Manchester United ka marrë një fitore të “çmendur” me përmbysje përballë Neëcasle United, e cila përfundoi në rezultatin 3-2. Të besuarit e Jose Mourinhos e nisin ndeshje shumë keq pasi pësojnë dy gola që në 10’ minutat e para, por në pjesën e dytë të gjithë futbollistët tregojnë potencialin që kanë duke përmbysur gjithçka. Mata, Martial dhe Sanchez kanë qenë heronjtë e trajnerit portugez, por pa harruar edhe një performacë fantastike të Paul Pogba, që qetësuan presionin e shkarkimit të trajnerit.
Në fillim ishte braziliani Kenedy ai që ndëshkon të besuarit e Mourinho-s në minutën e 7’, përpara se Muto të thellonte krizën e pashmangshme të Djajve me golin e tij të bukur. Asnjë reagim nga të besuarit e Jose Mourinho-s, të cilët duken të përgjumur dhe të tronditur nga dy golat e shpejtë të miqve.
Por pas pushimit hyn në fushë një tjetër United, një ekip i avancuar përpara që sulmon me shumë forca portën e Newcastle. Dhe rastet nuk mungojnë, madje Matic humbet një mundësi që mund ta kishte bërë edhe një lojtar i moshave të United. Më në fund erdhi goli i parë, i merituar i vendasve me anë të Juan Mata. Spanjolli ekzekuton një goditje dënimi në mënyrë të përsosur duke i dhënë shpresë të gjithë Old Trafford.
Pak minuta më pas vjen goli i barazimit, një gol akoma më i bukur se i pari. Pas një kombinimi të bukur me Pogba, Martial hyn brenda zonës dhe lëshon një godite fantastike të pakapshme për portierin mik. Djajtë luajnë për golin e fitores, me 15 minuta të mbetura dhe mundohen në çdo mënyrë për t’ia dalë.
Dhe nuk kishte si të mos ndodhte ndryshe, United arrin të përmbysë gjithçka me heroin e ndeshjes Alexis Sanchez i cili u fut në fushë në pjesën e dytë. Një fitore e merituar e United.