Ish-futbollisti i Atletico Madrid dhe Barcelonës, Arda Turan ka pushtuar mediat turke për shkak të një sherri që ka bërë në një lokal nate. Ai ishte duke u argëtuar vetëm, pa praninë e bashkëshortes e cila është në muajin e tetë të shtatzënisë dhe u përfshi në një sherr ku ishte ai shkaktari kryesor.
Referuar informacioneve të publikuara, lojtari ka ngacmuar bashkëshorten e Berkay, një këngëtar shumë i njohur në Turqi. Këngëtari e ka parë këtë skenë dhe ka kërkuar të sqarohet jashtë me futbollistin. Ky i fundit, në nerva e sipër e ka goditur në fytyrë Berkay, i cili është dërguar menjëherë në spital për t’i nënshtruar një operacioni në hundë.
Arda Turan, pas ngjarjes mësohet të ketë shkuar me armë në spital për t’i kërkuar falje Berkay dhe bashkëshortes së tij, Ozlem Ada. “Nuk e dija që ishe gruaja e tij, më vrit, më vjen shumë keq”, mësohet të ketë thënë futbollisti.
Ky lajm është publikuar në të gjitha mediat në Turqi, por 31-vjeçari ka përdorur profilin e tij në Instagram, për të sqaruar ngjarjen, ku dhe ka mohuar një pjesë të fakteve. Ai tregon se nuk ka shkuar në spital me armë, dhe pranon se ka pasur një konflikt me Berkay, por thekson se motivi nuk ka qenë bashkëshortja e këngëtarit.