Policia ka shoqëruar 6 gjuetarë në Korçë, pas fotove virale ku ata kishin vrarë dy sorkadhe. Fotoja tronditi opinionin publik, dhe prej ditësh po bën xhiron në rrjet. Po kështu është bërë i mundur bllokimi i armëve të gjahut, së bashku me lejet përkatëse.
“Lidhur me foton e publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqen 6 shtetas me një mjet tip fuoristradë, me dy armë gjahu dhe kafshë të egra të vrara. Informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë dhe Kolonjë, kanë kryer verifikimet përkatëse, identifikimin dhe shoqërimin e shtetasve të mëposhtëm:
E.L, L.Ç, S.G, banues në Korçë; L.M, banues në fshatin Polenë, A.D dhe D.D, banues në fshatin Leshnjë, Kolonjë.
Në bazë të ligjit “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë”, u bë bllokimi i armëve të gjahut, së bashku me lejet përkatëse dhe vërtetimet mbi regjistrimin e armëve. Inspektoriati i Pyjeve dhe Mjedisit ka ndëshkuar me masë administrative dy prej shtetasve.