi para taksave i GSA u trefishua në 1.4 miliardë lekë, ndërsa norma e përfitueshmërisë ishte 12%.
DALJET NGA LISTA
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka dalë nga lista, pas uljes së fitimeve nga 1.8 miliardë lekë në 2016-n në 506 milionë lekë, si rezultat i thatësirës që solli rënie të ndjeshme të të ardhurave. Një tjetër arsye, sipas deklarimeve të mëparshme të drejtorit të KESH, Agron Hetoja, lidhet me disa rregullime ligjore, që nuk i lanë KESH-it fleksibilitetin e duhur për të optimizuar burimet dhe portofolin e vet dhe kanë shkaktuar kosto shtesë, që nuk mbulohen nga çmimet e lëna në fuqi nga Enti Rregullator i Energjisë.
RFZ Building, me aktivitete në ndërtim, që ishte pjesë e grupit Balfin, nuk është më në renditje (ishte e shtata vitin e kaluar, me fitime 1.4 miliardë lekë), pasi është përthithur në dhjetor 2016 nga zinxhiri i supermarketeve Spar Albania, po pjesë e Balfin, si një mënyrë për t’i dhënë sinergji dhe për optimizim fiskal të sipërmarrjeve të grupit, teksa RFZ Building rezultonte me fitime të larta. Sipas burimeve zyrtare nga grupi Balfin, fitimi i Spar Albania në 2017-n, para taksave ishte 535 milionë lekë.
Operatori më i madh i tregtimit të karburanteve me shumicë, Kastrati SHA (e teta në 2016-n) është një tjetër dalje, pas rënies me 8.3% të fitimeve, në 1.2 miliardë lekë.
Mane TCI, me aktivitet në fushën e ndërtimit, pjesë e grupit Balfin, është një tjetër dalje, teksa aktiviteti i kompanisë është në varësi të ecurisë së projekteve të ndërtimit.
BANKERS ME FITIM PËR 2017, POR ENDE NUK PAGUAN TATIM
Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse në vend, atë të Patos Marinzës, e cila u rendit e katërta në vend sipas qarkullimit vjetor, ka deklaruar në bilanc një fitim kontabël përpara taksave prej 896 milionë lekësh, nga humbjet e mëdha prej 10.8 miliardë lekësh të një viti më parë.
Por, burime nga kompania thanë se ky quhet fitim i izoluar dhe është hera e dytë kur Bankers deklaron fitim të tillë (rasti tjetër ishte në vitin 2014, kur çmimet e naftës kaluan mbi 100 dollarë për fuçi), por ajo nuk paguan tatim fitimi, pasi sipas deklarimeve të vetë kompanisë, nuk janë rikuperuar ende shpenzimet kapitale. Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim sipas konceptit fiskal të aplikuar për kompanitë komerciale që kanë përfituar koncesione për shfrytëzimin e burimeve të naftës e gazit, që sipas marrëveshjes koncesionare do të duhet të tatohej me 50%.
Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” por, bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers miratuar në 2004-n, sipas së cilës, rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative, por edhe ato kapitale të bëra nga subjekti përfitues i koncesionit.
FITIMET E MUNDIMSHME TË NAFTËS
Nafta është sektori që xhiron më shumë para në vend. 18 operatorë të tregtimit të karburanteve, që përfshihen në renditjen e 200 më të mëdhenjve sipas të ardhurave, qarkulluan 164 miliardë lekë, rreth 1.2 miliardë euro. Në një pjesë të madhe, xhiro e kompanive rritet fiktivisht, duke kaluar nga një subjekt në tjetrin, për pasojë të tregtimit me dy nivele (me shumicë e me pakicë) në mënyrën se si është i strukturuar tregu në Shqipëri sot.
Por kjo “lodhje” e madhe sjell pak shpërblim. Në tabelën tjetër, atë të renditjes sipas fitimeve, sipërmarrjet e tregtimit të naftës janë me pikatore dhe raportojnë norma shumë të ulëta kthimi, 0.5-2%, duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi. Në tregun e pakicës, norma është pak më e lartë, arrin në 4-6%.
Luigj Aliaj, drejtues në Kastrati, thotë se norma e vogël e fitimit është një dukuri e tregtuesve të karburanteve në gjithë botën. “Janë prodhuesit e naftës ata që fitojnë më shumë, pasi si shpenzim kanë vetëm koston e nxjerrjes, në një kohë që diktojnë çmimin. Ndërsa tregtuesit me shumicë nuk kanë forma për të diktuar çmimet, teksa karburantet tregtohen në bursë dhe çmimet luhaten disa herë në ditë.
Aktorët e tregut i quajnë karburantet një biznes të vështirë dhe me kosto të larta. Luhatjet në këtë sektor janë shumë të larta, me kompani që hyjnë dhe dalin nga tregu brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Në renditjen e fitimeve janë vetëm dy, Kastrati (shumicë dhe pakicë) dhe Bolv Oil.
Kastrati sh.a., operatori më i madh i tregut të shumicës, ka një normë fitimi prej 2.8%, në rënie të lehtë nga 2.9% që ishte vitin e mëparshëm. Më i lartë është fitimi në tregun e pakicës, ku Kastrati sh.p.kraporton një normë prej 5.9%, nga 6.3% vitin e mëparshëm.
Operatori tjetër i shumicës, Bolv Oil, ka raportuar një normë fitimi para taksave prej 3.8%, në rënie të ndjeshme nga vitet e kaluara, kur ky tregues luhatej mes 7-8%.
Europetrol Durrës Albania dhe Genklaudis, që renditen ndër 10 më të mëdhenjtë në vend për nga të ardhurat, nuk përfshihen në listën e fitimeve, teksa rezultati financiar para taksave ishte përkatësisht me 124 dhe 134 milionë lekë, me normë kthimi minimale prej 0.5-0.6%.
Eroil, që trefishoi të ardhurat në 1.8 miliardë lekë në 2017-n, duke u renditur i katërti ndër tregtuesit me shumicë, raportoi fitime minimale prej 1.2 milionë lekësh.
PAS VITEVE TË ARTA, TELEKOMUNIKACIONET TANI RAPORTOJNË HUMBJE
Vitet e arta, kur dy operatorët e mëdhenj të telefonisë celulare rezultonin me fitime të larta dhe normë përfitueshmërie mbi 50% janë tashmë shumë larg (në vitin 2008, më i miri historik, fitimet e Telecom Albania dhe Vodafone arritën në 200 milionë euro së bashku).
Prej dy vitesh, operatorët po thellojnë humbjet, duke reflektuar modelin e ri ku po orientohet sektori, si rrjedhojë e rënies së të ardhurave nga shërbimet zanore (voice) dhe konkurrencës që po vjen nga teknologjia (përdorimi i internetit po ul ndjeshëm të ardhurat nga interkoneksioni).
Vodafone Albania, operatori më i madh sipas të ardhurave, me qarkullim vjetor prej 16.3 miliardë lekësh, sipas të dhënave në bilanc, ka deklaruar humbje neto kontabël para tatimit prej 792 milionë lekësh, nga 173.5 milionë lekë (humbje) vitin e mëparshëm.
Ulja e fitimit erdhi pasi kompania ka shënuar rritje më të shpejtë të kostos së shitjes dhe shërbimeve dhe shpenzimeve të tjera, ndërsa të ardhurat ranë me 3.4%. Megjithatë, Vodafone ka paguar 252 milionë lekë tatim fitim, si rrjedhojë e shpenzimeve të larta të pazbritura fiskalisht (si p.sh., pritje e dhurata, qira për punonjës të huaj, provigjone, nxjerrje e aktiveve jashtë përdorimit, etj.).
Edhe për Telecom Albania, dikur një nga kompanitë me normë më të lartë fitimi në vend, kohët nuk janë aq të mira. Telecom, që kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh, raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (më se gjysma e të ardhurave) në 2017-n, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n.
Përkeqësimi i rezultatit financiar ka ardhur si rrjedhojë e rënies së të ardhurave me 14%, ndërkohë që kosto e shitjes dhe shërbimeve të ofruara u rrit me 30%, duke bërë që kompania të rezultojë me një humbje bruto (përpara shpenzimeve administrative) prej 815 milionë lekësh, nga 2.9 miliardë lekë që ishin fitimet bruto vitin e mëparshëm. Rezultatet e përkeqësuara financiare kanë nxitur kompaninë mëmë, gjermanët e Deutsche Telekom, të fillojnë negociatat për shitjen e filialit në Shqipëri.
Edhe Telecom Albania ka paguar 550 milionë lekë tatim fitime, por që janë të shtyra (kryesisht humbje tatimore e panjohur e mbartur nga vitet e mëparshme), ndërsa tatim fitimi për vitin aktual ishte zero.
Albtelecom, me aktivitet në fushën e telefonisë fikse dhe celulare, ka raportuar të ardhura prej 8.1 miliardë lekësh (rënia rreth 14%) dhe ka deklaruar sërish humbje, në rreth 1.1 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtat nivele me një vit më parë.
Plus Communication, operatori i katërt në treg, e mbylli aktivitetin në fund të vitit 2017, duke shitur frekuencat tek Vodafone dhe Telecom Albania, pas humbjeve të mëdha të regjistruara që kur nisi aktivitetin në 2009-n.
Abcom, një tjetër operator në telekomunikacione, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet) ka deklaruar fitime para taksave prej 318 milionë lekësh, në 2017-n, me rënie prej 10% me bazë vjetore.
Info-Telecom, me aktivitet shërbimet e telefonisë fikse publike, transitit kombëtar e ndërkombëtar, transmetimin e të dhënave, raportoi fitime para taksave prej 465 milionë lekësh, me rritje 73% me bazë vjetore.
Ndërtimi është në ditët e tij më të mira, duke iu rikthyer rritjes, pas rënies ciklike të pas vitit 2008. Sipas shifrave të INSTAT, rritja vjetore e këtij sektori i kaloi 10% në 2017-n, niveli më i lartë në një dekadë, teksa vala e re e likuiditeteve në ekonomi po orientohet pikërisht në ndërtesa rezidenciale, kulla shumëkatëshe e resorte turistike. Këtyre u shtohen dhe projektet e pritshme të punëve publike, në kuadër të planit “One Billion”, ndërsa dhe punimet për ndërtimin e gazsjellësit TAP i kanë dhënë hov sektorit.
Kompanitë e ndërtimit raportojnë një panoramë të kënaqshme financiare dhe norma fitimi dyshifrore.
Alb Building, në fushën e ndërtimeve inxhinerike dhe rezidenciale, është kompania me fitime më të larta në vlerë absolute, në 1 miliard lekë, duke u trefishuar në krahasim me një vit më parë dhe me një normë prej rreth 30%. Grupi është diversifikuar dhe në prodhimin e energjisë, përmes ndërtimit të hidrocentraleve. Alb-Energy renditet në listën e sipërmarrjeve me normë më të lartë fitimi në vend.
Në vend të dytë është Gjoka Konstruksion, me 857 milionë lekë dhe normë fitimi prej 19%.
Për ndërtesat rezidenciale, normat e fitimit janë shumë të luhatshme. Në varësi të ciklit të shitjes së apartamenteve mund të arrijnë edhe në mbi 70%. Kompanitë me aktivitet në ndërtimin e rrugëve dhe punëve publike raportojnë normë maksimale prej 25%, por ka dhe nga ato që kënaqen me norma minimale prej 3%.
Në vitin 2017, ManeTCI, pjesë e grupit Balfin, ka vijuar të ketë nivelin më të lartë të përfitueshmërisë, me 40%, ndonëse në rënie në krahasim me një vit më parë.
LOJËRAT E FATIT, BIZNESI MË FITIMPRURËS NË VEND
E vetmja gjë që arriti aksioni “Fundi i Marrëzisë” i pak viteve më parë ishte t’i shtonte më shumë fatin këtij biznesi. Ka një arsye pse pikat e basteve dhe kazinove gjenden tashmë në çdo cep të vendit. Ato po rezultojnë, prej të paktën tre vitesh, si aktiviteti më fitimprurës në vend, me norma fitimi që arrijnë deri në 70%.
Në renditjen e 100 më të mëdhenjve ka 5 subjekte nga kategoria e kazinove dhe lojërave të fatit, nga 14 subjekte gjithsej të licencuara për këto aktivitete. Fitimet e këtyre 5 operatorëve në total ishin 3.7 miliardë lekë (27 milionë euro), apo sa një e treta e të ardhurave të raportuara. Normat e fitimit janë rritur dukshëm në 2017-n, në raport me një vit më parë.
APEX renditet në dhjetëshe për të dytin vit radhazi(1.7 miliardë lekë fitime), ndërsa ka një normë fitimi prej 70%, nga 51% vitin e mëparshëm.
Astra Albania raportoi fitime prej 621 milionë lekësh, me një normë prej 30% (nga 27% vitin e kaluar).
VLT Albania raportoi 500 milionë lekë fitime, me një normë kthimi prej 45% (42% vitin e kaluar).
Fitimet e Regency International Casino Tirana u dyfishuan në 445 milionë lekë, me një normë fitimi prej 32%.
Normë më të ulët raportoi Adriatik Game, me 17%, teksa fitimet në vlerë absolute arritën në 434 milionë lekë.
Top Start raporton fitime minimale.
ITSGA, ndonëse po i rrit të ardhurat me shpejtësi, duke arritur në 1.4 miliardë lekë në 2017-n, vijon të raportojë aktivitet me humbje.
Pas një shtyrjeje prej dy vitesh, në janar 2019 do të hyjë në fuqi ligji që detyron zhvendosjen e kazinove jashtë qyteteve, ndërsa qeveria ka vendosur së fundmi të mbyllë pikat e llotove, duke e orientuar tregun drejt basteve online, çka pritet ta riorientojë tërësisht këtë sektor vitin e ardhshëm.
Bazuar në xhirot e deklaruara të 14 kompanive kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, qarkullimi vjetor zyrtar i industrisë ishte 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 milionë euro në 2017-n, me rritje vjetore 9.3%. Biznesi më i madh është te kazinotë, që raportuan 10 miliardë lekë të ardhura (60% e totalit).
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar së fundmi që lojërat e fatit qarkullojnë 700 milionë euro në vit, duke nxjerrë zbuluar faktin që qeveria ka lejuar të lulëzojë një industri me një evazion galopant, mbi 6 herë më shumë se deklarimet zyrtare.
NJË VIT I MBARË PËR BANKAT
Përfitueshmëria e sistemit bankar u përmirësua në vitin 2017. Sipas deklarimeve në bilanc, fitimi për 16 banka arriti në 13.2 miliardë lekë, në trefishim në krahasim me vitin e mëparshëm.
Ndikimin kryesor në përmirësimin e treguesve të sistemit e dha Banka Raiffeisen që kaloi nga humbje në fitime të larta, ulja e humbjeve të Alpha Bank dhe kalimi nga humbje në fitime minimale i Tirana Bank. Veneto Banka, që tashmë është përthithur nga Intesa Sanpaolo kishte humbjet më të mëdha në sistem, prej 1.4 miliardë lekësh, ndonëse me rënie në raport me 3.7 miliardë lekë që raportoi në 2016-n.
Ndërsa Credins, Union Bank dhe Banka Amerikane e Shqipërisë kanë raportuar rritje të fortë të fitimeve.
Normat e fitimit në sistem luhaten nga 3% në mbi 40%.
Për bankat, fitimet shënojnë luhatje të mëdha nga njëri vit në tjetrin, të ndikuara nga shpenzimet për provigjonime që lihen mënjanë për kreditë e këqija.
BKT, Raiffeisen dhe Intesa SanPaolo kanë deklaruar fitimet më të larta, përkatësisht 8.4, 4.5 dhe 1.9 miliardë lekë. BKT raportoi dhe normën më të lartë të përfitueshmërisë, me gati 44%.
Në shumicën e rasteve, profitabiliteti është ndikuar nga provigjonimet si në rastet pozitive (profitabilitet i lartë për rimarrje të provigjoneve) apo ato negative (profitabilitet i ulët apo edhe humbje, për arsye të provigjoneve të larta për kreditë me probleme-NPL).
Pas Intesa, në listë është Credins, Banka Amerikane e Shqipërisë, Societe Generale dheUnion Bank.
SIGURIMET FITOJNË MË PAK SE BANKAT
Ndërsa bankat raportojnë norma të larta fitimi, që arrijnë deri në 40%, në segmentin tjetër financiar, atë të sigurimeve, panorama nuk është kaq pozitive. Fitimet e shoqërive të sigurimit mbeten relativisht të ulëta, me norma kthimi njëshifrore. Fitimet e tyre varen dukshëm nga ecuria e pagimit të dëmeve në varësi të aksidenteve të ndodhura dhe të provigjionimeve për dëmet e pagueshme.
Sigal, më e madhja në tregun e sigurimeve raportoi fitime prej 306 milionë lekësh, në rënie me 33%, si rrjedhojë e ngecjes së primeve dhe rritjes së pagesës së dëmeve.
Eurosig trefishoi fitimet në 329 milionë lekë, ndonëse të ardhurat nuk u rritën, kryesisht si rrjedhojë e uljes së shpenzimeve për provigjionime.
Sigma dhe Intersig, të dyja pjesë e Vienna Insurance Group raportuan fitime minimale, prej përkatësisht 66 dhe 84 milionë lekë.
Sipas grupeve, kryeson Sigal Uniqa Group Austria, që është dhe operatori më i madh i tregut të sigurimeve, që së bashku me aktivitetin e jetës, jo jetës dhe pensioneve kishte gjithsej fitime prej 506 milionë lekësh.
Në vend të dytë është Eurosig së bashku me Insig, me fitime prej 434 milionë lekësh.
DISTRIBUTORËT RRISIN NORMËN E FITIMIT PËR TË DYTIN VIT RADHAZI
Për të dytin vit radhazi, segmenti i distributorëve, i përqendruar në tregtinë me shumicë, po raporton përmirësim të nivelit të përfitueshmërisë.
AGNA, kompania më e madhe distributore, ka deklaruar një fitim prej rreth 622 milionë lekësh, me një normë prej 4.4%, pothuajse në të njëjtat nivele të një viti më parë. Alpha sh.a., pjesë e të njëjtit grup me AGNA, ka arritur të rrisë fitimet në 554 milionë lekë, me një normë kthimi në rritje nga 5.6% në 5.9%.
Marketing & Distribution ka parë rënie të lehtë të fitimeve në 289 milionë lekë. Për të tretin vit radhazi, norma e fitimit është rritur lehtë, duke arritur në 3.7%.
Inter Distribution Service ka deklaruar një normë fitimi prej 2.1%, të pandryshuar nga një vit më parë.
Albanian Distribution & Development rezulton një nga më fitimprurëset në këtë segment, me një normë prej 12.75%, në rritje me 1 pikë përqindje nga viti i mëparshëm.
Kthime të larta këtë vit raportoi Interbrands prej 12.25%.
Më fitimprurësi në 2017-n ishte Inter Trade & Distribution, norma e përfitueshmërisë e së cilës ishte 13.2%, një pikë përqindje më shumë se në 2016-n.
BIZNESI I SIGURT I KONCESIONARËVE
Koncesionarët kanë treg të garantuar, që shpesh është monopol dhe fitimet janë të sigurta. Normat e fitimit, në pjesën më të madhe, luhaten nga 30 në 60%.
Në listën e 100 më të mëdhenjve, sipas fitimeve, janë të shumta kompanitë koncesionare.
I pari, sipas fitimeve në vlerë absolute, vijon të jetë Tirana International Airport, me 2.8 miliardë lekë.
I dyti është Aleat, që ka me koncesion prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave, me 643 miliardë lekë fitime, ndonëse me rënie me 45% në raport me një vit më parë. Edhe norma e fitimit ka rënë në 29%, nga 38.5% që ishte vitin e mëparshëm.
Në listë janë dhe koncesionarët e energjisë, Euron Energy dhe ALB-ENERGY, që renditen në 10 sipërmarrjet me normë më të lartë fitimi.
Durrës Container Terminal, që ka me koncesion terminalin e pasagjerëve, ka dalë nga lista e 100 më të mëdhenjve, pasi fitimi është ulur tre herë, në 114 milionë lekë.
CALL CENTER REZISTON, POR…
Për sektorin e call center, fitimet nuk janë më aq të lehta, teksa rritja është ngadalësuar dukshëm prej dy vitesh, madje në 2017-n, disa kanë raportuar për herë të parë rënie të lehtë të qarkullimit vjetor. Presioni i qeverisë italiane, që vështirësoi rregullat për delokalizimin nga Italia dhe konkurrenca nga bizneset, që kryejnë shërbime marketingu për forex, po e dobëson sektorin që lulëzoi disa vjet më parë.
Intercom Data Service raportoi dyfishim të fitimeve në 1 miliard lekë, por që ka ardhur nga arkëtimi i të ardhurave të prapambetura, teksa ecuria e aktivitetit të vitit korent ishte me rënie.
Normat e fitimit mbeten ende dyshifrore, por ato kanë rënë nga niveli i 25-30% që ishin vitet e kaluara, duke zbritur nën 20%.
Albania Marketing Service pa rënie të lehtë të të ardhurave me 2%, në 645 milionë lekë, me normë kthimi prej 18.5%.
Për Albacall, fitimet u reduktuan për të dytin vit radhazi, por në 2017-n tkurrja ishte më e fortë, prej 36%, duke arritur në 308 milionë lekë. Norma e fitimit zbriti në 10%.
Operatorët e call center pohojnë se presioni i qeverisë italiane dhe aktiviteti i Forex, që po u merr punonjësit, po e dëmtojnë aktivitetin e tyre. Ata parashikojnë që tregu do të përqendrohet në 4-5 kompani të mëdha dhe të tjerat do të mbyllen gradualisht.
KOMPANITË ME NORMA MË TË LARTA FITIMI NË VEND
EKMA Albania, me aktivitet shitje, blerje, dhënie/marrje me qira të pronave të paluajtshme, është renditur këtë vit si kompania me normë më të lartë fitimi në vend, prej 76.1%, në nivele të ngjashme me vitin e kaluar. Në vlerë absolute, fitimet ishin 380 milionë lekë, me një rritje të lehtë prej 5.3%. EKMA Albania administron tregun agroushqimor në hyrje të kryeqytetit të vendit. Në fillim të shtatorit, Autoriteti i Konkurrencës nisi hetim të thelluar ndaj EKMA Albania, për abuzim me konkurrencën në këtë treg, pasi çmimet e qirasë janë disa herë më të larta se ato që aplikohen në këtë zonë dhe nga ana tjetër, tregtarët nuk kanë alternativa të tjera për të marrë mjedise me qira.
Në vend të dytë është APEX, me aktivitet lojërat e fatit, që renditet dhe ndër 10 më të mëdhatë nga fitimi absolut. Norma e kthimit të APEX ishte 70% në 2017-n.
Dy HEC-e me koncesion, Euron Energy dhe Alb-Energy renditen ndër subjektet me normë më të lartë përfitueshmërie, prej përkatësisht 69 dhe 60%. Por, aktorët e tregut pohojnë se në përgjithësi, në biznesin e hidrocentraleve, norma e fitimit arrin në maksimumi 30%, për shkak të kostove të administrimit të biznesit. Për më tepër, ky lloj biznesi është i varur nga kapriçot e natyrës dhe viti 2017, i thatë, nuk ka qenë shumë favorizues.
Universiteti Aldent renditet në vend të pestë, me një normë prej 50% dhe fitime në vlerë absolute prej 220 milionë lekësh.
Koncesioni i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tirana International Airport, renditet edhe në këtë listë, me një normë prej 47%.
Një tjetër operator i lojërave të fatit, VLT Albania është mes dhjetë më fitimprurësve, me një normë kthimi prej 45%.
Renditjen e vijon EGI-K, me aktivitet në shfrytëzimin e mineralit të kromit në objektin Galeria B, Zona D” në Bulqizë.
Qendra tregtare Tirana East Gate, pjesë e grupit Balfin, ka hyrë në dhjetëshen e subjekteve që kanë norma fitimi më të larta. Me një kthim prej 45%, nga 35% që ishte vitin e mëparshëm. Në vlerë absolute, fitimet ishin 514 milionë lekë.
Qendra Tregtare Univers (QTU), po pjesë e grupit Balfin, e cila vitin e kaluar ishte sipërmarrja me normë fitimi më të lartë prej 77%, ka dalë nga lista, teksa ky tregues zbriti në 45% dhe të ardhurat dhe fitimi u ulën përkatësisht me 5% dhe 47%. Këtë vit, qendra ka investuar në dyfishimin e sipërfaqes, përmes ngritjes së katit të dytë.
Në listën e më fitimprurësve janë bankat (BKT është e para me normë 44%, Raiffeisen 42%, Banka e Parë e Investimeve me 39%).
NAZERI – 2000, me aktivitet në sigurinë fizike, kishte një kthim prej 37%./MONITOR/
RENDITJA E KOMPANIVE MË TË MËDHA NË VËND, SIPAS FITIMEVE (MIN LEK)
# | EMRI | SEKTORI | 2017 | Ndryshimi vjetor (%) | 2016 | 2017 | Norma fitimi (%) |
---|---|---|---|---|---|---|---|
1 | BANKA KOMBËTARE TREGTARE | Shërbime bankare | 19,162 | 10.3 | 8,536 | 8,413 | 43.9 |
2 | RAIFFEISEN BANK SH.A | Shërbime bankare | 10,609 | (12.1) | (4,445) | 4,469 | 42.1 |
3 | OSHEE | Shpërndarja e energjisë elektrike | 60,432 | (2.6) | 21,356 | 3,406 | 5.6 |
4 | SPIECAPAG – SHQIPËRIA* | Ndërtim i linjës furnizuese të gazsjellësit TAP | 27,873 | 85.4 | 1,843 | 3,030 | 10.9 |
5 | TIRANA INTERNATIONAL AIRPORT | Koncesioni i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” | 5,996 | 13.9 | 2,309 | 2,818 | 47.0 |
6 | ALBCHROME | Nxjerrje dhe përpunim kromi | 9,820 | 30.1 | 964 | 2,113 | 21.5 |
7 | INTESA SANPAOLO BANK ALBANIA | Shërbime bankare | 5,698 | (12.4) | 2,764 | 1,935 | 34.0 |
8 | SPIECAPAG Transadriatica* | Ndërtimi i linjës furnizuese të gazsjellësit TAP | 16,828 | 180.6 | 201 | 1,801 | 10.7 |
9 | APEX – AL | Lojëra fati | 2,476 | (0.1) | 1,272 | 1,736 | 70.1 |
10 | GSA | Tregtim energjie elektrike | 11,904 | 137.1 | 434 | 1,422 | 11.9 |
11 | OPERATORI SISTEMIT TË TRANSMETIMIT OST | Transmetimi i energjisë elektrike | 5,967 | 2.6 | 1,127 | 1,299 | 21.8 |
12 | KASTRATI | Hidrokarbure | 43,413 | (2.2) | 1,310 | 1,201 | 2.8 |
13 | INTERCOM DATA SERVICE | Call center | 3,013 | 14.0 | 550 | 1,074 | 35.6 |
14 | ALB-BUILDING | Ndërtim | 3,514 | 85.1 | 375 | 1,021 | 29.0 |
15 | BANKERS PETROLEUM ALBANIA LTD | Hidrokarbure | 23,879 | 16.6 | -10,780 | 896 | 3.8 |
16 | GJOKA KONSTRUKSION | Ndërtime | 4,501 | 32.3 | 819 | 857 | 19.0 |
17 | KASTRATI | Tregti me pakicë, hidrokarbure | 14,440 | 12.8 | 800 | 855 | 5.9 |
18 | ITX Albania | Shitje me pakicë e veshjeve | 3,099 | 20.2 | 668 | 753 | 24.3 |
19 | INFOSOFT SYSTEMS | Tregtim i sistemeve për përpunimin e të dhënave | 2,674 | (11.4) | 847 | 710 | 26.6 |
20 | ABKONS | Shërbime këshillimi | 1,664 | 0.4 | 200 | 681 | 40.9 |
21 | ALBANIA MARKETING SERVICE | Call center | 3,590 | 0.1 | 679 | 665 | 18.5 |
22 | ALEAT | Prodhimi dhe shpërndarja e dokumenteve të identitetit dhe pasaportave elektronike | 2,231 | (22.9) | 1,114 | 643 | 28.8 |
23 | MANETCI | ndërtim | 1,621 | (7.1) | 1,132 | 639 | 39.4 |
24 | AGNA | Import eksport i mallrave industriale e ushqimore | 14,156 | 10.2 | 598 | 623 | 4.4 |
25 | ASTRA ALBANIA | Lojëra fati | 2,082 | 0.9 | 557 | 622 | 29.9 |
26 | ALBANIAN DISTRIBUTION & DEVELOPMENT | Tregti me shumicë dhe pakicë të artikujve industrialë dhe ushqimorë | 4,710 | 12.6 | 486 | 600 | 12.7 |
27 | BANKA AMERIKANE E INVESTIMEVE | Shërbime bankare | 1,828 | 21.3 | 420 | 594 | 32.5 |
28 | ALFA SH.A. | Import-eksport mallrash të ndryshme, prodhim | 9,425 | 10.4 | 479 | 555 | 5.9 |
29 | ELKA-SA | Tregti e përgjithshme me shumicë dhe pakicë. | 4,030 | (1.2) | 544 | 529 | 13.1 |
30 | TIRANA EAST GATE | Dhënie me qIra të objekteve | 1,154 | 1.0 | 405 | 514 | 44.6 |
31 | BANKA E PARË E INVESTIMEVE | Shërbime bankare | 1,324 | 5.1 | 429 | 513 | 38.8 |
32 | KESH | Prodhim i energjisë elektrike | 11,213 | (36.7) | 1,787 | 506 | 4.5 |
33 | VLT ALBANIA | Lojëra fati | 1,099 | 3.4 | 449 | 500 | 45.5 |
34 | PROFARMA | Prodhim produkte farmaceutike | 2,164 | 7.9 | 376 | 488 | 22.6 |
35 | FONDI BESA | Shërbime financiare | 2,050 | 13.5 | 479 | 486 | 23.7 |
36 | BANKA SOCIETE GENERALE ALBANIA | Shërbime bankare | 3,947 | (0.6) | 455 | 478 | 12.1 |
37 | ANTEA CEMENT | Prodhim, përpunim materiale ndërtimi (Çimento) | 6,853 | 51.6 | (552) | 478 | 7.0 |
38 | INFO-TELECOM | Telekomunikacione | 14,902 | 9.3 | 269 | 465 | 3.1 |
39 | COCA-COLA BOTTLING SHQIPËRIA | Prodhim, ambalazhim, shpërndarje dhe shitje e pijeve joalkoolike | 3,649 | 11.5 | 340 | 462 | 12.7 |
40 | ALBAMETAL | Prodhim, tregtim i çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit | 12,340 | 114.7 | 723 | 455 | 3.7 |
41 | REGENCY INTERNATIONAL CASINO TIRANA | Lojëra fati | 1,379 | 42.7 | 205 | 446 | 32.3 |
42 | DREJT. PËRGJ. E SHËRB. TRANS. RRUG. | Shërbime transport rrugor | 1,345 | 11.2 | 497 | 439 | 32.7 |
43 | PE – VLA – KU | Ndërtime civile, infrastrukturë | 1,240 | 199.8 | 49 | 438 | 35.4 |
44 | ADRIATIK GAME | Lojëra fati | 2,252 | 6.9 | 354 | 434 | 19.3 |
45 | BANKA CREDINS | Shërbime bankare | 10,042 | (2.8) | 1,351 | 427 | 4.2 |
46 | NEPTUN | Tregti, import-eksport mallrash të ndryshme elektroshtëpiake | 7,507 | 11.3 | 271 | 416 | 5.5 |
47 | UNION BANK | Shërbime bankare | 2,335 | 4.8 | 210 | 407 | 17.4 |
48 | 2 T | Ndërtime civile dhe industriale, rrugë | 2,243 | 113.9 | 68 | 399 | 17.8 |
49 | ALBAELETTRICA | Tregti, sisteme të pajisjeve elektrike | 3,570 | 33.9 | 305 | 395 | 11.1 |
50 | GENER 2 | Ndërtime civile, infrastrukturë | 8,481 | 18.5 | 261 | 390 | 4.6 |
51 | EKMA ALBANIA | Dhënie me qIra të objekteve | 500 | 4.4 | 361 | 381 | 76.1 |
52 | LC WAIKIKI RETAIL AL | Tregtim veshjesh | 3,048 | 42.5 | 402 | 370 | 12.1 |
53 | KURUM INTERNATIONAL* | Prodhim, tregtim i çeliqeve të ndërtimit dhe hekurit | 19,845 | 44.2 | (495) | 364 | 1.8 |
54 | BRUNES. | Tregtimin e materialeve të ndërtimit, qeramike dhe hidrosanitare, | 3,138 | 12.0 | 195 | 362 | 11.5 |
55 | MEDITERRANEAN SHIPPING COMPANY ALBANIA | Agjent portual | 1,005 | (12.5) | 391 | 355 | 35.3 |
56 | KID ZONE | Shitje me shumicë e pakicë, veshje, produkte industriale | 1,622 | 12.8 | 84 | 350 | 21.6 |
57 | BOLV – OIL | Hidrokarbure | 9,219 | 22.0 | 609 | 346 | 3.8 |
58 | BFI TRADE | Blerja, shitja, shkëmbimi dhe tregtimi i mineraleve | 2,175 | 89.1 | 134 | 334 | 15.4 |
59 | EUROSIG | Shërbime financiare-sigurime | 2,303 | 0.6 | 101 | 329 | 14.3 |
60 | ABCOM | Telekomunikacion | 1,792 | 2.5 | 354 | 318 | 17.8 |
61 | VIBTIS | Import-eksport i produkteve industriale | 2,847 | 77.7 | 175 | 309 | 10.9 |
62 | ALBACALL | Call center | 3,048 | (3.1) | 481 | 308 | 10.1 |
63 | SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA | Shërbime financiare-sigurime | 4,003 | (0.6) | 458 | 306 | 7.7 |
64 | MARKETING & DISTRIBUTION | Import-eksport me shumicë të mallrave industriale e ushqimore | 8,070 | (23.1) | 318 | 298 | 3.7 |
65 | INTER DISTRIBUTION SERVICES | Import-eksport i mallrave industriale e ushqimore | 13,605 | 6.1 | 267 | 291 | 2.1 |
66 | CURRI | Ndërtim | 1,632 | 52.5 | 97 | 290 | 17.8 |
67 | JOINT VENTURE RENCO TERNA ALBANIA | Infrastrukturë, punime për TAP | 3,426 | 302.0 | 14 | 287 | 8.4 |
68 | NAZERI – 2000 | Shërbime ruajtje e sigurie | 778 | 57.6 | 106 | 287 | 36.9 |
69 | EMANTE | Tregti e artikujve të ndryshëm | 877 | 162.7 | 79 | 286 | 32.6 |
70 | G.P.G. COMPANY | Punime të ndërtimit për objekte civile, industriale, turistike etj. | 1,857 | 46.9 | 198 | 286 | 15.4 |
71 | EGI-K | Shfrytëzim mineralesh nëntokë dhe mbitokë | 628 | 35.6 | 255 | 284 | 45.2 |
72 | ROSSMANN-LALA | Tregtimi i një game produktesh parfumerie, kozmetike, bukurie | 2,247 | 13.1 | 227 | 281 | 12.5 |
73 | ZODIAC | Tregtimin e artikujve të ndryshem industrialë | 2,714 | 55.1 | 125 | 272 | 10.0 |
74 | SALILLARI | Ndërtim në infrastrukturë | 2,825 | 10.0 | 374 | 267 | 9.4 |
75 | S2 ALBANIA | Zbatimi i marrëveshjes së koncesionit të skanimit | 1,567 | 2.3 | 157 | 261 | 16.7 |
76 | BILLA & CO | Import-eksport dhe shitje me shumice dhe pakicë të mallrave e lëndëve të para për industrinë e ndërtimit | 1,707 | 24.5 | 176 | 259 | 15.2 |
77 | MEKTRIN MOTORS | Tregti automjetesh | 3,586 | 179.4 | 49 | 252 | 7.0 |
78 | ALBPETROL* | Kryerja e Operacioneve Hidrokarbure | 8,582 | 62.5 | 1,000 | 252 | 2.9 |
79 | INTERBRANDS | Importim, eksportim dhe tregtim me shumicë dhe pakicë | 2,030 | 5.6 | 210 | 249 | 12.3 |
80 | ALB-ENERGY | Prodhim energjie, koncesion HEC | 402 | (13.9) | 243 | 244 | 60.7 |
81 | EVITA | Tregtim I produkteve farmaceutike, mjekesore | 830 | 55.4 | 116 | 242 | 29.2 |
82 | ENBI POWER | Mirëmbajtje e sistemeve energjetike | 1,012 | 6.1 | 108 | 241 | 23.8 |
83 | RAFAELO 2002 | Ndërtim, turizëm, import-eksport | 5,007 | 38.2 | 275 | 237 | 4.7 |
84 | ETS SHPK | Ndërtim dhe instalim I impianteve elektrike | 595 | 36.5 | 89 | 236 | 39.7 |
85 | INTER TRADE & DISTRIBUTION | Tregti me shumicë e pakicë | 1,786 | 0.0 | 220 | 235 | 13.2 |
86 | TURGUT OZAL EDUCATION | Institucion arsimor | 1,697 | 1.7 | 150 | 233 | 13.7 |
87 | U.E. T.* (EUROPEAN EDUCATION INITIATIVE) | Arsim I Lartë | n/a | n/a | 102 | 232 | n/a |
88 | UFO | Arsim I Lartë | 1,349 | (0.3) | 276 | 225 | 16.7 |
89 | B.M SHPK | Tregti e artikujve të ndryshëm bujqësorë | 929 | 40.9 | 94 | 224 | 24.2 |
90 | GEN – I Tirana | Tregtim energjie elektrike | 7,596 | 178.1 | 61 | 223 | 2.9 |
91 | SHEGA – TRANS | Transport ndërkombetar mallrash, agjenci detare | 2,276 | 6.8 | 239 | 223 | 9.8 |
92 | UNIONI FINANCIAR TIRANË | Shërbime financiare | 597 | 14.6 | 194 | 223 | 37.3 |
93 | ALDENT | Arsim I Lartë | 444 | 13.6 | 192 | 220 | 49.6 |
94 | EURON ENERGY | Prodhim energjie, koncesion HEC | 319 | (16.2) | 180 | 220 | 69.0 |
95 | MONTAL | Import dhe tregtim I pajisjeve mjekësore | 897 | 1.0 | 268 | 220 | 24.5 |
96 | AUTORITETI PORTUAL DURRËS* | Shërbime portuale | 1,887 | 3.3 | 227 | 218 | 11.6 |
97 | KA TRADING | Prodhim dhe shitje e artikujve higjenikë | 948 | (12.1) | 234 | 215 | 22.7 |
98 | SGS AUTOMOTIVE ALBANIA | Kontrolli teknik I Automjeteve (koncesion) | 899 | 3.9 | 196 | 212 | 23.5 |
99 | STERKAJ | Ndërtime civile e industriale | 2,345 | 15.5 | 164 | 210 | 8.9 |
100 | ALBA KONSTRUKSION | Ndërtime civile e industriale | 1,878 | 70.2 | 129 | 209 | 11.1 |
BURIMI: