Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, është betuar se do të hakmerret për 7 ushtarët turq të vrarë nga terroristët kurdë, në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Sulmi nga ana e forcave të PKK-së, ka ndodhur mëngjesin e djeshme në provincën e Batmanit, ku mbetën të vrarë 7 ushtare dhe dy të tjerë u plagosën.
Presidenti Erdogan tha se për çdo ushtarë të vrarë do të vriten të paktën 100 terroristë.
“Terroristët do t’i bëjmë ta paguajnë shtrenjtë. 7 ushtarë ranë dëshmorë sot, por a do të ndalojmë ne? Nuk do të ndalojmë. Ata morën 7 dëshmorë nga mesi jonë, ne do të vrasim 700 terroristë nga ata. Nuk do të ndalojmë në asnjë mënyrë”, tha Erdogan, i cili foli pasditen e së enjtes në “TRT World Forum”, në Stamboll.
Erdogan më tej akuzoi Amerikën se po armatos YPG-në në Siri, të cilën Ankaraja e quan krah të organizatës terroriste PKK, e cila i ka shkaktuar më shumë se 40 mijë viktima Turqisë në 4 dekadat e fundit.
“Në Siri janë sjellë 19 000 kamionë me armë dhe municione. Nga cili shtet? Nga Amerika?”