Kryeministri Rama është zotuar se nga 1 janari nuk do të ketë më asnjë qepen bastesh të hapur. Një premtim ky që në fakt nuk është i padëgjuar për shqiptarët nga qeveria Rama.
Në daljen e tij para mediave, kryeministri u dha ultimatum edhe mediave që brenda 24 orëve të heqin reklamat e pikave të basteve.
Fjala e Ramës
“Sipas ligjit duke nisur nga 31 dhjetori i këtij viti do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë elektronike.
Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si edhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, kuaj, qen apo çdolloj skllavi të faunës shqiptare.
Ndërkohë, po punohet për regjimin e ri të licensimit dhe kontrollit të kësaj veprimtarie në distancë. Nëpërmjet internetit dhe brenda këtij afati të 31 dhjetorit ne do të kemi një regjim të ri gati.
Lotaria kombëtare nuk do të ketë asnjë element të kazinove elektronike ose siç quhet VLT.
Nga 1 janari nuk do të ngrihet më asnjë qepen për baste. Nuk do të ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar.
Paralajmëroj mediat që brenda 24 orësh të heqin të gjithë reklamat nga portalet apo televizionet”.
Kujtojmë se ky është një premtim që dështoi para pak vitesh, ku shumë pika bastesh u mbyllen vetëm për 3 ditë për t’u rihapur më pas sërish. Madje, shumë njerëz e konsideruan këtë një show të qeverisë Rama.
Të shohim nëse ky vendim do të mbahet këtë herë nga qeveria.