Brazili ka mposhtur Argjentinën në stadiumin King Abdullah të Jeddah në Arabinë Saudite, me një gol të shënuar në sekondat e fundit nga Miranda. U duk se ndeshja që pritej të kishte një volum të madh loje dhe shumë gola do të mbyllej me një barazim të mërzitshme, para 63 mijë tifozëve, por një goditje këndi i jep ‘fund’ Argjentinës në minutën e 93’.
Ishte Brazili që nisi më mirë duke kontrolluar ndeshjen. Ndërsa nga ana tjetër Argjentina ishte e tërhequr në mbrojtje dhe përpiqej të shfrytëzonte kundërsulmet. Selecao megjithëse kishte mbajtjen e topit, e kishte shumë të vështirë të depërtonte në zonën kundërshtare dhe si pasojë munguan mundësitë e pastra për të shënuar.
Loja karakterizohej nga ndërhyrje të ashpra nga të dyja palët, ashtu siç jemi mësuar t’i shohim gjithmonë në këtë përballje. Pas pushimit situata nuk ndryshoi, ndeshja u zhvillua në mesin e fushës teksa skuadrat vazhdonin të kishin si prioritet mbrojtjen. Shumë faulle edhe në pjesën e dytë dhe si pasojë arbitri gjerman Brych filloi të nxirrte më shpesh kartonin e verdhë nga xhepi.
Shumica e rasteve ishin nga goditjet standarde, aty ku Brazili njihet që është i rrezikshëm, por portieri Romero kishte çdo gjë nën kontroll. Gjithsesi ishte Brazili që vazhdonte të insistonte për të gëzuar tifozët e shumtë nga Arabia, por lojtarët e Tite-s ishin të pasaktë në pasimin e fundit. Një barazim i mërzitshëm në klasike.