Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Ahmet Jangulli. Ky i fundit është pjesë e Gjykatës Administrative të Shkodrës.
Pas verifikimeve të kryera ndaj tij në kuadër të ligjit të Vettingut, KPK vendosi që gjyqtari Jangulli duhet të largohet nga sistemi i drejtësisë. Njëherësh, Jangulli është anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
RAPORTI I PASURISË NGA KPK
Sipas hetimit administrativ të KPK-së, gjyqtari Jangulli kishte probleme me blerjen dhe shkëmbimin e një automjeti tip “Benz”, si edhe me lëshimin e 12 milionë lekëve si hua tw dy njerëz të afërm të tij.
Sipas KPK-së, automjetin që ka aktualisht në pronësi gjyqtari, e ka shkëmbyer me një automjet po tip “Benz” të blerë në vitin 2005. Mirëpo, sipas hetimin administrativ, rezulton se ai nuk ka pasur burime të ligjshme për blerjen e atij automjeti. Po kështu, për huat e lëshuara pa interes të të afërmit ka deklarata noteriale të paplota dhe nuk justifikohet burimi i tyre.
Problem, sipas KPK-së, është edhe një kredi 700 mijë lekëshe, që rezulton se është marrë nga bashkëshortja e gjyqtarit, por ky i fundit ka thënë se bashkëshortja është dorëzani në këtë kredi dhe se nuk është marrë për llogari të saj.
Gjyqtari Jangulli u mbrojt për pasqyrat financiare dhe tha se analizat e hetimit administrativ janë të gabuara. Ai solli në seancë pasqyra financiare të tjera nga aktiviteti i zyrës noteriale të bashkëshortes, që, sipas tij, justifikon të ardhurat dhe shpenzimet.