Nga Timothy Garton Ash “The Guardian”/ A mund të përkeqësohet sjellja aktuale e Donald Trampit? Po ka gjasa. Por fiksimi ynë mbi sjelljen e tij skandaloze, që ishte në shpalosje të plotë këtë javë në OKB, nuk na ka lënë të shohim forcat më të mëdha që qëndrojnë pas Trampit.
Gjatë ditëve të fundit këtu në Uashington, unë jam përpjekur të kuptoj se çfarë do të mbetet nga perëndimi i vjetër transatlantik edhe sikur Tramp të dalë nga Shtëpia e Bardhë në janarin e vitit 2021 – ose dhëntë Zoti më shpejt. Përgjigja është e qartë. Edhe në rastin më të mirë, Shtetet e Bashkuara dhe aleancat e saj ndërkombëtare nuk do të rikthehen ashtu siç bënë pas epokës së Uotergejtit dhe Vietnamit.
Kjo kohë është e ndryshme, për arsye që janë brenda dhe përtej SHBA-së. Po, Tramp është personalisht përgjegjës për pjesën më të madhe të dëmit të shkaktuar. Në gazetën “New York Times”, një autor anonim i njohur si një “zyrtar i lartë” shkruan:”Në jetën publike dhe private, presidenti Tramp dëshmon një preferencë për autokratët dhe diktatorët, siç është presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, dhe tregon pak vlerësim të sinqertë për lidhjet që na mbajnë lidhur me vendet aleate, dhe që kanë një mendësi të ngjashme me ne”.
Tramp e dëshmoi këtë sërish në fjalimin e kësaj jave në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ai është një aktivist i frontit sovranist Xi-Putin-Orban, që përfaqëson një internacionale të pamundur të nacionalistëve, dhe një armike të betuar të rendit liberal.
Unë kam pyetur njerëz të mirë-informuar, se kush mendojnë se është “anonimi”. Disa kanë sugjeruar se është dikush nga rrethi i zv/presidentit Majk Pens, i cili është një “zyrtar i lartë” të cilin presidenti nuk mund të shkarkojë, dhe ndoshta ka më shumë për të fituar duke e sabotuar atë.
Megjithatë, sugjerimi më intrigues është se ky zyrtar është Xhon Hantsman, ambasadori aktual i SHBA-së në Moskë, dhe një kandidat i ardhshëm ambicioz në rradhët e republikanëve për president. Kjo ngre perspektivën e formësimit të një presidenti të ardhshëm republikan, duke e distancuar veten (ose veten) nga katastrofa Tramp. Por për momentin, të gjithë më thonë se “Trump e zotëron Partinë Republikane”.
Nëse pasojat nga hetimi i Robert Mylerit nuk arrijnë përmasat e Uotergejtit, Tramp personalisht do të vazhdojë presidencën dhe nëse ekonomia do të vazhdojë të rritet, ai mund të fitojë edhe një mandat të dytë. Pasojat e një presidence të plotë 8-vjeçare të Trump mbi marrëdhënien transatlantike, vështirë se kanë nevojë të hamendësohen.
Megjithatë, edhe në skenarin më të mirë, nuk duket se SHBA-ja është duke u rikthyer në udhëheqjen ndërkombëtare, ashtu siç ka bërë pas krizave të kaluara. Supozoni se një demokrat centrist si Xho Bajden fiton raundin e radhës të presidencës, ndoshta me një zëvendëspresidente më të re grua, përfaqësues të minoriteteve, dhe më shumë si majtiste si Kamala Harris.
Supozoni sikur presidenti Bajden do të përpiqet realisht të kthejë SHBA-në aty ku ishte më parë. Edhe atëherë, më e mira që mund të shpresojmë është një “Obama minus” dhe jo një “Obama plus”. Dhe mos harroni se ishte Barak Obama dhe jo Trampi, ai që i dha i pari përparësi “ndërtimit të kombit në shtëpi”.
Në këto 4 vite, bota rreth SHBA-së do të ketë ndryshuar, por po kështu do të ndodhë edhe me vetë SHBA-në. Ashtu si tek pasojat e një hemoragjie celebrale, lidhjet e reja nervore do të zëvendësojnë ato të vjetrat, të parëndësishmet. Ndërsa SHBA-ja dhe Britania, janë të fiksuara me kërcënimin që vjen nga Rusia, sfiduesi strategjik i vërtetë dhe afatgjatë i perëndimit, dhe konkurrentja globale ideologjike, Kina, po e shtrin vazhdimisht ndikimin e saj në çdo kontinent.
Nëse Brexit shkon përpara, process për të cilin unë besoj se mund dhe duhet të shmanget ende përmes një referendumi të dytë, atëherë siç pohoi kohët e fundit analisti amerikan i politikës së jashtme, Uollter Rasëll Mid, një divorc konfliktual midis Britanisë së Madhe dhe BE, do të zvogëlojë më tej angazhimin e SHBA ndaj Europës.
Por pavarësisht nga zhvillimet jashtë vendit, ky proces tashmë po ndodh brenda SHBA. Atlantizmi amerikan është zvogëluar, po zvogëlohet dhe do të vazhdojë të zvogëlohet.
Duke kundruar jashtë nga dritarja e hotelit, mund të shoh një monument të gjeneralit Xhon Pershing dhe ofensivën e Meuse-Argonne, e cila saktësisht 100 vjet më parë, në shtatorin e vitit 1918, ndihmoi në thyrjen e rezistencës së ushtrisë perandorake gjermane, dhe çoi drejtpërsëdrejti
në armëpushimin e 11 nëntorit.
Kjo përfshirje amerikane në Luftën e Parë Botërore, ishte momenti i parë sinjalizues i perëndimit transatlantik, gjeopolitik. Por pas kësaj, SHBA-ja u tërhoq në gjerësinë e saj kontinentale për më shumë se dy dekada, ndërsa demokracitë evropiane iu nënshtruan fashizmit dhe komunizmit. Vetëm sulmi japonez mbi flotën e SHBA-së në Pearl Harbour në dhjetorin e vitit 1941, i mundësoi Frenklin D.Ruzveltit futjen e vendit të tij në Luftën e Dytë Botërore.
Por në vitin 1945, impulsi i parë kombëtar i SHBA-ve, ishte të mbyllej sërish në vetvete. Tomas Rajt i Institutit Brukings, na kujton se ambasadori amerikan në Bashkimin Sovjetik, Ejvrell Harriman, vuri në dukje se amerikanët “dëshironin të zgjidhnin të gjitha kontradiktat me Rusinë, dhe pastaj të shkonin në kinema dhe të pinin Coca-Cola”.
Duhej gjithë vendosmëria e presidentit Herri Truman, gjithë elokuenca e Uinston Çërçillit në fjalimin e tij të famshëm në Fulton, dhe gjithë brutaliteti i Josif Stalinit, për të risjellë në skenë SHBA-në. Dekadat e Luftës së Ftohtë, deri në shembjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, ishin të jashtëzakonshme në rrafshin historik, dhe në të cilat ndjenja e madhe e të pasurit një armik të përbashkët gjeopolitik, me kokën e tij në zemër të Europës, lidhi bashkë Europën Perëndimore dhe SHBA si një aktore gjeopolitike.
Një ish-sekretar shteti, më tregon se sa pak interes ka audienca në të gjithë vendin, ndaj politikës së jashtme amerikane. Kushdo që frekuenton aeroportet, autostrada, trena ose shkollat amerikane, mund të kuptojë lehtësisht se pse amerikanët tani do të dëshironin të përqendroheshin më shumë në përmirësimin e vetes, në vend të avionëve dhe shkollave në Afganistan dhe Irak.
“Amerika e Para”, nuk është vetëm një parullë e Trampit. Është një predispozitë kombëtarë, me të cilën edhe presidenti më internacionalist do të duhej të përshtatej.
Tramp është i tmerrshëm, por në këtë drejtim, ai është sa më shumë një simptomë se sa një shkak. Problemi i divergjencës transatlantike ekzistonte edhe përpara Tramp. Ai ka shkaqe themelore më të thella se sa Tramp, dhe do të vazhdojë të ekzistojë edhe pas Trampit.
Sigurisht, 100 vjetët e partneritetit transatlantik që nga ofensiva e Meuse-Argonne e shtatorit 1918, kanë lënë pas një trashëgimi të madhe:ndërlidhjen ekonomike ndërkombëtare më të madhe në botë; aleanca e sigurisë e NATO-s, me një angazhim të ripërtërirë të mbrojtjes së ndërsjellë falë Putinit; si dhe një afërsi kulturore dhe intelektuale të pakrahasueshme. Perëndimi transatlantik është ende një “trup” i fuqishëm, muskuloz – por me një mendje të përhumbur, një zemër të dobësuar dhe një shpirt të ndarë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce